Qeveria ka miratuar një vendim ku përcaktohen pagat për punonjësit e njësisë për zbatimin e projektit ‘Smart City’. Sipas vendimit të gjithë drejtuesit apo menaxherët e projektit do të kenë pagë 170 mijë lekë në muaj, ndërsa koordinatorët dhe punonjësit teknik do kenë pagë 141 mijë lekë në muaj.
Si pjesë e projektit ‘Smart City’ janë fillimisht 5 mijë kamera cilësore që do të montohen në rrugët kryesore dhe pranë 20 shkollave, për të rritur sigurinë nxënësve por edhe të qytetarëve.
VKM:
V E N D I M PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.325, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS SË PAGAVE, NIVELEVE TË PAGAVE DHE SHTESAVE TË TJERA MBI PAGË ZËVENDËSMINISTRIT, FUNKSIONARËVE TË KABINETEVE, PREFEKTIT, NËNPREFEKTIT, NËPUNËSVE CIVILË DHE NËPUNËSVE NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, të shkronjës “h”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të neneve 7 e 9, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 1, të kreut IV, të vendimit nr.325, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagave, niveleve të pagave dhe shtesave të tjera mbi pagë të zëvendësministrit, funksionarëve të kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhe nëpunësve në disa institucione të administratës publike”, të ndryshuar, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Punonjësit e njësisë për zbatimin e projektit me titull “Sistemi i kamerave nën administrimin e Policisë së Shtetit Smart – City”, deri në përfundimin e projektit, të trajtohen me pagë, si më poshtë vijon:
a) drejtues/menaxher projekti – klasa I-5;
b) koordinator/punonjës teknik – klasa II-2.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga buxheti i miratuar për programin “Policia e Shtetit” dhe fillojnë nga data e emërimit të punonjësve në detyrë.
3. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Komente








