Ministria e Financave bëri të ditur sot se do të shesë për herë të parë në histori obligacione me afat maturimi 10-vjeçar. Ky është ankandi i parë me këtë afat maturimi për letrat me vlerë të qeverisë, ndërsa deri tani ishin shitur obligacione me afat nga 2 deri në 7 vjet.
Ministria e Financave njofton se ditën e premte, më datë 25 tetor do të zhvillohen ankandet e obligacioneve dhjetëvjeçare, me kupon (interes) fiks dhe të ndryshueshëm në Bankën e Shqipërisë. Paratë mund të vendosen nga çdo qytetar apo bankë në Bankën e Shqipërisë, por nuk mund të tërhiqen para 10 viteve.
INTERESI FIKS
Shuma e përgjithshme e shpallur është 4 miliardë lekë. Interesi në çdo vit do të jetë i njejtë: 8.70 % në lekë, çka përfaqëson dhe interesin më të lartë të letrave me vlerë. Ai do të paguhet çdo 6 muaj, përkatësisht në datat 29 prill dhe 29 tetor.
INTERESI I LEVIZSHËM
Shuma e përgjithshme e shpallur është 2 miliardë lekë. Interesi do të paguhet nga Ministria e Financave çdo 6 muaj, përkatësisht në datat 29 prill dhe 29 tetor.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)