Skandali i ndërprerjes së energjisë elektrike në QSUT dhe dështimi i pajisjeve rezervë kanë vënë në lëvizje Ministrinë e Shëndetësisë, së cilës, kontrata e mirëmbajtjes së gjeneratorëve me kompaninë private i ka përfunduar që në tetor të vitit të kaluar.
Pas gati 4 muajsh pa shërbim të mirëmbajtjes së gjeneratorëve në QSUT, qeveria po bën gati garën për tenderin e ri.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka parashikuar një garë për “mirëmbajtjen e impianteve elektrike për Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’.
Por pavarësisht emergjencës së krijuar pak javë më parë, tenderi është parashikuar për t’u hapur në prill të këtij viti dhe është me fond limit 150 mijë euro. Objekt i tenderit është ofrimi i shërbimeve të riparimit për sistemet elektrike si dhe ndërhyrje për mirëmbajtjen dhe riparimin e impianteve përkatëse.
Të 17 motogjeneratorët që mbulojnë të gjitha godinat spitalore të qendrës universitare “Nënë Tereza”, aktualisht janë pa shërbim mirëmbajtjeje.
Ministria e Shëndetësisë duket se është vënë në lëvizje edhe për një tjetër problematikë të ndjeshme që lidhet me pacientët që vuajnë nga kanceri. Jo pak herë pajisjet jetike për trajtimin e sëmundjeve tumorale nuk kanë funksionuar në QSUT për shkak të mungesës së shërbimeve dhe ndërhyrjeve teknike.
Të dy akseleratorët, here pas here pësojnë defekt për arsye teknike. Edhe për këtë situatë, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka përfshirë në kalendarin e tenderave procedurën e prokurimit për “zëvendësimin e disa pjesëve përbërëse të akseleratorëve linearë në PAI-n Onkologjik”.
Fondi limit i kësaj procedure kap vlerën e rreth 500 mijë eurove dhe përfshin shërbime të lidhura me softëare, instalime hardëare, shërbime instalimi të pajisjeve të radioterapisë, si dhe paketa mjekësore apo teknike për industri specifike. Megjithatë, pavarësisht se bëhet fjalë për një tender që lidhet drejtpërdrejt me jetën e pacientëve, gara është planifikuar të hapet në muajin dhjetor të këtij viti. Deri në përfundimin e të gjitha procedurave dhe shpalljen e fituesve, zbatimi real i kontratës pritet të nisë minimalisht nga viti i ardhshëm.
Komente











