Nuk mund ta hapësh televizorin e të mos i shohësh ata, që janë njëmijë, e që pa u hamendësuar as edhe për një çast e sheh se janë mjerimi ynë. Një armatë njerëzish të padijshëm, rrenacakë e hipokritë. Që i thurin ode dhe kaside vetes dhe lavdisë së rreme që kanë. Që paguajnë “pevaçica” t’iu thurin këngë të tipit “ma ke kry fakultetin e mjekësisë/për me i dalë përballë Serbisë”, ose të tjerë që shndërrohen në hamallë, vetëm për një grusht kokrra që sjellin pushtet!

Me fare pak përjashtime, një grumbull kandidatësh, që nuk dinë të flasin shqip, që nuk dinë ç‘është retorika as fjalimi politik e që në jetën e tyre asnjëherë nuk e kanë dëgjuar se ç’është stilistika, me kandidatë që në tërësinë e fjalëve që dinë i kanë nja 500 sosh, të cilat i mbllaçitin nëpër gojë, e që bërtasin përpara turmës “inerte” të njerëzve të kontraktuar e të medias së paguar!

Që nuk ia huqin asnjëherë për ta ngatërruar kontekstin me kontest, konfesionin me konfeksion e fjalë të tjera deri në pakufi dhe gjithmonë në fund, si për t’ia dhënë vulën, e trashin zërin dhe thonë “normalitikisht” unë do të fitoj! Kjo është fushata e “mjerimit politik”.

Nuk mund ta hapësh televizorin, e të mos i shohësh “qukapikët e fushatës”, se si shndërrohen në “narcisoidë të pafytyrë”, ose rrjetet sociale, e të mos i shohësh ata dhe ato me “surratin” fals dhe më një numër përmbi “o gra dhe burra-ni-unë jam qeky”! Gjatë këtij tetori, është iluzion të kujtosh se nuk do të përballesh me përfaqësuesit e mjerimit politik, që dhunshëm po hyjnë në jetën e këtij populli, me një stil e me një gjuhë qukapiku, thua se kafkat i kemi nga çeliku.

Mund të jetë krejtësisht legjitime që diskursi politik të jetë një sëpatë e pamëshirë, qoftë edhe kur pretendohet të jetë e veshur edhe me ar, edhe atëherë kur shkatërron, edhe kur analizon, edhe kur premton. Siç është krejtësisht legjitime, e drejta e secilit në besueshmërinë o në refuzimin e tij.

Fjalimet politike janë ato që i takojnë stilit publicistik. Stili dhe gjuha publicistike është e njohur për funksionin e saj eksplicit pragmatik të “shpëlarjes së trurit” me orientim ndikimin e palës tjetër. Qëllimi i çdo “speechmaker” është që të shkaktojë te i adresuari i tij pranimin e qëndrimit të shprehur, jo thjesht nëpërmjet argumentimit logjik, aq sa nëpërmjet apelimit emocional. Qëllimi më i qartë i oratorisë është bindja, dhe kjo kërkon elokuencën. Por, oratoria dhe elokuenca e kandidatëve komunalë, poshtë e lart kilometrave të Kosovës, të bën shpesh të vjellësh mbi ta, mbase me fare pak përjashtime. “Speechmaker-it” e Kosovës, sidomos ata pak më larg kryeqendrës ngjajnë në folës të pashkollë, të padije e të pashije.

Politikanët nëpër kohë dhe nëpër moshat e veta kanë mbërritur sukses falë përdorimit të aftë të retorikës së tyre, me të cilën synojnë të bindin publikun për vlefshmërinë e pikëpamjeve që kanë, me përdorim të kujdesshëm të gjuhës elegante dhe bindëse. Është thënë gjithnjë se retorika është "arti i përdorimit të gjuhës në mënyrë që të bindë e të ndikojë te të tjerët”. Por gojëtaria si shprehje e saj, duket të jetë pothuaj krejtësisht e pashijuar në gojën e dhjetëra kandidatëve që synojnë fronin e komunave të Kosovës. Roli i përdorimit të gjuhës, si akti i parë i komunikimit, dhe gojëtaria, duket të jetë lënë në fund të listës. Arma më e fortë dhe e vetmja, ngjan të jetë një armë e zbrazur.

Përdorimi i gjuhës si mjet i propagandës politike gjatë fushatave të zgjedhjeve, kallëzon më shumë për mënyrat e padijshme të përdorimit të saj, se sa për zgjedhje cilësie gjuhësore ose jogjuhësore në përpjekje për t’i fituar ato. Abuzimi i gjuhës nga politikanët gjatë fushatave të këtij tetori politik, nuk është ndonjë problem, ai faktikisht nuk ekziston hiç.

Slavoj Zizek, filozofi i popullarizuar majtist dhe një ndër mendimtarët më me ndikim në Evropën e sotme, shkruan diku se "Ata që refuzojnë të ndryshojnë çfarëdo, janë efektivisht agjentë të vërtetë të ndryshimit". Po çfarë është ajo që ne mund të bëjmë kur edhe atëherë kur gojë kemi, s’mund ta themi, e të tjerët nuk mund t’i mbarojmë.

Diskursi politik është i shpifur. Duhet që në këtë, një rol jo pak të rëndësishëm të ketë vetë shoqëria. Jetojmë në kohën e interesave të shumta dhe apatisë. Sistemet politike kanë arritur që të tjetërsojnë njerëz të shumtë. Tjetërsimet kanë ndodhur. Pabarazia sociale është e madhe. Kërcënimi i krizave është i vazhdueshëm. Partitë janë në krizë vazhdimisht. Qytetarët kanë të tjera halle. Sikur vetëm dikush të mund t’i bindte se do të bëhet mirë. Për gojëtarët e pagojë e me gojë të madhe të kësaj fushate ky është një si “mission imposible”.

Marrë nga "Zëri"