Qeveria rrit në fshehtësi me
4.5% pagesën për kontributet

Qeveria rrit në fshehtësi me <br />4.5% pagesën për kontributet
TIRANE - Nga 1 korriku, të punësuarit në sektorin publik dhe atë privat do të paguajnë mesatarisht 4.3 për qind më shumë kontribute për sigurimin e detyrueshëm shoqëror dhe shëndetësor. Kjo rritje është vendosur më 27 qershor të këtij viti dhe nuk është bërë publike më parë, ndërkohë që ka hyrë tashmë në fuqi, pas publikimit të VKM-së nr. 414. Ndërkohë, fshatarët e vetëpunësuar duhet të paguajnë shifra nga 20 deri në 32 për qind më të larta për të përfituar pension dhe sigurime shëndetësore.

PAGAT
Ndryshimi i parë ka të bëjë me pagën minimale dhe maksimale, të pranuara nga shteti për efekt pagese të kontributeve. Ndonëse paga minimale njihet ajo 21 mijë lekë, qeveria pranon një kuotë më të ulët për llogaritjen e detyrimeve, duke qenë se jo të gjithë punojnë me kohë të plotë. Kështu, deri tani paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, nga data 1.7.2011 e deri më 30 qershor 2012, ishte jo më pak se 17.540 lekë, ndërsa paga maksimale mujore njohej ajo në kuotën 87.700 lekë. Me korrigjimin e bërë këtë vit, paga minimale mujore nga data 1.7.2012 e në vazhdim do të jetë jo më pak se 18.295 lekë, ndërsa paga maksimale mujore do të jetë 91.475 lekë.

KONTRIBUTET
Automatikisht, me këtë rritje, qeveria rrit edhe detyrimin për të paguar për pensionet, aksidentet në punë, pagesën e papunësisë, lejen e barrë-lindjes për femrat, etj. Ky detyrim paguhet sëbashku, nga punëdhënësi dhe punëmarrësi, në kuota të caktuara me ligj.
Deri tani për një punonjës shuma minimale mujore e kontributeve, për të gjitha degët e sigurimit, nuk mund të ishte më pak se 4.894 lekë, pavarësisht nga orët apo ditët e punës të realizuara në muajin përkatës. Me ndryshimin e parashikuar në VKM-në e 27 qershorit 2012, shifrat ndryshojnë dhe pagesa minimale mujore nuk mund të jetë më e vogël se 5.104 lekë.
Personat e vetëpunësuar në veprimtari, tregtare apo shërbimi, ambulante, nga data 1.7.2012 e në vazhdim duhet të paguajnë një kontribut minimal prej 2.250 lekësh, nga 1.800 lekë që paguante deri tani. Të vetëpunësuarit në bujqësi duhet derdhin kontribut vjetor për sigurimet shoqërore 27.000 lekë (ishte 21.600 lekë), me një rritje prej 20 përqindësh, me përjashtim të të vetëpunësuarve që banojnë në rrethet: Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, për të cilët masa e kontributit vjetor bëhet 20.400 lekë (ishte 14.040 lekë). Rritja këtu është 32 për qind, 16 herë më i lartë se niveli zyrtar i inflacionit.
Personat mbi 16 vjeç që marrin të ardhura të rregullta nga një pronë e që nuk janë të punësuar diku tjetër, do të paguajnë kontribut vetëm për sigurimin shëndetësor, në masën 7 për qind të pagës mujore minimale. Nuk ndryshon përqindja, por rritet shuma nominale, pasi më parë paguhej 1.228 lekë në muaj, ndërsa tani do të paguajnë 1.281 lekë në muaj.
Paga maksimale duhet të paguajë gati 200 mijë lekë të vjetra në një muaj për të përfituar pension pleqërie.
Sipas VKM, të vetëpunësuarit në bujqësi duhet paguajnë kontributet për sigurimet, shoqërore dhe shëndetësore, për vitin 2012 e në vazhdim, pavarësisht se mund të jenë të pasiguruar për vitet pararendëse. Periudhat, për të cilat nuk janë paguar kontributet, nuk njihen periudha sigurimi.
I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së tij mbi 16 vjeç, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi), duke filluar nga data 1.7.2012 e në vazhdim, do të paguajë një kontribut të detyrueshëm për sigurimet, shoqërore dhe shëndetësore, në masën 30 për qind (23 për qind sigurim shoqëror dhe 7 për qind sigurim shëndetësor) të pagës mujore minimale prej 18 295 lekësh lekësh, të barabartë me 5.488 lekë. Ky detyrim deri tani ka qenë 5.262 lekë.

(gk/ns/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Vrasja e 14 vjeçarit, shtohen efektivët e policisë në të gjithë shkollat e kryeqytetit

Tiranë/ Vrasja e 14 vjeçarit, shtohen efektivët e policisë në të gjithë shkollat e kryeqytetit