Këshilli i Ministrave miratoi këtë të premte rritjen e pagës minimale në vend nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë. Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj thotë se nga ky vendim i qeverisë përfitojnë 307 mijë punonjës në sektorin publik dhe privat.
Ibrahimaj thekson se përmes kësaj rritjeje synohet të rritet niveli i jetesës, të fuqizohet kapitali njerëzor si dhe njëkohësisht të ulet informaliteti në tregun e punës.
"Qeveria miratoi rritjen e pagës minimale, duke mbajtur një tjetër angazhim të dhënë ndaj qytetarëve. Nga 40,000 lekë, paga minimale mujore rritet në 50,000 lekë, duke përfshirë 307,850 punonjës të regjistruar në sektorin publik dhe privat. Ky vendim synon: mbrojtjen e nivelit të jetesës së të punësuarve, fuqizimin e kapitalit njerëzor, përmirësimin e standardit të jetesës për mijëra familje shqiptare.
Njëkohësisht, rritja e pagës minimale ndihmon në uljen e informalitetit në tregun e punës dhe në forcimin e respektimit të kontratave ligjore. Ekonomia rritet kur puna vlerësohet dhe dinjiteti i punonjësve vendoset në qendër të politikave publike", shkroi Ibrahimaj.
Rritja e pagës minimale do të nisë nga 1 janari i vitit 2026, dhe për 9 muajit e parë të zbatimit të saj kostoja e rritur për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore nuk do të paguhet nga biznesi por nga shteti.
Vendimi i plotë:
V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E PAGËS MINIMALE NË SHKALLË VENDI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 111, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1996, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 8.1, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
2. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 (njëqind e shtatëdhjetë e katër) orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.
3. Paga bazë minimale orare të jetë 287.3 (dyqind e tetëdhjetë e shtatë pikë tre) lekë.
4. Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë.
5. Vendimi nr.113, datë 1.3.2023, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2026.
Komente








