Qeveria, ”çmim” për birësimin
2 ministra përcaktojnë tarifat

Qeveria, ”çmim” për birësimin<br />2 ministra përcaktojnë tarifat
TIRANE - Qeveria ka vënë ”çmim” edhe për birësimet. Me anë të një Udhëzimi përkatës, të datës 29 prill, ministri i Drejtësisë Eduard Halimi dhe ai i Financave Ridvan Bode kanë përcaktuar tarifat që duhet të paguajnë të interesuarit për të përfituar nga shërbimet e Komitetit Shqiptar të Birësimeve, që u siguron atyre adoptimin e një fëmije.

Ministri i Drejtësisë dhe ministri i Financave udhëzojnë që, për procedurat e birësimit të të miturve nëpërmjet Komitetit Shqiptar të Birësimeve, paguhen tarifa shërbimi, si më poshtë: nga shtetas shqiptarë, 20.000 lekë; birësim me pëlqim, 10.000 lekë.

Në rastin e shtetasve të huaj, tarifa rritet. Për procedurat e kryera nga shtetas të huaj do të kërkohen 1.000 dollarë për shtetasit që vijnë nga vendet jashtë Bashkimit Europian ose 700 euro për shtetasit që vijnë nga vendet e Bashkimit Europian.

Sipas këtij Udhëzimi, tarifa e shërbimit do të paguhet në momentin e miratimit të kërkesës për birësim dhe të ardhurat e siguruara nga tarifat për shërbimet e birësimeve derdhen 100 për qind në Buxhetin e Shtetit.

PROCEDURAT

Në listat e të birësueshmëve, regjistrohen ata të mitur shqiptarë, për të cilët është deklaruar braktisja me një vendim gjyqësor të formës së prerë, është dhënë pëlqimi nga prindërit biologjikë ose është dhënë pëlqimi nga Gjykata për fëmijët që ndodhen në përkujdesje. Kur fëmija ka mbushur moshën 10 vjeç, birësimi kryhet vetëm kur merret mendimi i tij.

Shtetasit shqiptarë, që dëshirojnë të birësojnë fëmijë shqiptarë, mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit të Birësimeve dhe mund të birësojnë vetëm fëmijë, emrat e të cilëve janë në listat e Komitetit.

Shtetasit e huaj mund t'i drejtohen Komitetit vetëm nëpërmjet autoriteteve qendrore kompetente ose agjencive ndërmjetësuese të vendit të tyre, të njohura si të tilla nga Komiteti. Shtetasit e huaj, rezidentë prej dy vjetësh në Republikën e Shqipërisë, mund t'i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit, vetëm nëse legjislacioni i tyre kombëtar e lejon birësimin.

Kurse shtetasit shqiptarë, rezidentë jashtë Republikës së Shqipërisë, mund t'i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit, me kusht që vendimi gjyqësor shqiptar i birësimit të sjellë pasoja juridike në vendin e tyre të rezidencës.

Udhëzimi i i ministrit të Drejtësisë dhe atij të Financave që përcaktojnë tarifat e birësimeve me logo
(Në foto udhëzimi i i ministrit të Drejtësisë dhe atij të Financave që përcaktojnë tarifat e birësimeve)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë