"Corriere Della Sera" për Tiranën:
Qyteti që vrapon të kapi kohën e humbur 

Gazeta më e madhe italiane, “Corriere Della Sera”, në suplementin e saj i ka kushtuar një artikull të gjatë Tiranës, ku evidenton transformimin e saj të shpejtë. Duke e cilësuar si një prej qyteteve më “pop”, artikulli evidenton se “kryeqyteti është pasqyra dhe sinteza e Shqipërisë: vrapon sikur kërkon të fitojë kohën e humbur”.

Një vëmendje të veçantë i kushtohet edhe kryebashkiakut aktual të Tiranës, Erion Veliaj, për të cilin thotë se është e vështirë të ndjekësh nga pas ritmin e tij, pasi është gjithmonë i angazhuar duke u marrë me punët e qytetit.

 Plani i ri Rregullues që i hap rrugën zhvillimit të Tiranës, përurimi i autobusit elektrik, mbjellja e pemëve të reja, janë disa prej risive që veçon gazeta italiane, e cila thekson se tashmë kryeqyteti shqiptar është bërë edhe streha e rreth 20 mijë italianëve të cilët kanë gjetur vendin e duhur duke u bërë protagonistë jo vetëm në fushën e restoranteve, por edhe në prodhim, e mbi të gjitha në shëndetësi.

Shkrimi i gazetës italiane “Corriere Della Sera”:

Tirana e shumëngjyrave

Kryeqyteti është pasqyra dhe sinteza e Shqipërisë: vrapon sikur kërkon të fitojë kohën e humbur. Ndërtimet pa leje shemben, përurohen autobusë elektrikë, mbillen miliona pemë, të tjera ndërtime ngrihen. Ashtu si qiellgërvishtësi që synon të mundë në lartësi, kullat e reja të kryeqytetit anglez

“Tirana është pikënisja ku fillon mundësia, aty ku ngjitur janë xhamia edhe kisha. Tirana është më i madhi paradoks”. Duhet një nga këngët e para ‘rap’ të shkruara në Shqipëri nga një grup muzikor lokal, tashmë i shkrirë, West Side Family, për të sintetizuar më së miri një qytet pop. Gjithmonë në rritje, por që ruan thuajse me krenari kontradiktat e tij. Ku - për të cituar një tjetër strofë të këngës “Tirona”, e përdorur kohë më parë në fushatën elektorale nga kryebashkiaku i atëhershëm, Edi Rama, sot kryeministër në detyrë në mandatin e tij të 2-të – “robi blen te Gab-i me Rolex në dorë” dhe “ku krahas kioskave të rrënuara është një superpallat”.

Madje, sot në Tiranë, një kryeqytet mbledh 1/3 e popullsisë të gjithë Shqipërisë, mund të shohësh hipster-a që shëtisin përpara shëmtive të mbetura nga regjimi komunist, studentë (italianë) të Mjekësisë që përhumben midis ndërtesave të larta me emra të mëdhenj dhe pub-e që ta heqin mendjen (edhe nga muzika e lartë); dëgjon boritë e makinave në trafik, njësoj si në Romë, që përzihen me këngën e muhaxhinjve që shpërthen nga minaret dhe këmbanat e kishave katolike e ortodokse.

Përreth gjen instalacione të artit bashkëkohor; ndërtesa abuzive të ndërtuara keq; qoshe të gjelbra dhe ishuj pedonalë; parakalimin lokal të makinave luksoze. “Sepse shqiptarët e përdorin makinën edhe për të bërë 100 metra, të jep status, civilizim se je qytetar, jo fshatar”, thuhet përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, bulevardi kryesor, njëherë e një kohë teatër i megalomanisë së diktatorit Enver Hoxha dhe që sot është skenë si e maratonave dhe e protestave, si e festave, por edhe manifestimeve të homoseksualëve.

Jo shumë kohë më parë, ky qytet kishte ndërtesa gri dhe të dëmtuara, në sintoni të plotë me Berlinin Lindor. Pastaj, erdhi Edi Rama, basketbollist-artist-socialist që bindi studentët e Akademisë së Arteve të Bukura të lyenin fasadat e pallateve me ngjyra të shndritshme, shenja të çuditshme dhe simbolika të vështira për t’u interpretuar. “Njerëzit po vdesin për bukë, nuk kanë punë dhe ky mendon të lyejë fasadat”, shtrembëronte buzët edhe ndokush që mund të kishte votuar për Ramën. Dikur ky qytet kishte ende rrugë të paemërta, pa numra banesash. Kuptohet lehtë që postieri nuk trokiste asnjëherë në derë; për t’u orientuar i duhej të bazohej te intuita dhe drejtimet e dhëna gjatë ditës. “Shko afër pallatit me shigjeta”, të sugjeronin nëse do kishe nevojë për një pikë karburanti.

“Ndiq lumin”, të thoshin nëse duhej të shkoje në kodër për të parë qytetin nga lart, i cili më shumë se lumë dukej si një kanal pa ujë, i mbushur me kioska dhe baraka. Mandej, banorëve të Tiranës - shumë prej tyre vendalinj, shumë të tjerë të ardhur nga fshatrat e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut – iu shpjegua se bota nuk funksionon kështu. Se duhej të ndryshonin mendësi dhe të hapnin dyert, të fillonin të mësonin anglisht dhe të prisnin turistë.

