QSUT, familjarët e
pacientëve vizita me ora

QSUT, familjarët e<br />pacientëve vizita me ora
TIRANE- Familjarët e pacientëve të shtruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk do të mund të hyjnë në pavijone në çdo orë të mundshme të ditës apo natës. Ky është urdhri më i fundit i marrë nga drejtoria e këtij institucioni, urdhër i cili shkon në mbrojtje të pacientit nga mikrobet dhe viruset që mund të transportohen nga vizitat e familjarëve. “Orari i vizitave pranë shërbimeve të QSUT-së do të jetë i unifikuar veçanërisht në shërbimet e Onkohematologjisë dhe Onkologjisë ku trajtohen sëmundje si leucemitë, llojet e ndryshme të kancerit, nëpërmjet kimioterapisë dhe rrezatimit”, thuhet në urdhrin e QSUT-së.

Kjo masë është marrë pasi gjatë vizitave në spitale, familjarët (pa dashur) bëhen transportues të mikroorganizmave të bartur nga të afërmit e sëmurë që trajtohen në shërbimet e QSUT, dhe për pasojë ndikojnë në përhapjen e infeksioneve të ndryshme tek të afërmit e tjerë që jetojnë në komunitet. Për këtë arsye orari i vizitave të familjarëve do të jetë nga ora 17.00 deri në 19.00 përgjatë gjithë javës, kurse në fundjave orari i vizitave do të jetë edhe paradite. Kështu gjatë ditëve të shtuna dhe të diela familjarët do të kenë mundësi të vizitojnë të afërmit e tyre përgjatë orarit 10.00 deri në 12.00.

Por vendosja e orarit të vizitave për familjarët pritet të sjellë edhe ulje të shpenzimeve të trajtimit spitalor nëpërmjet parandalimit të infeksioneve nozokomiale për të sëmurët e operuar në shërbimet kirurgjikale të QSUT. “Respektimi i qetësisë së të sëmurëve aq të domosdoshme për përmirësimin e shpejtë të gjendjes së tyre shëndetësore arrihet duke shmangur bisedat e panevojshme dhe vizitat e shpeshta” thuhet një urdhrin e bërë publik nga QSUT.

Ndërkohë që kjo masë e marrë parashikon edhe ruajtje me rreptësi e parametrave të higjienës dhe asepsisë për parandalimin e infeksioneve në mjediset spitalore si dhe parandalim ose ulje të numrit të qytetarëve që mund të preken nga përhapja e infeksioneve të mundshme virale. Nga ana tjetër frekuentimi i këtyre ambienteve nga familjarët e pacientëve do të thotë parandalim i përhapjes dhe prekjes nga sëmundje infektive si : gripi i derrit, hepatiteve, dizenterisë apo malaries, sëmundje të cilat kanë qenë prezente gjatë kohëve të fundit në vendin tonë. Jashtë këtyre orareve do të kenë mundësi të hyjnë vetëm nënat për fëmijët e shtruar në pavijone të ndryshme të cilët kanë nevojë për praninë e tyre.

Orari i vizitave gjatë javës do të jetë :
 
• E hënë – E premte ora 17:00 – 19:00
 
• E shtunë – E dielë ora 10:00 – 12:00
                     ora 17:00 – 19:00

 
Shkrimi u publikua sot (07.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Kosova jashtë agjendës së takimit të KE, Hasani: Mundësi e humbur

Kosova jashtë agjendës së takimit të KE, Hasani: Mundësi e humbur