Një nismë ligjore nga ana e qeverisë parashikon lehtësimin e procedurave dhe shkurtimin e afateve kohore për kalimin e sipërfaqes së tokave bujqësore në tokë truall për ndërtimin e objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, për struktura apo objekte në funksion të agroturizmit si dhe veprimtari të tjera ekonomike.
Nëpërmjet shtesave dhe ndryshimeve të propozuara në ligjin aktual, do të bëhet e mundur që miratimi i kalimit të tokës bujqësore në kategorinë truall të realizohet në një kohë më të shkurtër, dhe sipërmarrësit të marin më shpejt lejet e ndërtimit për fillimin e investimeve.
Ligji aktual
Ligji nr. 8752, datë 26.3.2001 “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave të administrimit dhe mbrojtjes së tokës”, i ndryshuar, në nenin 11/1 përcakton se miratimi i kalimit të sipërfaqeve të tokës bujqësore që përdoren për ndërtime të natyrave të ndryshme, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Pika 3 e këtij neni, përcakton se për tokat bujqësore të kategorive V-X të bonitetit, ndryshimi në kategori resursesh të tjera si tokë urbane (truall) si dhe për veprimtari minerale dhe gjologjike për gurore e kariera, për sipërfaqe deri në 30 ha bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Po kështu, sipas pikës 5/2 edhe kalimi i sipërfaqes së tokës bujqësore në të gjitha kategoritë e bonitetit, me destinacion ndërtimin e objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Problematika
Në procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit të lëshuar nga institucionet përkatës, të cilat kushtëzohen me miratimin e ndryshimit apo kalimit të sipërfaqes së tokës bujqësore në truall, janë evidentuar vonesa, që lidhen me kohën e miratimit të vendimeve të Këshillit të Ministrave. Këto vendime, propozohen nga ministritë përgjegjëse sipas fushës së veprimtarisë që mbulojnë dhe trajtohen rast pas rasti.
Gjatë dy viteve të fundit, pjesa më e madhe e VKM-ve për sipërfaqet e tokës bujqësore që kalojnë në kategorinë tokë urbane (truall) kanë qenë kryesisht nga 500 m2 deri në 3.500 m2, të cilat përfshijnë ndërtimet për objektet për qëllime bujqësore dhe agroturizmin. Numri i kërkesave për investime të tilla po rritet ndjeshëm, sidomos për shkak të mbështetjes me grante nga programi IPARD II dhe skemave kombëtare në kuadrin e programit për zhvillimin bujqësor dhe rural.
Propozimi
Me qëllim lehtësimin e procedurave dhe shkurtimin e afateve, nga ana e qeverisë propozohet që në pikën 3 të nenit 11/1, parashikohet që miratimi i ndryshimit për sipërfaqet e tokave bujqësore deri në 5 ha që kalojnë në kategorinë tokë urbane (truall), të bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për bujqësinë. I njëjti ndryshim propozohet edhe për pikën 5/2 të këtij neni, por duke përfshirë në tipologjinë e ndërtimeve edhe strukturat/objektet në funksion të zhvillimit të agroturizmit, të cilat nuk janë të parashikuara në ligjin në fuqi.
Me miratimin e këtij projekti, duhet të bëhen më pas edhe ndryshimet e nevojshme lidhur me rregullat dhe procedurat që ndiqen për kalimin e sipërfaqes së tokave bujqësore në tokë truall në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, si VKM nr. 410, datë 27.6.2012 “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave të ndryshimit të kategorive të resurseve të tokës”; VKM nr. 283, datë 1.4.2015 “Për përcaktimin e tipave, rregullave, kritereve dhe procedurave për ndërtimin e objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, në tokë bujqësore”, i ndryshuar dhe VKM nr. 22, datë 12.01.2018 “Për miratimin e kritereve e të procedurave për certifikimin e veprimtarisë së agroturizmit dhe ndërtimin e strukturave/objekteve në funksion të tij”, i ndryshuar.
Kompetenca
Parashikohet që miratimi i ndryshimit për sipërfaqet bujqësore deri në 5 ha që kalojnë në kategorinë tokë urbane (truall), të bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për bujqësinë dhe jo me Vendim të qeverisë
I njëjti ndryshim propozohet duke përfshirë në tipologjinë e ndërtimeve edhe strukturat/objektet në funksion të zhvillimit të agroturizmit, të cilat nuk janë të parashikuara në ligjin në fuqi
Ndryshimi i propozuar për kalimin e tokës bujqësore në truall:
Ishte
Ndryshimi i tokave bujqësore të kategorive nga V deri në X të bonitetit në kategori të resurseve të tjera, si tokë urbane (truall), si dhe për veprimtari minerare e gjeologjike, për gurore e kariera, bëhet si më poshtë: a) për sipërfaqe deri në 30 ha, me vendim të Këshillit të Ministrave; b) për sipërfaqe mbi 30 ha, me ligj të veçantë
Bëhet
a) për sipërfaqe deri në 5 ha, me urdhër të ministrit përgjegjës për bujqësinë”
Shtohet: a/1) për sipërfaqe 5-30 ha, me vendim të Këshillit të Ministrave
Ishte
Në tokat bujqësore, në të gjitha kategoritë e bonitetit, miratimi i kalimit të sipërfaqes për ndërtimin e objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave
Bëhet
Në tokat bujqësore, në të gjithë kategoritë e bonitetit, miratimi i kalimit i kalimit të sipërfaqes për ndërtimin e objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale si dhe të strukturave/objekteve në funksion të agroturizmit, bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për bujqësinë.
Nuk keni turp ore te pafytyrë ? Shqiperia eshte nje vend me toka të bekuara bujqesore ne shekuj dhe ju kerkoni qe te prishen per ndertime? Yyyyyyt qelbësira!
PërgjigjuNë fillim te prishet gjith mutëria qe fshatarët dhunuan tokat bujqesore ne te gjithe republiken duke ndertuar shtepitë e tyre haure bajgash mes arrave qe nga Konispoli ne Vermosh me masakra mjedisore te papara ndonjehere me historine e Shqiperisë, dhe pastaj këto te tjerat!
Përgjigju