TIRANE - Një video amatore, e filmuar nga një prind që ka shtruar fëmijën e tij aty, tregon qartë gjendjen e spitalit të Pediatrisë. Në repartin e Reanimacionit, ku shtrohen të vegjlit në gjendje më të rëndë dhe ku kërkohen kushtet maksimale të higjienës, këto të fundit duket se mungojnë totalisht.

Dhe pse jemi në stinën e verës, ku prej kohësh mungojnë reshjet e shiut, tavani i Reanimacionit në Pediatri pikon ujë. Korridori ku presin të afërmit e fëmijëve është i mbushur me kova apo enë të tjera për të mbajtur ujin që pikon.

Në këto ditë ditë të nxehta dielli përvëlon dhe nuk ka gjurmë shiu, por se nga vjen uji duket se nuk është e vështirë të kuptohet. Tubacionet mund të jenë problemi, por në rastin më të keq, mund të bëhet fjalë edhe për ato të ujërave të zeza. Kjo do të ishte akoma më e rëndë, për më tepër kur bëhet fjalë për një spital fëmijësh e sidomos për repartin e Reanimacionit.

Për gjendjen në të cilat dergjen spitalet tona foli sot gjatë një intervistë në TV A1Report edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani. “Shërbimi spitalor në vendin tonë lë për të dëshiruar”, tha ai. Sipas Totozanit, “ka mungesë të theksuar medikamentesh , infrastruktura spitalore nuk është në nivelin e duhur dhe kjo përbën problem shqetësues”.

Avokati i Popullit gjithsesi theksoi se në spitalet tona nuk mungojnë profesionistët e kualifikuar. “Në spitalet shqiptare mund të them fjalë të mira vetëm për një pjesë të stafit të cilët janë të përkushtuar dhe të motivuar, ndërsa sa i përket pjesës tjetër gjithçka ka nevojë për përmirësim”.