Kosovë, Kurti kundërshton propozimin e KE-së për heqjen e vizave për shtetasit që kanë pasaporta të Serbisë

Kosovë, Kurti kundërshton propozimin e KE-së për heqjen e vizave për shtetasit që kanë pasaporta të Serbisë

Godina e Qeverisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës tha se është e shqetësuar me propozimin e Komisionit Evropian që vizat të hiqen për bartësit e pasaportave të Serbisë, të cilët banojnë në territorin e Kosovës. Ekzekutivi kërkoi nga Bashkimi Evropian që ta rishqyrtojë këtë propozim.

Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ky propozim i KE-së për pasaportat që lëshohen “nga e ashtuquajtura Drejtori Koordinuese serbe” nuk është diskutuar me Qeverinë e Kosovës.

“Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme”, tha Bislimi.

Ai tha se Qeveria e Kosovës fton BE-në që këto dokumente “t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel”.

Propozimi i KE-së u argumentua me faktin se liberalizimi i vizave do të nisë së zbatuari më 1 janar të vitit 2023.

Por, Bislimi tha se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk nënkupton që pjesëtarët e komunitetit serb do të mbesin pa liberalizim, pasi ata, sipas tij, mund të pajisjen me pasaporta të lëshuara nga Kosova.

“Qeveria jonë tashmë ka vënë në praktikë një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve të Kosovës me pasaporta. Së fundmi, është parë dhe një interes i lartë e rritje të numrave të qytetarëve që janë pajisur me pasaporta të Kosovës. Në krahasim me vitin e kaluar, kemi një rritje prej 29 për qind”, tha Bislimi, duke shtuar se këtë kundërshtim e kanë adresuar në instancat më të larta të BE-së.

Serbët nga Kosova kanë të drejtën e pasaportës së Serbisë, e cila ka marrë liberalizimin e vizave në vitin 2009. Mirëpo, me kërkesë të BE-së, është dashur të formojë një Administratë Koordinuese për lëshimin e pasaportave për ata që kanë adresë në Kosovë.

Në prill të këtij viti, KE-ja kishte theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Por, në propozimin e ri, KE-ja ka argumentuar se tashmë nuk ekzistojnë arsyet për shkak të së cilave ishte vendosur që bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë me vendbanim në Kosovë të mos kenë mundësi të udhëtojnë pa viza, për dallim nga shtetasit e Serbisë me vendbanim në Serbi.

Lidhur me propozimin e KE-së kanë reaguar më herët gjatë 21 nëntorit edhe mbi 20 organizata të shoqërisë civile.

Përmes një letre të hapur drejtuar Ylva Johansson, komisionares evropiane për Çështje të Brendshme, shoqëria civile ka kërkuar që KE-ja të tërheqë propozimin.

Në letrën e shoqërisë civile, veç tjerash, thuhet se ky propozim do të “sfidojë seriozisht përparimet në integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës” përmes pajisjes me dokumente të Kosovës dhe “do t’i nxisë dhe inkurajojë strukturat kriminale që veprojnë në pjesën veriore të Kosovës që të vazhdojnë me kërcënime e kanosje të qytetarëve serb të Kosovës që synojnë të integrohen në jetën shoqërore dhe politike të vendit”.

Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Shengen.

Pasi të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për bartësit e pasaportave biometrike të Republikës së Kosovës, bartësit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë, nëse propozimi i KE-së nuk jetësohet, do të mbeteshin të vetmit pa mundësinë e lëvizjes pa viza./ REL

K.M/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Nga Shkodra në Tiranë me pistoletë gati për qitje! Arrestohet 43 vjeçari, person i skeduar nga policia (EMRI)

Nga Shkodra në Tiranë me pistoletë gati për qitje! Arrestohet 43 vjeçari, person i skeduar nga policia (EMRI)