Qeveria merr në ruajtje gjyqtarë e prokurorë që kërcënohen nga krimi

Me vendim të Këshillit të Ministrave, qeveria do të marrë në mbrojtje gjyqtarët dhe prokurorët e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit që do të kërcënohen nga krimi.  Vendimi është marrë në më 31 Korrik, ku janë shpjeguar kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e veçantë të magjistratit gjatë ushtrimit të funksionit.

Sipas këtij vendimi, magjistratit i sigurohet mbrojtje e veçantë personale, e familjes dhe e pasurisë, sipas parashikimeve të këtij vendimi, kur, gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, i rrezikohet jeta, shëndeti i tij dhe i familjes, si dhe pasuria.

Në vendim thuhet se me mbrojtje të veçantë personale, të familjes dhe të pasurisë do të kuptohen masat me karakter organizativ e profesional, për sigurimin dhe ruajtjen e veçantë fizike, mbrojtjen e familjes e të pasurisë së magjistratit, si dhe masat e tjera, që lidhen me këtë mbrojtje. Për të përfituar nga ky vendim, duhet të ekzistojnë disa kushte specifike, si prania e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën ose familjen e magjistratit.

Mbrojtje e veçantë i sigurohet edhe magjistratit që nuk e ushtron funksionin ose që ka dalë në pension, në rast se e kërkon, në rast cenimi për shkak të ushtrimit të mëparshëm të funksionit. Sipas vendimit të marrë, kërkesat për sigurimin e mbrojtjes së veçantë shqyrtohen, sipas rastit, nga komisioni në KLGJ dhe KLP. Pra në vendim theksohet se pranë KLGJ dhe KLP ngrihet një komisioni i posaçëm brenda 48 orëve nga koha e kërkesës për mbrojtje, i cili më pas vendos për situatën.

Ndërsa sa i përket rasteve urgjenteve, drejtori policisë cakton ruajtie 24 h deri sa të mblidhet komisioni. Ky vendim synon t’u japë më shumë siguri gjyqtarëve dhe prokurorëve ku për shkak të detyrës jo në pak raste janë kërcënuar me jetë, nga persona me rrezikshmeri të lartë kriminale. Po ashtu, pak ditë më parë, qeveria caktoi edhe buxhetin prej 1.2 milionë euro për SPAK për vitin 2019.

Kriteret për mbrojtjen e magjistratit

1. Magjistratit i sigurohet mbrojtje e veçantë personale, e familjes dhe e pasurisë, sipas parashikimeve të këtij vendimi, kur, gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, i rrezikohet jeta, shëndeti i tij dhe/ose e/i familjes, si dhe pasuria. Mbrojtje e veçantë i sigurohet edhe magjistratit që nuk e ushtron funksionin ose që ka dalë në pension, në rast se e kërkon, në rast cenimi për shkak të ushtrimit të mëparshëm të funksionit.


2. Me mbrojtje të veçantë personale, të familjes dhe të pasurisë, sipas këtij vendimi, do të kuptohen masat me karakter organizativ e profesional, për sigurimin dhe ruajtjen e veçantë fizike, mbrojtjen e familjes e të pasurisë së magjistratit, si dhe masat e tjera, që lidhen me këtë mbrojtje.


3. Kushtet për të përfituar mbrojtje të veçantë janë, si më poshtë vijon: a) Prania e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, familjen ose pasurinë e magjistratit; b) Prania e lidhjes shkakësore ndërmjet rrethanave serioze dhe
ushtrimit të funksionit ose ushtrimit të mëparshëm të funksionit nga magjistrati.Pavarësisht mungesës së lidhjes shkakësore të përcaktuar në shkronjën “b”, të kësaj pike, magjistratit i sigurohet mbrojtje e veçantë edhe në rast të pranisë së rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pasurinë e magjistratit gjatë kohës që magjistrati ushtron funksionin e tij.


4. Kërkesa për mbrojtje të veçantë i paraqitet komisionit përkatës me shkrim nga magjistrati, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ministri i Drejtësisë, kryetari i gjykatës ose drejtuesi i prokurorisë, ku magjistrati ushtron funksionin, si dhe çdo organ tjetër publik që, për shkak të funksionit, merr dijeni për praninë e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pasurinë e magjistratit.

5. Kërkesa për mbrojtje të veçantë përmban: a) gjenealitetet e plota të kërkuesit; b) një përmbledhje të fakteve e të rrethanave, që përbëjnë rrezik serioz për magjistratin, të cilat detyrojnë të sigurohet mbrojtje e veçantë, si dhe burimin e provave, ku bazohen ato; c) llojin e masave që kërkohen dhe kohëzgjatjen e tyre.


6. Kërkesa për mbrojtje i paraqitet Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas rastit, nga subjektet e përcaktuara në pikën 4, të këtij vendimi, kur ka të dhëna të besueshme që provojnë se një magjistrati i rrezikohet jeta, familja ose pasuria. Kur rreziku ndaj magjistratit është serioz dhe i çastit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëron strukturat e Policisë së Shtetit të marrin masa të menjëhershme për të garantuar jetën, familjen ose pasurinë e magjistratit, deri në mbledhjen e komisionit. Komisioni, pas shqyrtimit të kërkesës, vlerëson masat e marra nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe vendos, kur është rasti, për vazhdimin e mëtejshëm të tyre.


