Qeveria lobim për statusin 
në vendet skeptike të BE-së

Qeveria lobim për statusin <br />në vendet skeptike të BE-së
TIRANE- Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një tur të fuqishëm vizitash në prag të vendimit për dhënien e statusit të vendit kandidat për në BE për Shqipërinë pikërisht vendet të cilat janë shfaqur skeptike deri më tani për një vendim pozitiv.

Këtë “zbarkim” të fuqishëm në vendet e Bashkimit Evropian për të lobuar në favor të një vendimi pozitiv të Këshillit të Ministrave të BE, pas një raporti shumë pozitiv të Komisionit Evropian për Shqipërinë e kryeson vetë kryeministri Edi Rama, i cili bashkë me kreun e diplomacisë Ditmir Bushati ka zbritur në kryeqytetin francez, Paris për të nisur takimet e nivelit të lartë me zyrtarët më të lartë francezë të cilëve do t’ju kërkojë me insistim votën pro Shqipërisë në fund të qershorit për statusin.

Dhe një ndër këto takime të rëndësishme është dhe ai me presidentin francez, François Hollande, takim në të cilin do të kërkohet mbështetja franceze për çështjen e statusit kandidat. Gjithashtu në axhendën e Kryeministrit Rama në Paris është parashikur një takim edhe me përfaqësues të biznesit dhe botën akademike. Ndërkohë që ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte në Romë, ku ka zhvilluar takime me homologun e tij Angelino Alfano. Ai tha se Shqipëria është e angazhuar për luftë pa kompromis kundër kultivimit të kanabisit. Ndërsa Alfano ka deklaruar se përkrah Shqipërinë në procesin e integrimit europian dhe se do të lobojë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.

Alfano u shpreh shumë i impresionuar nga rezultatet e policisë shqiptare në këto muaj. Ndërsa ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha është për vizitë në Angli ku ka zhvilluar një sërë takimesh që kanë në fokus integrimin. Kështu Gjosha zhvilloi takime me Ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane, David Lidington dhe Ministrin e Shtetit për Çështjet e Drejtësisë dhe të Drejtave Civile, Simon Hughes. Theksi i tyre ishin reformat që po ndërmerren në funksion të zhvillimit të vendit dhe progresit në axhendën evropiane. Gjatë takimit me Ministrin Lidington, Gjosha e informoi mbi masat e marra nga qeveria shqiptare sidomos në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe reformën në drejtësi.

“Vendimi pozitiv i Këshillit të Ministrave të BE, do të ishte një sinjal i rëndësishëm motivues për Shqipërinë, për të ecur përpara në rrugën e saj drejt BE-së, duke ndikuar në krijimin e një klime me pozitive për vendin”, tha ajo. Lidington nënvizoi se Anglia mbështet politikën e zgjerimit në BE. “Jemi duke studiuar me vëmendje progres-raportin e Komisionit Evropian dhe do të marrim një vendim pasi të nxjerrim përfundimet tona”, tha Lidington. Ndërsa në takimin me Ministrin Hughes Gjosha vlerësoi mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Shqipërisë si dhe informoi ministrin mbi reformën në drejtësi.

“Bashkëpunimi me komisionin e Venecias ka qenë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e reformës në drejtësi të cilën ne jemi të vendosur ta zbatojmë në të gjitha hallkat e saj. Është një reformë që qeveria shqiptare e sheh si të domosdoshme për konsolidimin e demokracisë në vend”, tha Gjosha. Ministrja theksoi se qeveria shqiptare shpreson të thellohet më tej bashkëpunimi duke përmendur, marrëveshjen për transferimin e të burgosurve e ndihmën e dhënë nga Anglia me anë të misionit Pameca 3. Hughes vlerësoi angazhimin e qeverisë për të çuar përpara reformat.

“Stafet respektive mund të krijojnë kontakte të drejtpërdrejta, në këtë mënyrë pala angleze mund të japë ndihmën e saj në çdo kohë”, tha Ministri. Në axhendë, është dhe takimi me Drejtorin e Përgjithshëm të Emigracionit e Grupit të Politikave Ndërkombëtare, Mike Anderson.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç