Qeveria ka nisur konsultimet me subjektet private për të përgatitur procedurën tenderuese për Operatorin Privat që do të ofrojë shërbimin e transportit hekurudhor në Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit. 

Në takimin konsultativ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi tha se kontrata me operatorin privat do të përfshijë një sërë elementesh nga oraret e trenave, financimi e deri tek biletat për udhëtarët.

“Kontrata e Shërbimit Publik për korridorin e parë tashmë Tiranë-Aeroport-Durrës synon të krijojë kuadrin kontraktual për ofrimin e shërbimit të transportit hekurudhor të udhëtarëve, duke përcaktuar qartë detyrimin e shërbimit publik, standardet e shërbimit, përgjegjësinë e operatorit dhe mekanizmin e kompensimit. Kontrata duhet të përcaktojë qartë elementet kryesore të shërbimit: volumin e shërbimit dhe train-kilometrat, oraret, mjetet lëvizëse, modelin e pronësisë ose të leasing-ut dhe financimin, mirëmbajtjen, përdorimin e depos në Shkozet, periudhën e mobilizimit, kohëzgjatjen e kontratës, mekanizmin e kompensimit dhe indeksimit, trajtimin e të ardhurave nga biletat dhe regjimin e performancës KPI-ve. Një partneritet i ri me sektorin privat”, tha Karakaçi.

Ministri Karakaçi tha se kjo hekurudhë përfundon së ndërtuari bashkë me elektrifikimin në 2027-ën.

“Projekti i linjës Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit përfshin rehabilitimin e linjës ekzistuese, lidhjen e re me aeroportin, ndërtimin e stacioneve dhe elektrifikimin e tyre. Punimet për rehabilitimin dhe stacionet tashme janë drejt përfundimit dhe komponenti i fundit i këtij projekti, elektrifikimi, parashikohet që të mbyllet brenda vitit 2027”, tha Salla.

Ministri u ndal edhe tek projektet e tjera hekurudhore që janë në fazë tenderimi, tek linjat Vorë-Hani i Hotit dhe Durrës-Rrogozhinë për të cilat priten të shpallen fituesit brenda vitit.

“Në veri të vendit, linja Vorë-Hani i Hotit është rreth 120 kilometra, po rehabilitohet si pjesë e lidhjes së Shqipërisë me Malin e Zi dhe rrjetin evropian. Projekti është bashkëfinancuar nga EBRD, EIB dhe Bashkimi Evropian, ndërsa vlerësimi i ofertave tashmë është në fazën përfundimtare dhe ne presim për shpalljen e fituesit brenda këtij viti. Po ashtu, në qendër, projekti tjetër Durrës-Rrogozhinë është një tjetër hallkë e rëndësishme e ndërlidhjes hekurudhore. Procesi konkurrues është përmbyllur dhe ne presim po ashtu brenda këtij viti tashmë të kemi të shpallur fituesin dhe pse jo të lidhur kontratën”, tha Karakaçi.

Ndërsa në proces janë edhe disa linja të tjera hekurudhore.

“Po përgatitet edhe projekti Rrogozhinë-Pogradec, që është vijimi i kësaj linje hekurudhore të Korridorit VIII dhe po zhvillohet projekti për rehabilitimin e linjës Rrogozhinë-Fier-Vlorë, së bashku me lidhjen hekurudhore për Aeroportin e Vlorës. Në fokus kemi gjithashtu dhe linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë, të cilën bashkë me Agjencinë Franceze të Zhvillimit po përpiqemi që të bëjmë një projekt të detajuar teknik”, tha Karakaçi.