"Iliada" e botës komuniste
Jemi kështu përpara një poeme të gjerë epike, një "Iliade" e një "Odiseje" të botës komuniste, plot me referenca nga heronjtë dhe zotat antikë. Ne nuk kalojmë më nëpër universin tradicional kadarean, por gjendemi nëpër qytete ku shkruhet, por edhe pësohet fati i një perandorie, kufijtë e së cilës kanë nisur të shkërmoqen. Autori nuk vë në lëvizje qenie imagjinare, por përdor si personazhe burra shteti: Enver Hoxha, Mao Ce Dun, Çu En Lai, Lin Biao, Hrushov, si edhe plot të tjerë pa emra. Ndonëse akrobacitë gjuhësore të "deviatorëve" dhe "revizionistëve" janë gjithnjë të pranishme në prapaskenë të romaneve të tij, nuk janë ato që kanë rëndësi për Ismail Kadarenë. Kryesorja qëndron në përmasat tragjike e absurde të këtyre perandorive të kuqe. Tabloja e parë e kësaj sage fillon më 1960 dhe e dyta përfundon më 1978, një copë shekulli e mjaftueshme për të krijuar një mikrokomedi, njerëzore të vendosur në dy gjenerata. Dhe çdo herë tërmetet e Historisë tronditin jetën private dhe sociale të personazheve, midis të cilëve nja pesëmbëdhjetë prej tyre kalojnë të vdekur apo të gjallë nga një roman në tjetrin. Secili, sipas mënyrës së vet, i paguan një haraç të rëndë Historisë, përveç njërit prej tyre, dhe jo më të parëndësishmit, Enver Hoxhës, por që është e nevojshme ta ndjekësh deri në fund të "Koncert në fund të stinës", për të kuptuar se me çfarë nuancash shkrimtari ia vë në pah figurën. Ajo që e afron më shumë "Dimrin" me "Koncertin" është, ndoshta, përmasa e tyre planetare, ndërtimi i tyre si një "roman total", një kompozim polifonik, i përshkuar nga rishfaqja në forma të ndryshme nga mediat, satelitët spiunë, vëzhguesit etj., e të gjitha këto me të njëjtin funksion që kanë kori dhe korifeu në tragjeditë antike. Të trajtoje përçarjet ideologjike dhe në të njëjtën kohë të bëje portretin e shoqërisë shqiptare të viteve gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë nuk ishte e lehtë dhe pa rreziqe, gjë që i solli shkrimtarit jo pak kokëçarje. Por në këtë ndeshje ai gjeti edhe mundësi lirie të papritura, siç qe armiqësia e regjimit të Tiranës për revizionistët sovjetikë e, më pas, për kinezët, gjë që i lejoi shkrimtarit të shprehte pothuajse hapur, mu në qendër të diktaturës, pikëpamje që ishin më se "jokorrekte" në një regjim që, në thelb, nuk ndryshonte nga ai i Moskës apo i Pekinit.
Ky diptik, në fund të fundit, pasqyron një ankth të thellë, atë të një vendi, banorët e të cilit besojnë se në një çast të caktuar të historisë së tyre do të mund të dalin nga orbita komuniste. Autori i shkroi këto dy romane, kur një iluzion i tillë dukej i realizueshëm. Historia tregoi se e gjitha kjo s'ishte veç një kimerë e pamundur. Shqipëria nuk do të mund të shqitej nga ky sistem, veçse kur ai të rrënohej më së fundi kudo në Europë.
Si e shkruajti Kadare të vërtetën e asaj që ngjau në Moskë?
