"Damka e turpit" romani
mjeshtërisht në shqip nga Kasoruho

Të gjithë ata që e kishin njohur më parë dhe kishin pritur ta shihnin bukurinë e saj të errësuar nga një re turpi, u habitën, madje u trembën para asaj bukurie rrezëlluese, që shkëlqente me një hir, që fatkeqësia dhe poshtërimi ku kishte rënë nuk e kishin sfilitur. Një vuajtje e fshehtë që fshihej nga shkëlqimi dhe nga një krenari të tillë. Fustani që kishte qepur për atë rast në burg dhe që e kishte sajuar duke ndjekur fantazinë, në formën e saj të guximshme dhe piktoreske, dukej sikur shprehte shqetësimin e dëshpëruar të atij shpirti femre. Por ajo që tërhiqte të gjitha shikimet dhe, si të themi, e shndërronte gruan që e kishte në trup, aq sa të mos njihej as nga më të afërmit e saj, ishte germa ngjyrë alle, që ishte qëndisur mrekullisht bukur dhe që shkëlqente në gjoksin e saj.”
Çdo lexues pasi lexon një fragment të këtillë pyet veten:- ende ka libra që shkruhen kaq bukur? Ka libra të bukur, për sa kohë ka botues që duan librin e mirë, për sa kohë ka përkthyes që i përkushtohen deri në detaje punës dhe nuk e mendojnë si një përfitim të thjeshtë ekonomik, por si një vlerë që i shtohet kulturës së librit, si respekt që përcillet për lexuesin dhe si ambicje për të dhënë edhe një herë mesazhin se gjuha shqipe është e denjë të sjellë bukur letërsi klasike, nga ajo e rralla, ajo që është mbuluar nga pluhuri i frikës se mos nuk vjen dot në shqip një letërsi e shkruar mrekullisht bukur para një shekulli e gjysmë. “Stili i Hawthorn-it është dëlirësia e vërtetë. ...Ai mund të konsiderohet si një nga gjenitë e padiskutueshëm të lindur nga kombi ynë.” Do të shkruante bashkëkohësi i tij, Edgar Allan Poe. Kurse Henry James do të dallonte se në stilin e autorit “Më e bukura e Hawthorn-it është rëndësia që i jepte psikologjisë së thellë dhe studimit të saj”. Herman Melville i kushtoi Hawthorne-it kryeveprën e tij “Moby Dick”, ndërsa, midis kritikëve modernë, Harold Bloom e cilëson atë si një nga shkrimtarët amerikanë më të mëdhenj të të gjithë kohërave, përkrah Henry James-it dhe William Faulkner-it. Është koha të flasim në shqip për Nathaniel Hawthorne dhe romanin e tij “Damka e turpit”.
***
“Damka e turpit” i Nathaniel Hawthorne, edhe pse i shkruar 150 vjet më parë, edhe pse me vonesë është një nga zgjedhjet më të mençura që ka bërë botuesja e Pegit- Loreta Berhami, e cila ia besoi përkthimin e këtij romani njërit prej shqipëruesve më të mirë të letërsisë, Amik Kasoruhos. Nëse libri që u shkrua dhe u botua në Amerikë, pati impaktin e një testamenti emancipues dhe Amerika pati zhdërvjelltësinë dhe intuitën shoqërore që ta përthithte, ta përdorte për ndryshimin e koncepteve themelore të etikës dhe gjykimit të gjestit njerëzor që lidhet me jetën, lindjen, nderin; në Shqipëri, “Damka e turpit” duhet të shënojë ende vraga të tjera derisa kjo shoqëri të mbartë mesazhet e forta të romanit dhe t’i përdorë ato si melhem mbi çdo histori shqiptare të ngjashme me historinë e romanit.
Duke filluar prej vitit 1909 regjisorë të ndryshëm kanë tentuar ta shndërrojnë në film historinë e Ester Prinit, damkosjen e saj me një shkronjë turpëruese, por nga nëntë variantet kinematografike, asnjëri nuk ka arritur nivelin e letërsisë që ka shkruar autori amerikan. Është e njohur kjo ngatërresë mes romaneve dhe filmave. Ndodh që filmi kapërcen nivelin e romanit, si te Doktor Zhivago, apo “Mosha e pafajësisë”, por as te “Lartësitë e stuhishme”, as te Ana Karenina” dhe as te gjithë variantet e filmit që janë bërë përgjatë një shekulli, Damka e turpit nuk është mbërritur prej regjisorëve, aktorëve, skenaristëve në majën e magjisë letrare që autori e ka shijuar përmes gjenisë krijuese.
***
Natyrisht nuk kam ndërmend të rrëfej gjithë historinë e librit, por lexuesi ka nevojë të dijë vetëm thelbin: Në shekullin XIX, në një qytezë amerikane, një grua lind një vajzë, babai i vërtetë i të cilës nuk dihet. I shoqi i Ester Prinit ka vite që është zhdukur në një udhëtim të largët. Qarqet fetare, paria e qytezës, turma marrin pjesë në turpërimin publik të Ester Prinit dhe përpjekjeve për ta bindur të tregojë se kush është i ati i fëmijës.
