TIRANË - Ministria e Kulturës ka pezulluar transportimin e ikonave qindra vjeçare të Gjergji Thimios, pasi është konstatuar se nuk ishin garantuar kushtet e përshtatshme për lëvizjen e tyre nga Galeria e Arteve drejt Muzeut Kombëtar. Reagimi i faqes së kryeministrisë Transparenca.al vjen pas lajmit të publikuar në Shqiptarja.com se një pjesë e ikonave të koleksionistit Thimio të cilat prej dy vitesh qëndronin në ambientet e Galerisë në sekuestron e Prokurorisë, u transportuan me furgon policie. Pjesa tjetër e ikonave të mbetura do të transportohet pasi të jenë krijuar mejtet e përshtatshme.
 
"Vetëm me datë 11.11.2015 GKA u njoftua nga Prokurori i çështjes për kryerjen e transportit të veprave të trashëgimisë kulturore më datat 12 dhe 13 nëntor 2015. Në kushtet e kohës tejet të shkurtër, kur ekspertët e trashëgimisë i gjykuan të pamjaftueshme mjetet dhe mënyrat për këtë transport, është urdhëruar pezullimi i lëvizjes së tyre, për të vijuar në ditët në vazhdim konform procedurave përkatëse. Për sa i përket objekteve tashmë të transportuara në MHK, njoftojmë se këto ikona janë sistemuar sipas procedurave nga punonjës të specializuar të fushës në pritje të trajtimit të tyre", thuhet në reagimin e Kryeministrisë.
 
Për transportin e ikonave nga Galeria Kombëtare e Arteve

Në tetor 2013, një sasi e konsiderueshme ikonash të sekuestruara nga Policia e Shtetit në cilësinë e provës materiale, u vendosën përkohësisht në katin e tretë të Galerisë Kombëtare të Arteve (GKA). Këto prova janë ruajtur nga Policia e Shtetit në mjediset e GKA. Gjatë kësaj periudhe, Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore ka inventarizuar ikonat duke i pajisur me pasaportën përkatëse të vlerave kulturore, por në asnjë moment ato nuk kanë kaluar në pronësi të Ministrisë së Kulturës.
 
Duke pasur parasysh se këto objekte ishin të pa trajtuara në momentin e sekuestrimit, qëndrimi i tyre i tejzgjatur në GKA rrezikonte ruajtjen e tyre dhe infektimin e veprave të GKA. Pas dy vite kërkesash nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe Galerisë Kombëtare të Arteve për të bërë të mundur kalimin e ikonave në një ambient më të përshtatshëm për trajtimin dhe ruajtjen e tyre, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë më datë 31.07.2015 ka mundësuar lejimin e kalimit të provave të sekuestruara nga ambientet e GKA te Muzeu Historik Kombëtar.
 
Pasi verifikoi dhe përshtati ambientet pranë MHK ku do të mund të disinfektoheshin, restauroheshin dhe ruheshin objektet pasuri kulturore deri në përfundim të procesit penal, Ministria e Kulturës urdhëroi institucionet e saj të varësisë për koordinimin dhe marrjen e masave të menjëhershme për zbatimin e urdhrit të prokurorit. Në kushtet kur veprat e trashëgimisë kulturore janë prova materiale të sekuestruara, MK nuk mund të organizojë procedurat e transportit të tyre deri në ekzekutimin e vendimit penal të formës së prerë.
 
Vetëm me datë 11.11.2015 GKA u njoftua nga Prokurori i çështjes për kryerjen e transportit të veprave të trashëgimisë kulturore më datat 12 dhe 13 nëntor 2015. Në kushtet e kohës tejet të shkurtër, kur ekspertët e trashëgimisë i gjykuan të pamjaftueshme mjetet dhe mënyrat për këtë transport, është urdhëruar pezullimi i lëvizjes së tyre, për të vijuar në ditët në vazhdim konform procedurave përkatëse. Për sa i përket objekteve tashmë të transportuara në MHK, njoftojmë se këto ikona janë sistemuar sipas procedurave nga punonjës të specializuar të fushës në pritje të trajtimit të tyre.
 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)