QSUT, Ikin mjekët: Të
sëmurët mbeten pa kobalt

QSUT, Ikin mjekët: Të<br />sëmurët mbeten pa kobalt
TIRANE - Për të bërë një terapi të kobaltit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza’, duhet të shkosh disa herë, pasi herën e parë asnjëherë nuk mbaron punë. Arsyen se përse duhet të vijnë disa herë për të bërë një terapi, pacientët asnjëherë nuk e kanë kuptuar. Aparatura e kobaltit ndodhet vetëm në spitalin Onkologjik në QSUT, ndërsa në rrethe ai nuk është fare. Pacientët janë të detyruar të bëjnë kilometra të tëra për një terapi, ndërsa rezultati i saj është kthim prapa pa përfunduar punë.

Por veç kësaj pacientët shprehen se edhe mjekët nuk kanë një orar. Ata vijnë dhe ikin kur të duan. “Unë kam një javë që vij këtu përditë. Dhe gjatë gjithë kësaj jave nuk i kam marrë vesh oraret e mjekëve. Vijnë dhe ikin kur të duan, duke i lënë njerëzit të presin edhe më shumë se dy-tre orë. Edhe nëse u kërkon njeri llogari, i thonë të presë në rradhë si gjithë të tjerët" shprehet një pacient. Ai më tej thotë se aparatura e kobaltit nuk funksionon gjatë gjithë ditës por vetëm deri në drekë, pastaj askush nuk është aty.

“Deri në drekë punojnë, pastaj të thonë hajde nesër, hajde pasnesër. Kam një javë që vij këtu dhe ende nuk kam mbaruar punë. Shpresoj që të mbaroj nesër” shprehet pacienti. Por ka edhe nga ata pacientë që për të marrë mjekimin e duhur kanë bërë kilometra të tëra dhe nuk kanë mbaruar punë. “Unë vij nga Korça dhe kam tre ditë rresht që vij këtu, dhe nuk kam mbaruar punë ende. Njëherë më thonë ka rradhë prit, pastaj ikin fare. Herën tjetër të nxjerrin probleme me dokumentat dhe kështu na ikin ditët ne. Po këta harrojnë që sëmundja jonë përparon në çdo sekondë” thotë një nga pacientët.

Problemet me pritjen dhe rradhët e gjata nuk janë vetëm për këtë pavion, pasi gjendja është thuajse e njëjtë edhe në disa pavione të tjera. Madje rradhët e gjata janë bërë edhe shkak konfrontimesh fizike, si rasti i ndodhur para disa ditësh midis rojes së Onkologjikut dhe familjarëve të një pacienteje nga Fieri. Mjekët nga ana e tyre e justifikojnë vonesën me arsyetimin se aparati i kobaltit ka një numër të kufizuar për një ditë pune dhe ata nuk kanë çfarë të bëjnë.

Por pacientët dhe familjarët që presin në rradhë nuk mendojnë kështu. Ata thonë se mjekët bëjnë një përzgjedhje të personave që fusin në bazë të njohjeve apo edhe të rryshfeteve. I tillë është rasti i një të moshuari nga Elbasani i cili pret rradhën bashkë me familjarët e tij prej më shumë se 2 orësh. “Isha ndër të parët që po pres rradhën dhe ende nuk jam futur. Doktori ka futur shumë njerëz të tjerë para meje të cilët as nuk po prisnin në rradhë apo sa kishin ardhur.

Këta i fusin me njofje apo me ndonjë 10 mijë lekësh nën dorë, ndërsa ne që s’kemi lekë tu japim na lënë të presim gjithë ditën. Këta nuk janë mjekë, por matrapazë” thotë i indinjuar i moshuari. Kobalti është aparatura që kryen procesin e rrezatimit për të sëmurët me kancer. Aparatura e kobaltit mund të përballojë deri në 120 pacientë në ditë duke punuar nga ora 7:00 e mëngjesit deri në 22:00 të mbrëmjes.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit