Qeveria nuk heq dorë nga “FBI”
Braho: Gati Byroja e re e hetimit

Qeveria nuk heq dorë nga “FBI”<br />Braho: Gati Byroja e re e hetimit
TIRANË - Maxhoranca nuk ka ndërmend të heqë dorë nga krijimi i Byrosë kombëtare të hetimit. Madje sipas kryetarit të komisionit të Sigurisë Spartak Braho ligji po punohet duke reflektuar në të vendimin e kushtetueses që e rrëzoi FBI-në shqiptare pak muaj më parë. Në një intervistë për A1 Report Braho jep gjithë detajet e ligjit të ri që do jetë gati në shtator.

...
Shumica e majtë ka nisur punën për të rindërtuar byronë e hetimit që ia rrëzojë pak muaj më parë Gjykata Kushtetuese. E pagëzuar si “FBI-ja shqiptare”, Byroja do të riformulohet duke mos e dubluar prokurorinë e cila me formulën e re do të pyetet dhe do të drejtojë çdo hetim.
 
Detajet e ligjit të ri të përshtatur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për A1 Report i shpjegon kreu i komisionit të sigurisë Spartak Braho.

“E tërë veprimtaria e byrosë kombëtare të hetimit do të trajtohet sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale. Padyshim që do të ketë riformulime dhe rispecifikime më të sakta për të hequr çdo paqartësi që krijohet nga formulimet e para. Është një strukture që do të drejtohet nga pikëpamja administrative nga Policia e Shtetit dhe nga pikëpamja ligjore do të drejtohet nga Prokurori i Përgjithshëm apo prokurorët sipas seksioneve në rrethe. Në sesionin e shtatorit është një ndër ligjet që do të bëhen pjesë e axhendës së Kuvendit”, tha Braho.
 
Po si do të harmonizohet Byroja me kushtetutën dhe të dakordësohen kompetencat e saj me prokurorinë?

“Kjo strukturë do të jetë kombëtare e ndarë në të gjitha degët që ka Ministria e Brendshme në shkallë rrethesh apo qarqesh por të gjitha veprimet hetimore procedurale do të zhvillohen nën drejtimin e prokurorisë, është prokuroria ajo që do të japë leje për gjurmime, për hetime, për investigime”, thotë Braho për A1 Report.

Gjykata Kushtetuese rrëzoi në muajin prill ligjin për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas vendimit të saj disa dispozita të ligjit binin ndesh me kushtetutën e vendit. Ngritja e Byrosë ishte pjesë e ligjit për Policinë e Shtetit.
 
Prononcimi i plotë i Spartak Brahos për A1 Report
Gjykata Kushtetuese nuk ka rrëzuar faktin që Byroja Kombëtare e Hetimit do të ngrihet, ka bërë vërejtje për disa dispozita te ligjit për Policinë e Shtetit, ku parashikohet struktura e Byrosë Kombëtare të hetimit. Për të sqaruar dhe njëherë dua të sqaroj se kjo është një strukturë në varësi të ministrisë së Punëve të Brendshme të Policisë së Shtetit që do të merret me hetimin e disa krimeve në fushën e korrupsionit dhe që të gjitha veprimet e saj do të ndiqen dhe drejtohen nga prokuroria e shtetit. Pra nuk ka dalje, nuk ka një strukturë paralele hetimi, siç u keqkuptua ndoshta edhe në ligj duhet të ishin sqaruar më mirë, por ka një strukturë policore-administrative e cila do të merret me ndjekjen, grumbullimin, me hetimin, investigimin e fakteve që lidhen me veprimtarinë kriminale në fushën e korrupsionit. Theksoj që kjo strukturë do të jetë kombëtare, e ndarë në të tëra degët që ka Ministria e Brendshme në shkallë rrethesh apo qarqesh. Por të gjitha veprimet do të zhvillohen nën drejtimin e prokurorisë, është ajo që do të japë leje për hetime, gjurmime. E tërë veprimtaria do të drejtohet sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale

Kur pritet që ju ta rregulloni atë projektligj të ardhur nga qeveria për të mos rënë me ndesh me atë çka thotë Gjykata Kushtetuese ? 
Besoj shtatori do të jetë një nga ligjet e para që do të bëhet pjesë e axhendës .

Do të rregullohen ato nene që u rrëzuan? 
Padyshim do të ketë riformulime dhe rispecifikime më të sakta për të hequr çdo paqartësi që u krijua nga formulimet e para.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

‘Forca që më ktheu në jetë ishte dashuria’, Jeta e dytë e Genci Fugës

‘Forca që më ktheu në jetë ishte dashuria’, Jeta e dytë e Genci Fugës