QSUT, aparat që mat
qelizat kancerogjene

QSUT, aparat që mat<br />qelizat kancerogjene
TIRANE- Pacientët tashmë do të kenë mundësinë që me anë të një analize të thjeshtë gjaku të shohin nëse kanë qeliza kancerogjene në trupin e tyre dhe kujt lloji tumori i përkasin. Kjo është bërë e mundur falë vendosjes në punë të aparatit “Arkitekt i 2000: ku vetëm gjatë ditës së djeshme janë realizuar 35 teste dhe të gjitha kanë rezultuar pozitive, ku më së shumti i përkisnin kancerit të gjirit dhe atij të prostatës. Kjo tregon se sëmundja e kancerit po përhapet me shpejtësi në vendin tonë për shkak të një sërë faktorësh që ndikojnë, si duhanpirja dhe alkooli në nivele të larta, ndotja e mjedisit, kequshqyerja e të tjera.

Në vit numërohen rreth 3500 - 4000 raste me kancer të mushkërive, zorrëve, prostatës, me kancer të qafës së mitrës, kancer të gjirit dhe të tjera. “Situata vjen në përkeqësim në kuptimin e rritjes së rasteve të sëmundjes. Në kemi çdo vit 3500-4000 raste. Po ta krahasojmë me 10 vjet më parë situata është përkeqësuar shumë.”- deklaroi Beqaj. Por ndërkohë mjekët onkologë mendojnë se situata është edhe më e rëndë pasi numri i personave të padiagnostikuar është më i madh, si dhe këtu nuk përfshihen rastet që diagnostikohen në spitale private. “Nga të dhënat rezulton se kemi rreth 7 mijë raste të pacientëve me tumore, nga të cilët 1200 prej tyre paraqiten tek mjeku në gjendje të rëndë. Ndërkohë që rreth 40 % e këtyre e rasteve i përkasin Tiranës” ka pohuar mjeku onkolog Henrik Zotaj.

Duke parë këtë situatë Ministria e Shëndetësisë ka rikthyer në punë aparatin që do të bëjë matjen e qelizave në mënyrë që rastet të diagnostikohen më herët në kohë. “Është një analizë e domosdoshme, jo vetëm për diagnostikim, por edhe për ndjekjen e terapisë dhe në raste të mira edhe për shërimin e sëmundjes. Ka qenë një analizë që është bërë deri para disa kohësh. Për një periudhë jo të shkurtër nuk bëhej. Falë edhe ndihmës bujare të një prej bankave të nivelit të dytë kemi një pajisje të re dhe do ta garantojmë edhe funksionimin e përditshëm dhe normal të kësaj pajisje për të dhënë një kujdesje shumë të mirë për këto sëmundje, të cilat në vitet e fundit e kanë rritur shumë incidencën e tyre", tha ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Nga ana tjetër, shefi i laboratorit Ndok Marku thekson se duhen edhe një sërë reagentësh  të tjerë në mënyrë që ky laborator të punojë me funksion të plotë. "Për analizat bazë rutinë më të domosdoshme ne kemi punuar gjithnjë. Aktualisht presim të na vijnë edhe hormonet me buxhetin e ri. Gjërat kanë ecur përpara, besoj që shumë shpejt do të futen edhe ato që për momentin mungojnë", tha Marku. Në Shqipëri numërohen rreth 44 lloje të tumoreve.

Faktorët
Stresi, alkooli e duhani shkak për sëmundjen  
 
Mjekët onkologë theksojnë se janë një sërë faktorësh të cilët ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes së kancerit. Kështu pirja e duhanit është shkak për 5 % të rasteve të pacientëve të cilët preken nga kanceri i mushkërive. Ndërkohë që infeksionet e ndryshme janë shkak për një sërë tumoresh, si për shembull hepatitet për cirrozë të mëlçisë apo HPV shkak për kancerin e qafës së mitrës. Edhe konsumimi i alkoolit bëhet shkak për sëmundjet tumorale duke sjellë dëmtime në ezofag dhe në mëlçi. Por ajo që theksojnë mjekët onkologë është se edhe mënyra e të ushqyerit dhe stresi i zgjatur janë faktorë ndikues për shpërthimin e kancerit. Po kështu edhe rrezatimi është një faktor që sjell kancerin në lëkurë.
 
OBSH, tumori vrasësi i njerëzimit
 Sëmundjet tumorale janë kthyer në vrasësin më të madh të njerëzimit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nëse aktualisht kemi 14 milionë persona të prekur në vit nga tumoret, deri në vitin 2030, vendet në zhvillim do të mbartin barrën e gati 21.4 milionë rasteve të reja me kancer në vit. Ndërsa në vendin tonë kjo shifër është rreth 6500 raste të reja në vit. Kostoja e kancerit është vlerësuar të arrijë 458 bilionë dollarë në vit në 2030. OBSH vlerëson se një paketë bazë e strategjive kosto-efektive, duke adresuar faktorët e përbashkët të rrezikut të kancerit (përdorimi i duhanit, alkoolit, dieta jo e shëndetshme dhe pasiviteti fizik ) do të kushtojë vetëm 2 miliardë dollarë në vit.


Shkrimi u publikua sot (05.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Venezuelë/ Protesta të dhunshme kundër fitores së Maduros! Opozita: Gonzalez mori 73% të votave, zgjedhjet u manipuluan

Venezuelë/ Protesta të dhunshme kundër fitores së Maduros! Opozita: Gonzalez mori 73% të votave, zgjedhjet u manipuluan