“Kjo është një ditë e veçantë në fazën e Gazsjellësit Trans-Adriatik (Projektit TAP). Këto vitet e fundit Shqipëria ka dhënë një mbështetje të fortë politike për këtë Projekt kaq strategjik dhe madhor jo vetëm për Shqipërinë, rajonin, por për gjithë Evropën”, -tha ministri Haxhinasto.
“Projekti TAP është një aktor kryesor në krijimin real të Korridorit Jugor të gazit, për të rritur diversifikimin e burimeve të energjisë në Evropë dhe për të rritur sigurinë e energjisë për vendin dhe rajonin”, shtoi ministri.
Sipas Haxhinastyros, me këtë marrëveshje kemi arritur një ndarje të drejtë të përfitimeve dhe përgjegjësive midis TAP-it dhe Shqipërisë. Ai tha se investimi i drejtpërdrejtë nga Konsortiumi TAP për këtë Projekt do të kap shifra mbi 1 miliard dollarë, realizimi i Projektit TAP do të krijojë disa mijëra vende pune në Shqipëri, por mbi të gjitha, realizimi i këtij Projekti do të jetë transformues për Shqipërinë nga ana energjetike.
Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë Trans Adriatic TAP AG, Kjetil Tungland nga ana e tij tha se firmosja e marrëveshjes së sotme ndihmon Shqipërinë në arritjen e synimeve strategjike në lidhje me energjinë, ku u ra dakord gjithashtu që TAP të ofrojë mbështetje teknike dhe ekspertizë për zhvillimin e tregut të gazit në Shqipëri.
Shqipëria me realizimin e Projektit TAP do të shndërrohet në një vend kyç për tregtinë e gazit natyror dhe për sigurinë energjetike të Bashkimit Evropian.
Më 16 janar ekzekutivi shqiptar dha OK për kalimin e tubacionit të këtij gazsjellësi në territorin e Republikës së Shqipërisë. Këtë marrëveshje kompania duhet ta nënshkruajë edhe me Italinë dhe Greqinë, në mënyrë që të bëhet efektive.
MARREVESHJE EDHE ME E-ON Ruhrgas
Fillimisht, Haxhinasto firmosi një Marrëveshje Bashkëpunimi me kompaninë e energjisë gjermane E-ON Ruhrgas (aksioner në projektin TAP) për furnizimin e Shqipërisë me gaz natyror.
Në datën 15 Janar Haxhinasto firmosi marrëveshjen për blerjen e gazit nga kompania zvicerane AXPO, në kuadër të projektit Trans Adriatic Pipeline (TAP). Haxhinasto vlerësoi bashkëpunimin me kompaninë AXPO dhe shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të kurorëzohet me sukses deri në momentin kur konsorciumi i TAP-it dhe qeveritë e vendeve ku do të kalojë gazsjellësi do të konkludojnë me sukses fitoren e këtij projekti të rëndësishëm në pranverë, sivjet.
Me këtë marrëveshje pritet të garantohet furnizimi i tregut shqiptar të energjisë me sasi të konsiderueshme gazi, të cilat arrijnë deri në 250 milion m3/kub në vit si fillim dhe me zgjerimin e tregut të gazit më vonë.
Drejtuesi i Furnizimeve Afatgjata me Gaz & LNG (Liquid Natural Gas), Albrecht Zimmermann, vlerësoi se "nënshkrimi i marrëveshjes është një gur themeli për sigurinë energjetike të Shqipërisë".
Kështu, Shqipëria po përgatitet të krijojë kushtet tregtare për blerjen e gazit natyror për furnizimin e konsumatorëve shqiptarë në kuadër të projektit TAP
(sg/Gre.M/Shqiptarja.com)