Qosja: Ja pse refuzoj të përfshihem
në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës

Qosja: Ja pse refuzoj të përfshihem<br />në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës
PRISHTINË- Akademiku Rexhep Qosja ka refuzuar të përfshihet në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës që do ta hartojë ASHAK-u. Në një letër të dërguar Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Qosja thotë se ky Fjalor, me konceptin dhe me përmbajtjen e tij është vepër partiake e LDK-së. Letrën e ka bërë publike gazeta “Express”

Ja letra e plotë e Qoses:

AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E KOSOVËS

Sekretarit të administratës


Me këtë shkresë kërkoj që Redaksinë e Fjalorit Enciklopedik e, përmes saj, edhe Akademinë ta bëni me dije për sa vijon: Refuzoj të përfshihem në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës që do ta hartojë ASHAK-u. Arsyet e refuzimit janë këto:

1. Siç shihet prej përmbajtjes së Fjalësit të tij, me gjithë arsyetimin e rrejshëm të shprehur në Parathënie, se Fjalori i ardhshëm Enciklopedik nuk cenon tërësinë e botës shqiptare, në këtë Fjalor në të vërtetë cenohet plotësisht dhe qëllimisht njësia e historisë, e gjeografisë, e kulturës dhe e qytetërimit shqiptar: e historisë politike, e arteve, e shkencave, e traditës dhe e jetës kombëtare në përgjithësi.

Në këtë mënyrë Fjalori në fjalë bëhet përmbushje “shkencore” e konceptit serb mbi ndarjen e Kombit shqiptar në dy kombe: në kombin e shqiptarëve të Shqipërisë të quajtur albanci dhe të kombit të shqiptarëve të Kosovës dhe të Jugosllavisë në përgjithësi të quajtur shiptari ose shiftari. Cenimi i këtillë i njësisë së Kombit shqiptar e bën Fjalorin në fjalë vepër antikombëtare që komprometon vetëdijen historike, shkencore dhe kombëtare të shqiptarëve në përgjithësi.

2. Fjalësi i këtij Fjalori të ashtuquajtur enciklopedik me konceptin dhe me permbajtjen e tij është vepër partiake – e LDK-së, që e shpërdoron Akademinë për interesa dhe koncepte të veta tash e sa vjet!

3. Në Fjalësin e këtij Fjalori shihet se redaksitë e ndryshme të tij janë të përbëra, në të shumtën e rasteve, prej njerëzve që nuk mund të quhen kompetentë për fushat që mbulojnë, kurse në mënyrë fanatike janë shpërfillur njerëzit më kompetentë që shumë më mirë do të mund t’i mbulonin ato fusha.

4. Në Fjalësin e Fjalorit në fjalë, po ashtu, shihet se në Fjalorin e ashtuquajtur Enciklopedik përfshihen edhe emrat e fëmijëve, të etërve, të vjehrrive dhe të miqve të anëtarëve të Bordit, të Këshillit, të Redaksisë së ashtuquajtur Qendrore dhe të Redaksive të fushave të ndryshme të fjalorit.

Kjo e bën Fjalorin vepër pseudoshkencore me ngjyresa të forta lokale, partiake, klanore, familjare, ku krahas atyre që meritojnë të jenë në të do të “përjetësohen” emrat e shumë individëve që s’përfaqësojnë asgjë, ama bash asgjë, në historinë, në artet, në shkencat, në arsimin, në politikën a në fushat e tjera të jetës kombëtare shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës.

Prishtinë, më 28.3.2014 Rexhep Qosja

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

NBA/ LeBron fiton 'betejën' me Curry-n, mposhten kampionët e Boston

NBA/ LeBron fiton 'betejën' me Curry-n, mposhten kampionët e Boston