TIRANE - Pas deputetit të PD Mark Marku një tjetër deputet i kësaj force politike Selami Xhepa ngre zërin kundër ndryshimeve në qeveri. I ftuar në emisionin “ 5 Pyetje nga Babaramo” në TV News 24, Xhepa deklaroi se nuk aprovon mënyrën e ndryshimeve në qeveri duke nënvizuar se do ishte e nevojshme një frymë më demokratike brenda partive politike. Xhepa tha se gjykimi kryesor i takon kryeministrit, por shtoi se duhej të kishte ndryshime në shumë sektorë. “Ka një lloj lodhje, një tkurrje në aktivitetin e administratës publike,” tha Xhepa.

Ai tha se publiku do mirëpriste ndryshime më të thella brenda qeverisjes. Sipas Xhepës këto ndryshime duhet të jenë rrënjësore dhe jo rotative. Për të ndërtuar kabinete jo vetëm me një numër të kufizuar personash, por më rotativ që do sillnin frymë të re”,- theksoi Xhepa.

“Demokracia fillon e mbaron tek partitë politike. Partitë nuk kanë arritur të krijojnë mekanizma që të përcjellin frymën nga baza deri në nivelet e larta,” theksoi Xhepa.“Një individ sado inovativ të jetë, lodhet dhe ndryshimi do ishte i dobishëm”-deklaroi deputeti democrat.

Duke iu referuar kritikave më të fundit që deputeti demokrat Mark Maku ka bërë në media, Xhepa thekson se deklaratat e Markut kanë nevojë për një reflektim nga ana e lidershipit të PD, Sali Berisha.(n.s/r.d/shqiptarja.com)