Qipro, shpëtojnë nga taksat
depozitast e VIP-ave shqiptarë

Qipro, shpëtojnë nga taksat <br />depozitast e VIP-ave shqiptarë
NIKOSIAS-  Politikanët dhe biznesmenët shqiptarë që kanë llogari bankare në Qipro shpëtuan nga një taksë e jashtëzakonshme, që parashikohej të vendosej mbi depozitat bankare. Parlamenti vendas hodhi poshtë vendimin e Eurozonës.

Qiproja refuzoi të adoptojë masën e vendosur nga ministrat e Financave të Eurozonës, sipas të cilës do të taksoheshin depozitat bankare të qytetarëve vendas e të huaj. Parlamenti i këtij vendi ka hedhur dje poshtë planin e BE dhe Fondit Monetar për taksimin e detyruar të depozitave bankare, si kusht i domosdoshëm për të përfituar një ndihmë financiare prej 10 miliardë eurosh, që do të shpëtonte vendin nga falimentimi.

Deputetët kanë votuar: 36 kundër dhe 19 abstenime. Edhe partia e presidentit të Republikës Nikos Anastasiadis kishte njoftuar që më parë abstenimin. Sipas analistëve, Qiproja do t’i drejtohet Rusisë për ndihmë. Ka qenë pikërisht ky vendi që u shqetësua më shumë nga taksimi, që do të sekuestronte 2 miliardë euro me prejardhje nga Rusia në Qipro, ku janë depozituar 20 miliardë euro nga qytetarë dhe biznese ruse, duke përfshirë gjigandë të tillë si Gazprom.

Parlamenti i Qipros ka debatuar dje gjatë lidhur me amendimin e një taksë të jashtëzakonshme dhe pa precedent, që parashikon vënien dorë nga shteti mbi depozitat bankare të subjekteve dhe individëve.

Qeveria e Qipros propozoi dje që të shmangeshin depozituesit e vegjël nga një taksë e diferencuar për depozitat e bankave, në një përpjekje të minutës së fundit për të fituar mbështetje parlamentare për paketën shpëtuese ndërkombëtare dhe për të shmangur një falimentim të vendit dhe kolaps bankar. Paketa parashikon vendosjen de facto të një taksimi progresiv, ku barrën kryesore të pagesës ta mbajnë të pasurit.

Sipas agjencisë së lajmeve REUTERS, drafti do të përjashtonte krejtësisht nga taksa e jashtëzakonshme kursimet nën 20.000 euro, do të vendoste një taksë në masën 6.75% për shumat midis 20.000 dhe 100.000 eurove dhe do të caktonte një taksë prej 9.9% për depozitat mbi këtë nivel. Madje, një nga propozimet është që për shumat e larta të përdoret tarifa 12 për qind.
Por, parlamenti ka hedhur poshtë edhe këtë draft.

Masa e propozuar nga BE shqetësoi shumë politikanë apo biznesmenë të mëdhenj shqiptarë, që kishin vendosur në bankat e ishullit, të konsideruar si një “parajsë fiskale”, ndonëse është vend-anëtar i Bashkimit Evropian dhe i eurozonës, depozita të mëdha bankare.

Vërshimi i ditëve të fundit nga Shqipëria i disa dhjetëra mbajtësve të depozitave në bankat qipriote rezultoi i kotë, të paktën tani për tani.

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Bardhi flet për ecurinë e protestës: Do zbatojmë vullnetin e qytetarëve, e kanë ata në dorë! Planin do e bëjmë të ditur hap pas hapi

Bardhi flet për ecurinë e protestës: Do zbatojmë vullnetin e qytetarëve, e kanë ata në dorë! Planin do e bëjmë të ditur hap pas hapi