Qeveria “OK” Komisionit të Çmimit
të Barnave, ja si do funksionojë

Qeveria “OK” Komisionit të Çmimit<br />të Barnave, ja si do funksionojë
TIRANE- Këshilli i Ministrave vendosi sot ngritjen e Komisionit të Çmimit të Barnave. Në përbërje të këtij Komisioni i cili do të kryesohet sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Shëndetësinë, do të jetë një përfaqësues nga Drejtoria Farmaceutike, një përfaqësues për financat; një nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor; dhe një nga Agjencia Kombëtare për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore. Sipas këtij vendimi, brenda datës 31 tetor të çdo viti, të gjithë mbajtësit e autorizimit të tregtimit të barnave në Shqipëri, duhet të deklarojnë me shkresë, në zarf të mbyllur, pranë ministrisë së Shëndetësisë çmimet “CIF” në euro ose dollarë, për barnat e importit dhe çmimet “EXW” (ex-work) në lekë, për barnat e fabrikuara në vend.
 
Ndërsa në 5 nëntor të çdo viti do të mblidhet Komisioni i Çmimit të Barnave, i cili pas hapjes së zarfave dhe siglimit të tyre do të miratojë me votim të hapur çmimin e barnave.
 
Sipas vendimit çmimet “CIF”, të deklaruara në Shqipëri, do të krahasohen me çmimet e tregtimit me shumicë të shteteve referente: Itali, Greqi, Serbi, Maqedoni dhe Kroaci. Në rastet kur mungon informacioni për çmimet e tregtimit me shumicë nga shtetet referente, krahasimi do të bëhet me çmimet e shitjes me pakicë të barit.

Më poshtë vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave:

VENDIM PËR NGRITJEN DHE MËNYRËN E FUNKSIONIMIT TË KOMISIONIT TË ÇMIMIT TË BARNAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 38, të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, me propozimin e ministrit të Financave dhe ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave.

V E N D O S I:

1. Ngritjen e Komisionit të Çmimit të Barnave, si njësi e përhershme, pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

2. Komisioni i Çmimit të Barnave të kryesohet nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe të ketë në përbërje:

a) Një përfaqësues nga Drejtoria Farmaceutike, pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

b) Një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për financat.

c) Një përfaqësues nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit  Shëndetësor.

ç) Një përfaqësues nga Agjencia Kombëtare për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore.

Sekretari i komisionit është një specialist i Drejtorisë Farmaceutike pranë  ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

Titullarët e institucioneve, të përmendura në këtë pikë, caktojnë në detyrën e anëtarit të komisionit punonjës që kanë lidhje me funksionin dhe detyrat e këtij komisioni.

3. Mbajtësit e autorizimit të tregtimit të barit në Shqipëri, brenda datës 31 tetor të çdo viti, deklarojnë me shkresë, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi, në zarf të mbyllur, pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, çmimet “CIF” në euro ose dollarë, për barnat e importit dhe çmimet “EXË” (ex-ëork) në lekë, për barnat e fabrikuara në vend. Dorëzimi i çdo zarfi të mbyllur me deklarimin e çmimeve bëhet në protokollin e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe shoqërohet me nënshkrimin e personit të autorizuar nga kompania për këtë veprim dhe të punonjësit të protokollit, i cili pranon dokumentacionin. Çdo zarf i ardhur në ministri regjistrohet në një regjistër të veçantë, me numrin rendor përkatës dhe datën e marrjes së tij në dorëzim.

4. Deklarimi i çmimit duhet të bëhet sipas formularit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ai duhet të jetë origjinal, i firmosur dhe i vulosur nga mbajtësi i autorizimit për tregtim. Në rast të kundërt, deklarimi do të quhet i pavlefshëm dhe nuk do të merret në shqyrtim nga komisioni.

5. Ministria përgjegjëse për shëndetësinë njofton, nëpërmjet publikimit në faqen zyrtare, të gjithë mbajtësit e autorizimit të tregtimit të barit në Shqipëri, për deklarimin e çmimeve “CIF” në euro ose dollarë, për barnat e importit dhe çmimet “EXË” (ex-ëork) në lekë, për barnat e fabrikuara në vend, pranë saj, brenda datës 30 shtator.