Për herë të parë në veprën e tij, Ismail Kadareja merr përsipër, më 1969, të përshkruajë një freskë monumentale të historisë bashkëkohore të vendit të tij: përçarjen që ndodhi më 1960-1961 në gjirin e botës komuniste, në njërën anë të së cilës ishin Pekini dhe Tirana, dhe në tjetrën blloku sovjetik "revizionist". Për të ruajtur lirinë e tij të brendshme, në atë Shqipëri tepër dogmatike të fundit të viteve gjashtëdhjetë, Kadareja e quan të nevojshme të shkruajë mbi ngjarjet që sapo kishin ndodhur, në mënyrë që t'i kishte duart e lira më pas, për t'iu rikthyer së shkuarës dhe legjendave, për të cilat kritikohej, ngaqë e kishte lënë pas dore Shqipërinë e re. Mbledhja e Moskës i ofron atij një projekt romanesk, të një përmase shekspiriane, të cilin ai diti ta kapë. Për këtë arsye, atij iu dha e drejta të hyjë në arkivat e Partisë për të shfrytëzuar procesverbalet e bisedimeve midis udhëheqësve. Megjithatë, sapo "Dimri" (që ka për embrion poemën "Vitet '60") doli në qarkullim, menjëherë shpërtheu një skandal i madh. Versioni i tij i parë u mbarua më 1971, periudhë kjo kur pushteti i diktaturës mbi artet ishte zbutur disi. Romani u çua në botim më 1972 dhe, për fat të keq të tij, doli në qarkullim në pranverën e vitit 1973, kur "periudha e zbutjes" kishte marrë fund dhe regjimi kishte shpërthyer një fushatë kundër mjediseve intelektuale. Plenumi IV i Partisë së Punës, që u mbajt në qershor, shpalli luftën "kundër shfaqjeve të huaja". Me një fjalë, qentë besnikë të regjimit u sulën kundër elementëve "liberalë" të elitës kulturore. Romani, me një tirazh fillestar prej njëzet e pesë mijë kopjesh, që u shitën qysh ditën e parë të daljes, gjatë tre muaj e gjysmë u bë objekt i një zjarri të kryqëzuar kritikash të papara ndonjëherë. Sulmi filloi, së pari, me artikuj plot urrejtje në shtyp dhe pastaj me mbledhjet e militantëve të sferave të ndryshme të aparatit të Partisë. Kundër tij u ngritën Ministria e Brendshme, Shkolla e Partisë "V. I. Lenin", selia e Komitetit Qendror. Në një kor të përbashkët, militantët, studentët dhe punëtorët nënshkruanin peticione dhe kërkonin ndalimin e romanit. Megjithatë, asnjë ndalim zyrtar nuk u shpall kundër librit, që ndërkaq nuk u rishtyp më. Atë e kritikonin si antisocialist, armiqësor ndaj kultit të proletariatit, që e paraqiste Enver Hoxhën të vetmuar... U ngritën zëra që kërkonin arrestimin e autorit. Shkrimtari në këtë periudhë kalon një nga vitet e tij më të errëta. Në kohën që sulmi vazhdonte kundër romanit, Kadareja merr një thirrje telefonike nga Nexhmije Hoxha, gruaja e diktatorit. Ajo shtiret si e habitur përpara këtij shpërthimi kritikash... Një mister fshihet rreth "kabalës" së romanit: si është e mundur që ai të sulmohet aq egërsisht nëse numri një i Partisë nuk kishte lejuar qentë e regjimit të lëshoheshin kundër tij?