7. Kërkesat për sigurimin e mbrojtjes së veçantë shqyrtohen, sipas rastit, nga Komisioni për Mbrojtjen e Gjyqtarëve, i cili ngrihet dhe funksionon pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, ose Komisioni për Mbrojtjen e Prokurorëve, i cili ngrihet dhe funksionon pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, me përbërje, si më poshtë vijon: a) Një anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor (në vijim, KLGJ) ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë (në vijim, KLP), sipas rastit, me mandat dyvjeçar, të caktuar nga mbledhja plenare; b) Një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, me mandat dyvjeçar, të caktuar me urdhër të titullarit të institucionit; c) Një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme, me mandat dyvjeçar,
të caktuar me urdhër të titullarit të institucionit; ç) Kryetari i Gjykatës ose drejtuesi i Prokurorisë, sipas rastit, pranë së cilës ushtron detyrën magjistrati, për të cilin kërkohet mbrojtje; në rastin e magjistratit, i cili nuk është më në detyrë kryetari i Gjykatës ose drejtuesi i Prokurorisë në detyrë ku ka ushtruar funksionin së fundmi magjistrati; d) Një përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit me mandat dyvjeçar me urdhër të titullarit të institucionit.


8. Kryetar i Komisionit për Mbrojtjen e Gjyqtarëve është përfaqësuesi i KLGJ-së dhe kryetar i Komisionit për Mbrojtjen e Prokurorëve është përfaqësuesi i KLP-së. Në mungesë të tij, kryetari mund të autorizojë një nga anëtarët e tjerë të komisionit përgjegjës për thirrjen dhe/ose drejtimin e mbledhjes.


9. Kryetari i komisionit ushtron këto funksione: a) Përgatit, thërret dhe drejton mbledhjet e komisionit; b) Përfaqëson komisionin në marrëdhëniet me të tretët; c) Siguron mbështetjen administrative dhe organizative nga këshilli
përkatës për funksionimin e komisionit; ç) Siguron dokumentimin e mbledhjes së komisionit dhe mbajtjen e dokumentacionit, në përputhje me legjislacionin për arkivat; d) Ushtron çdo detyrë tjetër të caktuar nga legjislacioni në fuqi.


10. Kryetari, menjëherë pas marrjes së kërkesës për mbrojtje, njofton anëtarët e komisionit për mbledhjen e radhës. Komisioni duhet të mblidhet menjëherë dhe jo më vonë se 48 (dyzet e tetë) orë nga paraqitja e kërkesës, sipas pikës 6, të këtij vendimi.


11. KLGJ-ja dhe KLP-ja sigurojnë mbështetjen e nevojshme organizative e administrative për realizimin e funksionit dhe të detyrave të komisionit përkatës.


12. Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur janë të pranishëm jo më pak se katër anëtarë të tij. Vendimet janë të vlefshme kur miratohen të paktën nga tre anëtarë të pranishëm në mbledhje.


13. Komisioni e ushtron veprimtarinë e tij në mënyrë kolegjiale, sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në këtë vendim, të cilat, plotësohen, për aq sa nuk bie ndesh me dispozitat e këtij vendimi, nga rregullat e parashikuara në legjislacionin për organizimin e funksionimin e organeve kolegjiale. Pjesëmarrja në mbledhjet e komisionit është e detyrueshme. Kryetari i komisionit, në bashkëpunim më Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit, cakton një sekretar, nga radhët e nëpunësve të Këshillit, i cili mban procesverbalin e zhvillimit të mbledhjes.


14. Komisioni, në procesin e shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje të veçantë të familjes e të pasurisë, sipas këtij vendimi, mund të kërkojë informacione nga institucione të tjera.


15. Komisioni merr në shqyrtim kërkesën e paraqitur dhe, kur bindet për nevojën e sigurimit të mbrojtjes për magjistratin, shprehet me vendim për të. Vendimi përmban masat konkrete të mbrojtjes së veçantë, numrin e shoqëruesve personalë, kur është rasti, afatin, brenda të cilit sigurohet mbrojtja, si dhe masa të tjera, që lidhen me këtë mbrojtje

.
16. Vendimi i komisionit i njoftohet magjistratit nëpërmjet kryetarit të gjykatës ose drejtuesit të prokurorisë, ku ushtron funksionin, dhe strukturave përgjegjëse për mbrojtjen, nga përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Magjistratit, që nuk e ushtron funksionin ose që ka dalë në pension, i njoftohet vendimi i komisionit pranë vendbanimit të deklaruar.


17. Komisioni, me kërkesë të subjekteve të përcaktuara në pikën 4, të këtij vendimi, kur ka të dhëna të besueshme që provojnë se një magjistrati i rrezikohet jeta, familja ose pasuria, mund të vendosë zgjatjen e afatit të masave të mbrojtjes, nëse rrethanat, për të cilat është siguruar më parë mbrojtja, vazhdojnë të ekzistojnë edhe pas përfundimit të këtij afati. Në rast se rreziku ndaj jetës, familjes ose pasurisë së magjistratit nën mbrojtje pushon së ekzistuari përpara përfundimit të afatit të mbrojtjessipas përcaktimit në vendimin e komisionit, me kërkesën e çdo subjekti të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi, komisioni mund të vendosë të
ndërpresë mbrojtjen e veçantë të magjistratit.


18. Në rast se magjistratit i shkaktohen dëme për jetën, shëndetin, pasurinë e tij ose familjes së tij, gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, dëmet shpërblehen nga shteti, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen