TIRANE- Pensioni social do të llogaritet mbi të ardhurat që kanë individët në bankë, nga toka, të ardhurat nga biznesi apo pasuritë e paluajtshme. Vendimi i ri i qeverisë ka përcaktuar kriteret dhe procedurat se si do ta përfitojnë pensionin social rreth 5000 mijë të moshuar aktual të cilët nuk kanë paguar kontributet, apo ata të cilët do aplikojnë pas dates 1 gusht.

“Për kriteret, procedurat dhe dokumentacionin për pensionin social, do të konsiderohen, të ardhurat individuale të shtetasit, të ardhurat nga toka bujqësore, që siguron familja në përbërje të së cilës është personi, të ardhurat mujore nga veprimtaria ekonomike, si aksioner i vetëm ose bashkëpronar në një aktivitet ekonomik. Të ardhurat nga pasuritë e paluajtshme individuale ose në bashkëpronësi me persona të tjerë dhe të ardhurat mujore nga depozitat bankare në emër të kërkuesit”, - thuhet në vendimin e qeverisë.