QSUT në "ethe" për drejtorin e ri
ja emrat e kandidatëve në rivalitet

QSUT në ja emrat e kandidatëve në rivalitet">
TIRANE - Ethet e kreut të ri që do t’i drejtojë kanë përfshirë 1400 mjekët e Qendrës më të madhe universitare spitalore në vend, asaj “Nënë Tereza”. Në korridore, në kafene, por edhe teksa ulen në dhomën e mjekut për t’u konsultuar për diagnozat e pacientëve, kryefjala e çdo bisede me njëri-tjetrin është emri i ri i drejtorit të QSUT. Dhe nuk janë të paktë ata që deri më tani u ka dalë emri si ‘drejtorë’ të mundshëm të QSUT-së.

TË PËRFOLURIT

Duke u nisur nga fakti se 4 vitet e fundit të qeverisjes Berisha, Minstria e Shëndetësisë është mbajtur nga LSI dhe rrjedhimisht edhe QSUT është drejtuar nga njerëz të LSI, edhe këtë herë shumica e emrave që përfliten vijnë pikërisht nga kjo forcë politike.  Në krye të listës është kardiologu i njohur Petrit Vargu, i cili jo rrallë here ka bërë publike problemet e shumta të QSUT-së, ndërsa aktualisht është edhe anëtar i këshillit bashkiak të Tiranës për LSI.

Po ashtu një emër tjetër mjaft i përfolur dhe që i njeh mirë politikat e shëndetësisë është mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, i cili ka mbajtuar për thuajse katër vite me radhë postin e drejtorit të përgjithshëm të politikave në ministrinë e Shëndetësisë, post nga i cili dha dorëheqjen në muajin prill të këtij viti, pas prishjes së aleancës së LSI-së me PD-në. Emri i mjekut Pipero në fakt nuk është hera e parë që përflitet se mund t’i jepet posti i kreut të QSUT-së.

Një emër tjetër mjaft i njohur i kardiologjisë në QSUT, përflitet si personi i duhur që mund t’i besohet drejtimi i “Nënë Terezës”. Bëhet fjalë pikërisht për dr. Mihal Tase, i cili ka qenë edhe më parë, gjatë qeverisjes socialiste të fundit, në krye të Qendrës Universitare Spitalore “Nënë Tereza”. Po ashtu në korridoret e QSUT-së, po përflitet gjithnjë e më shumë edhe emri i Astrit Becit, mjek me profesion, i cili ka qenë deputet i Partisë Socialiste për qarkun e Shkodrës. 

Në listën e gjatë të emrave për drejtorin e mundshmë të QSUT-së, përflitet edhe Denion Shëngjergji, i cili më parë ka mbajtur postin e drejtorit të spitalit të burgut në Durrës. Megjithatë të gjithë i kanë pushtuar ethet e kreut të ri të QSUT-së. Disa janë thjesht kuriozë të dinë se kush do t’i drejtojë, e të tjerë, më tepër në rangun e administratës, si sanitarë, shoferë apo pastrues kanë edhe frikën e vendit të punës.

MJEKËAPO MENAXHERË

Ajo që konstatohet, së paku nga lista e emrave që përflitet deri më tani, është fakti se të gjithë vijnë nga fusha e mjekësisë. Duket se nisma e disa viteve më parë të qeverisë Berisha, se në krye të spitaleve duhet të vihen menaxherë të mirë, për të shmangur kështu keqmenaxhimin, nuk ka gjetur mbështetje edhe nga socialistët.

Duket se socialistët kanë më shumë besim se janë mjekët ata që mund ta drejtojnë më mirë një spital, pasi ata njohin edhe ‘ku pikon çatia’, edhe urgjencën e çdo situate, se sa ata që janë diplomuar për ekonomi, por që nuk kanë asnjë njohuri për mjekësinë. Megjithatë për të mësuar emrin zyrtar se kujt do t’ia besojë drejtimin e QSUT-së, ministri i ri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, do të pritet me sa duket fundi i muajit shtator, pasi qeveria e re të jetë mbledhur dhe dekretuar.

DREJTORËT E QSUT E QEVERISJES DEMOKRATIKE 

■ 2005-2007 Paskal Cullufi
■ 2007-2008 Mati Pepa
■ 2008-2009 Gjeorgjina Kuli
■ 2009-2010 Ilir Dashi
■ 2010-2012 Saimir Ivziku
■ 2012-2013 Edmond Rrushi
■ Prill 2013 Helidon Bushati

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.09.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Mandati i ri i Putinit, një epokë me fuqi të jashtëzakonshme

Mandati i ri i Putinit, një epokë me fuqi të jashtëzakonshme