Janë zyrtarizuar ndryshimet në kontratën koncesionare të aeroportit Nënë Tereza, menjëherë pasi aksionet e saj u blen nga kompania shqiptare Kastrati Grup. Këto ndryshime ishin të paralajmëruara nga Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila pati deklaruar se shitja e aksioneve ishte mundësi e mirë për ta ndryshuar këtë kontratë që sipas saj kishte probleme.

Kompania shqiptare është e detyruar tashmë ligjërisht që të kryej investime në vlerën e 99.3 milionë eurove, që do konsistojnë në zgjatimin e pistës, përmirësimi i pistës aktuale, zgjerimi i terminalit, përmirësimi i terminalit aktual bashkë me pajisjet e sigurisë, përmirësim i rrethimit ekzistues, ndërtesa e re e zjarrfikses, shtim parkimi, rinovim ndriccimi dhe të tjera.

Nga ana tjetër në kontratën e re janë shtuar edhe disa kërkesa për kostot e biletës.

"Ulja e vlerës ekonomike të biletës për qytetarët që do të fluturojnë nga dhe drejt këtij aeroporti, duke reduktuar tarifat me 20% (për të rriturit) dhe 40% për femijë", thuhet në relacion.

Po ashtu pika tjetër shumë e rëndësishme është shtimi i linjave direkte me shumë shtete që aktualisht nuk janë. Pra fluturime direkt drejt SHBA, DUBAI apo Kinës.

"Shndërrimin e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, që do të operojë avione të kategorisë 4E, një kategori më e lartë se ajo aktuale, duke bërë të mundur për herë të parë lidhjen e drejtpërdrejtë me shtete, të cilat janë konsideruar strategjike për zhvillimin e ekonomisë së vendit" vijon relacioni.

Përballimi i linjave direkte dhe avionëve me kapacitet më të lartë dhe më të mëdha, po bëhet edhe zgjatimi i pistës dhe përmirësimi i asaj aktuale. Kompania ndryshe nga më parë tanimë është e detyruar të vijoj me zgjatimin e pistës dhe bë rast vonese do ketë penalitete.

Ndryshimet e tjera konsistojnë në:

Shtyrjen e afatit të koncesionit nga 22 që ishte në 35 vite. Po ashtu sic ishte paralajmëruar janë vendosur edhe klauzolat penalizuese për mos zbatimin e planit të investimeve.

"Shtimin në marrëveshjen fillestare të klauzolës 4.4.1 mbi bazë të së cilës listohen detyrimet shtesë që merr përsipër shoqëria koncesionare të realizojë në kuadër të planit të saj të investimeve", thuhet në relacionin e projektligjit.

Dhe nëpërmjet ndryshimeve është saktësuar edhe ulja e tarifës së pasagjerëve që do jetë 10 euro për personat mbi 12 vjeç dhe 3 euro për personat nën këtë moshë.

Aksionet e TIA u blenë nga kompania shqiptare për 71 milionë euro.

[Relacioni i plotë për aeroportin Nënë Tereza]