TIRANË - Sektori imobiliar në Shqipëri do të përfitojë lehtësi fiskale nga Qeveria.
Zv. Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Brunilda Paskali, e pranishme në konferencën "Real Estate, Promotor i Investimeve në Shqipëri", që u zhvillua në Tiranë, u shpreh se, në bashkëpunim me operatorët e sektorit, qeveria është e gatshme të mbështesë këtë sektor duke ndjekur të njëjtën rrugë si me paketat për fasonët, turizmin apo bujqësinë.
Duke e vlerësur ecurinë dhe kontributin e sektorit imobiliar në vendin tonë, Paskali tha se, rritja e kërkesave për pasuri të paluajtshme në tregun imobiliar vazhdon të pësojë ndryshime në funksion të pritshmërisë së konsumatorëve, gjendjes së tyre ekonomike dhe kontekstit të përgjithshëm social-ekonomik që karakterizon vendin.
Sipas saj, sektorit imobiliar po ndjek një trend zhvillimi që pa dyshim rrit kontributin e saj në ekonominë e vendit. Ndërkohë, që prej së premtes në kryeqytet është çelur panairi i agjencive imobiliare dhe firmave ndërtuese. Në të marrin pjesë 75 kompani ku u diskutua strategjia e zhvillimit të sektorit imobiliar dhe sfidat e së ardhmes së tij. /ATSH/