Mision ky që u trashëgua nga kryebashkiaku aktual, Erion Veliaj, ish-ministër i qeverisë “Rama 1”, që sillet pak si babai i familjes, pak si mik, e pak si kontrollor. Kështu, nga një postim në tjetrin në Twitter (sepse këtu rrjetet sociale ecin më shumë se shtypi i shkruar), ai nuk harron të stigmatizojë devijimet e ndonjë bashkëqytetari të tij, si për shembull ai që festoi ditëlindjen e të dashurës me tullumbace dhe kishte varur mbishkrimin: “Edhe 100 ylli im”, në një nga rrugët më të populluara, duke harruar ta hiqte më vonë prej andej dedikimin. “Por, që të jesh YLL prej vërteti, hiqi pas feste zbukurimet, se e imagjinon vetë si do bëhej Tirana me 1 milion ditëlindje” – ia ktheu me ironi në Twitter.

Me thënë të drejtën, kryebashkiakun e Tiranës është e vështirë ta ndjekësh nga pas. Në mëngjes vrapon në qytet ose në kodrat e liqenit. Pas kësaj, pas shpatullave të tij shfaqet ndonjë rikonstruksion a vepër e re. Në drekë shërben ushqimin në mensën e të varfërve, duke puthur dhe përqafuar shumë gjyshe dhe gjyshër. Pasdite i jep vetes mundësinë për një selfie me autobusin e parë elektrik në qytet; më vonë, gjatë pasdites, përuron një park lojërash plot me fëmijë, e mandej celebron ndonjë çift të martuarish në ndërtesën e bashkisë, me në sfond Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu.

Gjatë mbrëmjes lëviz nëpër qytet, duke mbledhur ankesa dhe dhënë këshilla. Në Tiranë nuk kalon asnjë ditë pa shembur ndërtesa pa leje, të mëdha ose të vogla, garazhe ose vila të mbira ndër vite që e bënin të pamundur në disa rrugë kalimin e ambulancave dhe zjarrfikëseve. Kurse turistët habiten nga mungesa e një stacioni hekurudhor të denjë për të mbajtur një emër të tillë. Punë e pamundur nga këto anë të botës, pasi shinat e trenit nuk ecin asnjëherë në mënyrë paralele.

Tirana me virtytet dhe defektet e saj është sinteza e fytyrës së re të vendit ballkanas. Vrapon dhe zhvillohet me shpejtësi, sikur do të fitojë kohën e humbur. Duke u nisur nga gjysmë shekulli i regjimi komunist, që e burgosi në një flluskë hapësirë-kohë, deri në fillim të viteve 90’. Kurse tani, epoka e re i kushtohet gjelbërimit dhe rrokaqiejve. Sepse kur - dhe nëse - përurohet, me 350 metrat e saj prej qelqi dhe betoni, “Kulla Ikonike” do ta kalojë në lartësi Shard-in e Londrës me 40 metra. Për kënaqësinë e disave dhe skepticizmin e ca të tjerëve, që pyesin se ç’duhet një ndërtesë kaq madhështore në zemër të Tiranës, tashmë e ndërtuar prej vitesh, në kundërshtim me rregullat. Por, “Kulla Ikonike”, që do të ndërtohet nga një kompani nga Dubai, me një kosto prej 235 milionë eurosh, që njëkohësisht do të mirëpresë pranë edhe zyrat e Bashkisë – do të jetë një prej rrokaqiejve të parashikuar në kryeqytet. Pastaj do t’i vijë radha Down Town Albania-s (35 kate, 75 milionë euro kosto), e cila do të ketë në fasadën e saj hartën e kombit, në hotelin e ri “Hotel Tirana International”, (një nga ikonat e kryeqytetit), që do të shtohet nga 15 në 35 kate. Në “Eyes of Tirana” (Sytë e Tiranës), një ndërtesë 26 katëshe, punimet e së cilës do të fillojnë në javët e para të 2018-ës, plus dy pallate të tjera 20-katëshe që do të ngrihen edhe ato në zemër të kryeqytetit.

Të gjitha u miratuan prillin e shkuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i njëjti që ka aprovuar “Tirana 2030”, planin rregullues të kryeqyteti shqiptar, zhvilluar nga një bashkëpunim italo-hollandez, që iu besua Stefano Boerit (në bashkëpunim me studiot UNLAB dhe IND), i cili do të rishikojë strukturën e kryeqytetit një shekull më vonë, nga ndërhyrja e një tjetër italiani, Armando Brasinit. Synimi është ndalimi i një rritjes urbane “falë ‘Pyllit Orbital’, ku do të mbillen 2 milionë pemë të reja” dhe futja e konceptit të mobilitetit të përbashkët. Kushedi nëse do t’ia lehtësojë ndopak jetën Google Maps, që për vite ka refuzuar të vendosë fotokamera në këto koordinata, meqenëse ka mungesë të të dhënave topografike.

Në Tiranë nuk është e vështirë të ambientohesh. Në Tiranë është e vështirë të mbërrish, ankohen shqiptarët emigrantë, sepse Alitalia është zhdukur nga Milano (fluturohet vetëm nga Roma). Kështu që, kush jeton në veri të vendit i duhet të marrë një Boeing 737, avionë të vjetër të Blu Express low cost të përfaqësuesit Blue Panorama, e cila ka përfunduar në duart e gjigandit të fluturimeve Uvet. Ose do duhet të fluturojë me Airbus-et e Fly Ernest, kompani me përkatësi italiane, por me zyra në veri të Europës. Kjo sepse në Tiranë, gjërat nuk duhet jenë të thjeshta, por të veçanta. Por, kjo nuk i ka ndaluar italianët - 20 mijë, sipas qeverisjes vendore - që janë bërë protagonistë jo vetëm në fushën e restoranteve, por edhe në prodhim, e mbi të gjitha në shëndetësi.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen