TIRANE - Ministri i Financave Shkëlqim Cani deklaroi se qeveria mund të rishikojë buxhetin e këtij viti, pasi janë shpenzuar vetëm 57 % e tij për investime.
 
Megjithatë ministri tha se vendimi përfundimtar do të merret në fund të muajit dhjetor, duke e konsideruar si një periudhë të vështirë për të marrë vendime në këtë fazë.
 
Kjo pasi gjatë këtij muaji mund të ketë një përshpejtim në kryerjen e investimeve për të ngushtuar mosrealizimin.

“Investimet realizohen me dy mënyra: një janë investimet me kohë,  që paguhen me këste, dhe një tjetër është që realizohet investimi dhe pagesa bëhet në fund. Prandaj ju thashë që  dhjetori,nga tërë analizat që po i bëjmë është një muaj që po na  e vështirëson shumë nëse të do kemi apo jo hapësira për rialokim fondesh. Prandaj duhet të presim deri në fund të vitit, se duket që nuk do të qëndrojnë këto raporte që ju thoni; pra edhe deficiti do të realizohet edhe investimet do të realizohen, kuptohet brenda atyre parametrave që kemi rënë dakord me FMN.” - u shpreh Cani.

Ministri Cani ishte i pranishëm në një aktivitet të organizuar nga Fakulteti i Ekonomikut, ku njohu audiencën me reformat e ndërrmara nga qeveria në 1 vit në fushën e financave. 

Ndërkohë pas përshëndetjes së tij në Konferencë, ministri Cani u pyet nga gazetarët se pse ka mosrealizim të investimeve, duke u përgjigjur se buxheti vjet është miratuar në datën 30 dhjetor, për këtë arsye edeh investimet kanë nisur me vonesë.

Përgjigjja e plotë e Canit për mosrealizimin e investimeve
"Buxheti vjet është miratuar në datën 30 dhjetor. Ju e kuptoni që u desh një tremujor i  tërë për të marrë veten. (Tani që buxheti 2015  u miratua në kohë, natyrisht që është shumë më mirë) Që të fillojnë investimet duhet ta dini se miratohet buxheti si ligj, nxirren një sërë aktesh nënligjore në zbatim të buxhetit, çka e shtyu zbatimin e buxhetit në janar, në shkurt, në mars dhe pikërisht për këtë arsye investimet filluan me vonesë. Pra ishte vetë buxheti 2014 që u miratua me shumë vonesë, për arsye që tashmë janë thënë.

Së dyti ka një problem për investimet: ishim mësuar me traditë, gjithnjë, që buxheti nuk realizohej dhe nuk filllonte kurrë para tremujorit të parë, pra kalonte një tremujor dhe fillonte buxheti, kështu që administrata e mësuar me këtë gjendje kujtonte se do ishte e njëjta histori. Kështu që, së pari filloi me vonesë, pastaj filloi tempi i përshpejtimit dhe u bënë edhe  investime, ndërkohë që u shlyen edhe detyrimet e prapambetura. Mirëpo dhe kjo kërkon një përputhje edhe me likuiditetin, sepse Shqipërisë iu kërkua njëherësh një sasi gati dyfish likuiditet, të cilin për mua që jam bankier, edhe kushdo që ka njohuri nga ekonomia e kupton, se nuk është e lehtë që ta menaxhosh likuiditetin me një të rënë të lapsit.

Ndërkohë procesi është përshpejtuar. Unë besoj që, dhe ne jemi në diskutim akoma, nëse ka nevojë rialokimi të inevestimeve apo jo, për arsye se ka një ecuri goxha të mirë të investimeve në periudhën nëntor-dhjetor. Pra ne jemi në një fazë që duhet të bëjmë një përmbyllje,për të kuptuar më mirë dhe qartë nëse do të lindë nevoja për rialokime apo do të realizohen investimet aty ku janë, gjë për të cilën kuptohet që duhet të presim.” – tha Ministri Cani. 

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)