Gjithashtu qeveria shqiptare gjykon të domosdoshme rishikimin e asistencës se OSBE në drejtim të ecurisë së reformave në vendin tonë, duke vlerësuar gjithnjë e më shume kapacitetet tona të brendshme për të ecur në rrugën e reformave në vend.
“Zhvillimet pozitive të demokracisë shqiptare, rritja e rolit dhe profilit të Shqipërisë në rajon dhe më gjerë, anëtarësimi në NATO dhe marrja e statusit të vendit kandidat në BE, kanë sjellë një ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet tona me OSBE. Shqipëria nuk është vetëm konsumatore e ekspertizës së OSBE, por kontribuon në mënyrë të qenësishme në ruajtjen dhe promovimin e rolit të Organizatës në arkitekturën e sigurisë në Evropë. Parë në këtë këndvështrim, zhvillimet në Shqipëri do të justifikonin ndryshimin e mandatit të pranisë së OSBE në vendin tonë dhe tkurrjen e saj në disa fusha përparësore”- rekomandon zyrtarisht Ministria jonë e Jashtme.
“Ministria e Punëve të Jashtme, e gjykon të domosdoshme rishikimin e asistencës së OSBE në drejtim të ecurisë së reformave në vendin tonë, duke vlerësuar gjithnjë e më shumë kapacitetet tona të brendshme për të ecur në rrugën e reformave në vend”, thuhet ne letren drejtuar ministrive.
Nëpërmjet letrës kërkohen gjithashtu projektet që të gjitha institucionet kanë në proces me OSBE-në, periudha kohore e tyre, koston por edhe nëse ka të tjera institucione kontribuese në to.
Më tej qeveria kërkon ide për realizimin e ndonjë projekti të rëndësishëm me OSBE, por të cilat të mos jenë në vlera të mëdha dhe të jenë për një periudhe afatshkurtër.
Ministria e Jashtme ka kërkuar që ky informacion nga institucionet e tjera shtetërore të vijë brenda datës 23 shtator.
Rekomandimi i Ministrisë së Jashtme vjen pak dite pasi është publikuar raporti konfidencial i OSBE-së, qe implikon zyrtarë të lartë dhe deputetë në afera korruptive, të cilët i kanë vlerësuar informacionet si të pavërteta.
Sipas burimeve nga Ministria e Jashtme për Shqiptarja.com kerkesa per rishikimin e projekteve vjen në kushtet e burimeve të kufizuar që prania e OSBE ka në buxhetin e vitit të ardhshëm për misionet e organizatës përfshi dhe Shqipërinë. Zyrtarë të kësaj ministrie përjashtuan mundësinë që kjo kërkesë të ketë lidhje me një përplasje të mundshme mes këtij institucione dhe OSBE.
(Letra e MPJ dërguar ministrive të tjera)
Buxheti i OSBE për 2015, 2.9 mln euro për Shqipërinë
OSBE financohet nga kontributi i 57 vendeve të saj anëtare. Me anë të këtij kontributi financiar, çdo vit organizata miraton buxhetin e saj të shpenzimeve për të gjitha selitë dhe misionet e OSBE-së në vendet ku vepron.
Kështu buxheti 2015 i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar nga Këshilli i Përhershëm i OSBE-së kap shifrën e 141,107,600 euro. Në tabelën e shpenzimeve misioni i OSBE-së në Shqipëri ka një total shpenzimesh prej 2 milion e 918 mijë euro.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)