Gjatë gjithë librit, kam menduar shpesh: ku e gjen forcën e rrallë kjo grua që shpërfill gjithë zhurmnajën, mllefin, gjykimin publik dhe si tërë këtë që i ndodh e kthen në një energji pozitive të cilën ua përcjell njerëzve të varfër, u gjendet me veprat e saj bamirëse, i ndihmon dhe iu fal ngrohtësi e mirësi. Besoj te vajza e saj është ajo fuqi magjike, te foshnja e pafajme, të cilën e shtrëngon në gjoks, pikërisht aty, ku paria gjykuese e ka dënuar të mbajë shenjën e turpit të qëndisur. Sakrifica e Ester Prinit mbart misterin e një dashurie, për të cilën nuk flitet shumë. Por ndjehet shumë. Po aq sa ndjehet hija e zezë e bashkëshortit që kthehet si një i panjohur në qytezë, pikërisht kur Esterin po e gjykojnë në shesh dhe fillon një hetim, me qëllim të gjejë cili është njeriu, emrin e të cilit Ester Prini e ruan dhe nuk e përmend kurrë, pastaj të hakmerret, të shkatërrojë, duke filluar me Ester Prinin. Është e vërtetë që njeriut i është bërë një dhuratë mëshirëplote, sepse ai që vuan, në çastin e vuajtjes, nuk e di kurrë sesa e madhe ka për të qenë ajo dhe vetëm më pas është në gjendje të vlerësojë rrymin e dhimbjes që mbetet. Roxherin e takojmë qartë në fund të librit, kur kupton se hakmarrja e tij nuk ka atë vlerë që kanë barnat shëronjëse që Roxheri i mbledh me merakun e shkencëtarit.
Pas Ester Prinit figura më e kërkuar prej lexuesit është ajo e personazhit misterioz, babait të vërtetë të Perlës, vajzës së lindur si fryt i mëkatit. Figurën e tij, Nathaniel Hawthorne e shfaq pak e nga pak, si një dritë e mekur mes një muzgu, pastaj krijon artistikisht formën e një njeriu hije e me ndihmën e Roxherit i zbulohet lexuesit personazhi i Dimesdejlit.
Kur ta marrë librin lexuesi dhe të fillojë të lexojë, kërshëria ndaj këtij personazhi, ndoshta do ketë nota qortimi, krahasuar me qëndresën e Esterit, heshtja e Dimesdejlit është e pafalshme. Por më tej, kur lexueshmëria arrin “pikën e vlimit” kuptojmë se kemi përballë një figurë të përshkruar mjeshtërisht nga autori; një djalosh që tërë inteligjencën e tij e shpërfill përpara sakrificës që i kërkon ndërgjegjia të bëjë. Fjalimi i tij është një nga xhevahiret e artit letrar; fundi i tij është ndër më të realizuarit artistikisht. Nuk dua të shuaj kureshtjen e askujt, por jam e bindur se këto fjalë janë të pakta nga përjetimi i lexuesit, kur të kthejë fletën e fundit të librit.
Në fund të librit është një ese e shkruar nga autori pas botimit të librit, që përgjatë ribotimeve të shumta në vende të ndryshme, i është bashkangjitur romanit si të jetë “alteregoja” e N.Hawthorne. Dhe në këtë esencë të shpirtit të tij krijues, autori na shpjegon: “Ndoshta, mbas pak kohe edhe qyteti im i lindjes do të më mjegullohet në kujtesë, nuk do të më duket më si një qytet i botës sonë, por si një fshat i vizatuar midis reve, i populluar vetëm nga krijesa fantastike, që vijnë rrotull nëpër ato rrugica dhe nëpër monotoninë e pasosur të rrugës kryesore... Që sot e tutje, ky nuk është më realitet. Unë i përkas një vendi tjetër tashti, por bashkëvendësit e mi të një kohe nuk kanë për të më qarë shumë gjatë. Edhe pse jam përpjekur me çdo mjet t’i imponohem vëmendjes së tyre me punën time si shkrimtar, që të zë vend në kujtesën e tyre dhe në qytetin ku jetuan e vdiqën gjithë të parët e mi, nuk kam mundur ta gjej kurrë pranë tyre ngrohtësinë e simpatinë, të cilat janë të nevojshme për çdo letrar, që të arrijë të korrat më të mira të mendimit të tij. Pa dyshim do të kisha bërë shumë më mirë midis njerëzve të ndryshëm; por ata që dikur më rrinin kaq afër, do të jetojnë gjithmonë larg prej meje.”
Nuk besoj se autori kishte imagjinatën e atillë sa të mendonte se libri, pas kaq e kaq kohe do të lexohet edhe një një vend si Shqipëria, por jam e bindur se kishte kuptuar fuqinë emancipuese të fjalës. Ndoshta sot nuk ka damka të mirëfillta turpi në kraharor të vajzave, grave, por djegin e përvëlojnë po aq edhe damkat e lëna nga fjalët, paragjykimet dhe injoranca.
(Rilindasi/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen