TIRANE, 17 dhjetor/ATSH/. - Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.8678, datë 14.5.2001, "Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë", të ndryshuar, të neneve 20, pika 4, e 21, pika 2, të ligjit nr.9154, datë 6.11.2003, "Për arkivat" dhe të nenit 6, pika 2, të ligjit nr.90/2012, "Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore", me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi ne mbledhje e sotme qe:
1. Pranë Ministrisë së Drejtësisë të krijohet Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor, me seli në Tiranë.
2. Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor ka për mision ruajtjen, përpunimin dhe administrimin e dokumentacionit gjyqësor, i cili i nënshtrohet procedurës së arkivimit nga gjykatat.
3. Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor kujdeset për menaxhimin e arkivave të gjykatave nëpërmjet aplikimit të teknikave të unifikuara për krijimin, përdorimin, mirëmbajtjen, ruajtjen, transferimin dhe asgjësimin e dosjeve, regjistrave dhe dokumenteve të tjera gjyqësore si dhe sigurimin e aksesit për të interesuarit.
4. Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor mban dhe përditëson regjistrin, në formë shkresore dhe elektronike, të të dhënave mbi dokumentacionin gjyqësor që i nënshtrohet procedurave të përpunimit dhe administrimit. Formati dhe përmbajtja e regjistrit përcaktohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të Arkivit Shtetëror të Sistemit Gjyqësor.
5. Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor ka të drejtë të kërkojë dhe të verifikojë, nga kancelarët e gjykatave, zbatimin e njësuar të shërbimit arkivor gjyqësor si dhe çdo informacion, të cilin e konsideron të nevojshëm për ushtrimin e funksioneve të ngarkuara.
6. Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor, nën kujdesin e Ministrisë së Drejtësisë, bashkëpunon me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, për zbatimin e metodologjisë profesionale, rregullave dhe kërkesave të ligjit për arkivat.
7. Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor drejtohet dhe përfaqësohet nga drejtori, i cili i raporton ministrit të Drejtësisë. /a.ke/








