Ashtu si shumë qeveri të tjera më parë, edhe Ekzekutivi aktual u ndodh para alternativës të linte zvarrë çështjen e pronave, duke rrezikuar integrimin në BE, apo të hynte në një vorbull pagesash dëmshpërblimi, që do të thante krejtësisht buxhetin e shtetit me shpejtësi të madhe. Por, edhe pritja do të ishte vërtet e rrezikshme tani, kur disa dhjetëra dosje pronarësh po marrin vazhdimisht verdikt pozitiv nga Gjykata e Strasburgut dhe faturat e pagesës së pashmangshme po rriten shumë.
 
Në këto kushte, qeveria shqiptare i hyri një rruge të ndërmjetme, asaj të angazhimit drejt shlyerjes me çdo kusht të pretendimeve të pronarëve, me rrugët e parashikuara edhe nga ligjet e mëparshme, por duke u kapur fort pas rivlerësimit të faturës financiare. Për këtë, u kap pas edhe një klauzole që ishte në dorën e mazhorancës: toka që ka qenë bujqësore, do të paguhet si e tillë, edhe po të jetë aktualisht Brenda vijave të verdha.
 
Teza u kundërshtua edhe nga presidenti i Republikës, që e çoi ligjin në Kushtetuese, por qeveria vijon të ecë përpara, sikur një gjë e tillë të mos kishte ndodhur. Sipas ekspertëve qeveritarë, opsioni është përgatitur në bashkëpunim me të huajt, duke mëshuar më tepër në interesin publik. Edhe FMN e ka theksuar më se një herë rrezikun e madh që i kanoset shtetit shqiptar, qoftë edhe nga pagesa e vendimeve shumëmilionëshe të Gjykatës së Strasburgut, që do të tronditin ekuilibrin makroekonomik. Por e drejta e pronës konsiderohet nga kjo Gjykatë dhe Këshilli i Evropës si e drejtë themelore e njeriut dhe ky Këshill ka deklaruar se do të ndjekë me vëmendje realizimin e procesit.
 
Dy ditë më parë kreu i shtetit, Bujar Nishani, u pa të vizitojë zyrtarisht Strasburgun, ku u takua edhe me kreun e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Besohet se një nga temat e bisedës do të ketë qenë edhe ajo e dosjeve të shqiptarëve atje. Sidoqoftë, qeveria, pavarësisht nga vullneti i mirë për ta zgjidhur sa më drejt çështjen, duhej të kishte pritur më parë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.


Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )