Qipro, shteti ve dorë mbi depozitat
Sekuestron 10% të llogarive

Qipro, shteti ve dorë mbi depozitat<br />Sekuestron 10% të llogarive
TIRANE - Qiproja ka rënë pre e kaosit, pas një vendimi nga ministrat e Financave të Eurozonës për të kushtëzuar dhënien e një ndihme urgjente prej 10 miliardë eurosh, shpëtimtare për fatet e vendit, në prag falimenti, me vënien dorë mbi llogaritë bankare të qytetarëve vendas e të huaj. Për këtë masë është marrë edhe pëlqimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Vendimi parashikon taksimin e depozitave deri në 10%, në formën e një taksë të jashtëzakonshme. Deri më tani ai ka shkaktuar tërheqje të likuiditetit nga vendasit, por në masë të vogël – vetëm nga bankomatet - pasi ka qenë një ditë pushimi me rastin e një feste fetare dhe bankat ishin të mbyllura.

Ai është pritur nga zemërata e qytetarëve të tjerë europianë që jetojnë apo kanë depozituar në Qipro. Njëkohësisht, vendimi solli zhytje në territor të thellë negativ të tregjeve globale të aksioneve dhe largim të investitorëve nga ekspozimi prej Europës dhe pozicionim në asete të konsideruara “parajsa të sigurisë”, të tilla si dollari amerikan dhe ari.

Por, aktorët e tregut dhe analistët më të njohur në rang global paralajmërojnë se vendimi mund të shkaktojë një largim masiv të depozituesve nga të gjitha bankat e Europës. Ata theksojnë se ky vendim është një precedent i përfshirjes së sektorit privat dhe qytetarëve të ndarjen e barrës së krizës së borxheve sovrane të eurozonës, masë që nuk është marrë asnjëherë deri më tani.
Deri ditën që u shpall masa, autoritetet patën hedhur poshtë në mënyrë kategorike idenë e një takse mbi depozitat, për të shmangur një panik bankar.

Akti nuk mund të hyjë në fuqi pa miratimin e parlamentit të vendit, i cili duket se u la kohë qytetarëve dhe bankave, duke ndaluar hapjen e këtyre të fundit deri ditën e enjte. Në fakt, ai ka përballë një vendim shumë të vështirë për të marrë: depozituesit me më pak se 100 mijë euro në banka do të duhet të paguajnë 6.75 për qind të parave që kanë në llogari dhe ata me më shumë se 100 mijë do të paguajnë 9.9 për qind.

Por, pavarësisht se vendimi nuk është kthyer në fakt, bankat njoftuan se depozituesit tashmë janë taksuar dhe se mund të tërheqin të gjitha paratë e veta, me përjashtim të taksës. Këtu përfshihen edhe transfertat elektronike të parave.

Një britanik që jeton në Qipro deklaroi se kjo që ndodhi është një “grabitje” dhe se BE duhet ta ndalojë. “Ne vijmë këtu për të shijuar pensionin dhe ata thonë se jemi përgjegjës për falimentimin e bankave. Kjo nuk ka kuptim”.

Ministri i Financave të Qipros deklaroi në Bruksel: “Do të desha të mos isha ministri që e bëri këtë gjë. Por, shumë më tepër para do të humbeshin nga sistemi bankar në rast falimenti të bankave apo të vendit”, tha ai.

Përveç prekjes së depozitave, Qipros i është kërkuar të ulë deficitin, të reduktojë sektorin e vet bankar dhe të rrisë taksat. Për herë të parë, një shpëtim financiar në Eurozonë përfshin edhe një klauzolë ku individët dhe kompanitë që kanë depozita në banka, do të humbasin një pjesë të tyre.

Bankat e Qipros qenë shumë të ekspozuara ndaj Greqisë, e cila nga ana e saj ka marrë shpëtim financiar të stërmadh dy herë. Por Athinës nuk i është kërkuar kurrë një masë e tillë për të sekuestruar paratë nga bankat

BE SEKUESTROI 2 MILIARDË EURO TË QYTETARËVE RUSË

Aktualisht, me bllokimin e kryer nga Brukseli për llogaritë bankare të të gjithë personave, vendas e të huaj, Bashkimi Evropian ka vënë dorë njëherazi mbi rreth 2 miliardë euro depozita të qytetarëve rusë në këtë ishull. Duke shfrytëzuar faktin që Qiproja është e vetmja ”parajsë fiskale” de facto në BE, shumë manjatë nga ai vend kanë strehuar paratë e tyre në bankat qipriote.

Qiproja është kritikuar shumë herë nga Eurozona për moszbatim të rregullave financiare të luftës kundër pastrimit të parave, por ka vazhduar rrugën e vet. Kjo sigurisht ka bërë që, ndryshe nga rasti i Greqisë, qeverisë së këtij vendi t’i kërkohet bllokim parash dhe mendohet që më pas do të ketë verifikime për pastërtinë e tyre. Këtë vendim dje e kritikoi presidenti rus Vladimir Putin.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Bardhi flet për ecurinë e protestës: Do zbatojmë vullnetin e qytetarëve, e kanë ata në dorë! Planin do e bëjmë të ditur hap pas hapi

Bardhi flet për ecurinë e protestës: Do zbatojmë vullnetin e qytetarëve, e kanë ata në dorë! Planin do e bëjmë të ditur hap pas hapi