Qeveria përdor fusnotën

Qeveria përdor fusnotën
Fusnota si marrëveshje për prezantimin e Kosovës në takimet rajonale është zhvendosur edhe në takimet e brendshme të Kosovës, të enjten në takimin e nivelit të lartë, ku u prezantua Strategjia e Transportit Multimodal, shkruan “Zëri”.

Në draftdokumentin e kësaj strategjie, Kosova emërtohet me fusnotë, si dhe poshtë këtij emërtimi shpjegohet domethënia e fusnotës. “*Ky përcaktim është pa paragjykim për pozicionet rreth statusit, dhe është në përputhje me UNCHR 1244 dhe opinionit të ICJ mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”.

Duke u ndier të fyer nga kjo paraqitje, të pranishmit thonë se kanë mbetur të befasuar dhe kanë reaguar duke kërkuar sqarime prej zyrtarëve të Qeverisë se si është e mundur që edhe në takimet e brendshme Kosova të prezantohet me fusnotë.

Pal Lekaj, kryetar i komunës së Gjakovës, tha për “Zërin” se kur ka parë dokumentin me fusnotë është habitur, nga fakti se që fusnota përdoret vetëm në takimet rajonale, madje vetëm aty ku janë prezentë përfaqësuesit e Serbisë.

Kështu takimi është kthyer në një debat akuzash, e jo për çfarë ishin mbledhur.

Fusnota ka indinjuar edhe zyrtarët nga partia në pushtet, PDK, në këtë rast, Qemajl Mustafa, kryetar i komunës së Gjilanit.

“Ka qenë një gabim jashtëzakonisht i madh, një fyerje që na është bërë dhe ka zgjuar reagimin e të gjithë kryetarëve të komunave që ishim në takim. Po ashtu shumica e zyrtarëve kanë heshtur duke mos pasur si të arsyetojnë këtë gabim të madh”, tha ai.

Duke mos besuar se një gjë e tillë ka ndodhur vërtet, analistët kosovarë thonë se do të donin të shpresonin “se ka qenë një gabim teknik”.

“Zëri” është përpjekur të kontaktojë edhe me zëvendëskryenegociatoren Edita Tahiri, por ajo nuk është përgjigjur, ndërsa këshilltari i saj, Visar Xani, i ka sugjeruar gazetës që të kontaktojë me ministrinë që ka hartuar strategjinë.

Por, përgjigjes i kanë ikur edhe zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës.

/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë 3 shenjat më ziliqare të horoskopit

Cilat janë 3 shenjat më ziliqare të horoskopit