6. Komisioni i Çmimit të Barnave, brenda datës 5 nëntor të çdo viti, mblidhet, me njoftim të kryetarit, për hapjen e zarfeve të çmimeve të deklaruara, të cilat siglohen nga anëtarët e pranishëm në komision.

7. Mbledhjet e Komisionit të Çmimit të Barnave janë të vlefshme kur në to janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. Miratimi i çmimeve të barnave bëhet me votim të hapur dhe vendimi merret me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm. Në rast se ka barazim votash, vota e kryetarit është vendimtare.

8. Komisioni i Çmimit të Barnave, kur është e nevojshme, mblidhet me njoftim të kryetarit për të miratuar çmimet e deklaruara për barnat që regjistrohen gjatë vitit kalendarik pasardhës. Në këto raste, miratimi i çmimit të barnave bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve pas depozitimit të deklarimit të tyre pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

9. Çmimet “CIF”, të deklaruara në Shqipëri, do të krahasohen me çmimet e tregtimit me shumicë të shteteve referente: Itali, Greqi, Serbi, Maqedoni dhe Kroaci. Në rastet kur mungon informacioni për çmimet e tregtimit me shumicë nga shtetet referente, krahasimi do të bëhet me çmimet e shitjes me pakicë të barit.

10. Komisioni i Çmimit të Barnave verifikon edhe çmimet e deklaruara të tregtimit me pakicë të barit në vendin e origjinës, në formularin e deklarimit të çmimit nga mbajtësi i autorizimit të tregtimit. Në rast se të dhënat e deklaruara nga mbajtësi i autorizimit për tregtim mbi çmimin e shitjes me pakicë të barit në vendin e origjinës janë të ndryshme, komisioni merr vendim që barit të mos i miratohet çmimi për vitin pasardhës.

11. Komisioni i Çmimit të Barnave verifikon edhe dokumentacionin e  importeve të barnave, të kryera dhe të depozituara pranë Agjencisë Kombëtare për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore, gjatë 12 muajve të fundit.

12. “Çmimi i referencës për Shqipërinë” do të jetë çmimi më i ulët nga elementet e mëposhtme:

a) çmimi që aplikohet ndër pesë shtetet referente;

b) çmimi i tregtimit me pakicë të barit në vendin e origjinës;

c) çmimi i barnave të importuara në Republikën e Shqipërisë, gjatë 12 muajve të fundit.

13. Çmimi i barit gjenerik duhet të jetë deri në 80% të çmimit të barit origjinator, të regjistruar pranë Agjencisë. Nëse bari origjinator nuk është i regjistruar në Republikën e Shqipërisë, atëherë do të merret për bazë çmimi i tij në vendet e referencës dhe të origjinës.

14. Çmimi i shitjes me pakicë të barit në Republikën e Shqipërisë duhet të jetë më i ulët ose i njëjtë me çmimin e shitjes me pakicë të tij në vendin e origjinës.

15. Barnat, për të cilat nuk është deklaruar çmim, ose të cilat nuk janë regjistruar/riregjistruar deri më 31 tetor të vitit aktual, humbasin të drejtën për t’u futur në listën e barnave të rimbursuara për vitin pasardhës.

16. Informacioni për krahasimin e çmimeve të barnave do të merret nga botimet zyrtare, të publikuara nga institucionet homologe në vendet e referencës.

17. Drejtoria Farmaceutike, në ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, brenda datës 31 dhjetor të çdo viti, bën shpalljen, në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, e listës së përgjithshme me çmimet “CIF/EXË”, të miratuar nga Komisioni. Kjo listë dërgohet zyrtarisht tek Agjencia Kombëtare për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

18. Kundër vendimit të Komisionit të Çmimit të Barnave bëhet ankim sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Administrative.

19. Anëtarët dhe sekretari i komisionit shpërblehen për çdo mbledhje, sipas përcaktimeve të bëra në vendimin nr.418/2012, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes vendore”, të ndryshuar.

20. Vendimi nr.62, datë 1.2.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e funksionimit të Komisionit të Çmimit të Barnave”, të ndryshuar, shfuqizohet.

21. Ngarkohen ministria përgjegjëse për shëndetësinë, ministria përgjegjëse për financat dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

SHBA, Departamenti i Drejtësisë ngre padi ndaj shtetit Virxhinia për shkelje zgjedhore

SHBA, Departamenti i Drejtësisë ngre padi ndaj shtetit Virxhinia për shkelje zgjedhore