Qeveria shqiptare do t’iu sigurojë mbrojtje të veçantë punëonjësve të Policisë së Shtetit. Në mbledhjen e sotme të të qeverisë, drejtuar nga kryeministri Edi Rama është vendosur mbrojtje e veçantë për punonjësit e policisë, që për shkak të detyrës, i kërcënohet jeta, familja dhe prona.
 
Me mbrojtje të veçantë do të kuptohen masat me karakter organizativ dhe profesional për ruajtjen fizike të punonjësit të policisë.
 
Masat e mbrojtjes së veçantë janë: ruajtje fizike; ruajtje e familjarëve, banesës dhe pronës. Gjithashtu do të  ngrihet edhe Komisioni i Vlerësimit të Kërcënimeve (KVK) për vlerësimin e kërkesave, miratimin e masave të mbrojtjes, ndryshimin, revokimin ose përfundimin e tyre, si dhe struktura përgjegjëse për zbatimin e masave të mbrojtjes së veçantë, në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.
 
Shpenzimet për realizimin e mbrojtjes së veçantë përballohen nga buxheti i miratuar për Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Gjithashtu Këshilli i Ministrave i ka dhënë Haki Çakos gradën “Drejtues Madhor”. Çako u emërua pak ditë më parë kreu i Policisë së Shtetit, pas dorëheqjes së Artan Didit.

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)