Përkrahja e tiranit
Enver Hoxha, shëndeti i të cilit është keqësuar në mënyrë të ndjeshme gjatë vitit 1973, shprehet, më në fund, për të gjatë një mbledhjeje politike në Elbasan. Duke u dhënë të drejtë atyre që e konsiderojnë romanin si një vepër antisocialiste, ai tregohet shpirtgjerë ndaj autorit të saj, shpjegon që shkrimtarët janë qenie të veçanta, me mendje të mjegulluara. Ai shkon edhe më tej, duke theksuar se të dënoje zyrtarisht "Dimrin", do të thoshte t'u jepje të drejtë sovjetikëve, çka do të ishte një tmerr i vërtetë. Kështu, ai do të gjejë një kompromis ndërmjet përkrahësve të diktaturës dhe aspiratës së vet për pavdekësi, sepse romani përmban në disa faqe të tij një portret të favorshëm të diktatorit, i cili mbron të drejtën e popullit të tij për të folur lirisht përpara gjigantit sovjetik. Të ndalonte këtë libër, për Hoxhën do të ishte njësoj si të griste portretin e vet. "Pakti që ne na bashkonte ishte me të vërtetë një pakt luçiferian, veçse nuk ishte e qartë se cili nga ne të dy ishte djalli e cili Fausti", do të shkruajë Kadareja më pas. Ndërhyrja u dha fund kritikave. Gjatë tre vjetëve nuk u fol gjëkundi për të. Libri ishte gjysmë i ndaluar, përkthimi i tij, i pezulluar. Nuk është hera e parë që një shkrimtar i përndjekur nga diktatura gëzon përkrahjen e një tirani. Më 1939, i shqetësuar nga hierarkët e Rajhut III, për romanin "Mbi shkëmbinjtë e mermertë" (në të cilin ishin përshkruar në mënyrë të tërthortë shumë nga udhëheqësit nazistë, midis të cilëve vetë Fyhreri), Ernest Jünger vuri re se si dara u çlirua papritur rreth tij, për hir të një fraze të thjeshtë të Hitlerit: "Lëreni të qetë Jünger-in!". Por në Shqipëri shpirtmadhësia e Enver Hoxhës ka, megjithatë, kufi. I larguar nga Tirana më 1975, për shkak të një vjershe të pabotuar, "Pashallarët e kuq", Kadareja e kupton se tashmë e ka të ndaluar të botojë romane të reja. Për të kapërcyer këtë pengesë, ai propozon një variant të dytë të "Dimrit të vetmisë së madhe", variant me shtesa, që, në daljen e tij më 1978, do të mbajë një titull më të përkorë, "Dimri i madh", duke dashur të bëjë të besueshme se regjimi shqiptar nuk ishte "vetëm" në kalimin e këtyre sprovave të vështira. Ky përpunim i ri, që këtë herë u la të përkthehet, përmban pjesë që të lënë të kuptosh se populli është si një bllok i bashkuar pas udhëheqësve të vet: punëtorët e uzinës "Frederik Engels", plaku që zbret nga Bjeshkët e Namuna për të takuar Enver Hoxhën etj. Këto pjesë nuk janë në versionin e përgatitur nga "Fayard", që grosso modo i korrespondon një kthimi në variantin e vitit 1973 dhe ka mbi njëqind faqe të hequra, në raport me tekstin e vitit 1978. Portreti i Enver Hoxhës këtu mbetet i paprekur. Në përgjithësi, autori e bën diktatorin më kërcënues, por pa shtuar asgjë më negative nga ato që janë treguar për të në "Koncert në fund të stinës", libër që u shkrua më 1980-81, kur Hoxha ishte gjallë, e që u botua më 1988, kur diktatura mbahej ende e fortë. Te "Koncert në fund të stinës", autori vë në gojën e Enver Hoxhës mendime ogurzeza kundrejt atyre që presin më kot një liberalizim: "Ata do të fërkojnë duart para kohe, krejt si dikur... Dhe atëherë, pikërisht në atë çast, ai do t'i godiste pa mëshirë".
"Prokurorët" kulturorë apo "romanvrasësit"
Portreti i Enver Hoxhës te "Dimri i vetmisë së madhe" i shërbeu Kadaresë si një talisman dhe i lejoi atij të vazhdonte punën si shkrimtar pak a shumë i mbrojtur nga "prokurorët" e tij kulturorë, të cilët ai i akuzon si "romanvrasës". "'Dimrit', pavarësisht nga andrallat që më shkaktoi, unë i dedikoj jo vetëm shpëtimin, por edhe katër të pestat e veprës sime të mëvonshme", shkruan Kadareja. Më vonë do të shohim se si dalja e "Dimrit", në mënyrë paradoksale, ka penguar gjatë shumë viteve daljen e "Koncert në fund të stinës". Diktatori është paraqitur në roman si një figurë epike, që nuk e zë në gojë doktrinën, por ia arrin qëllimit që me guxim ta shkëpusë vendin e tij të vogël nga blloku sovjetik, në një periudhë kur në Shqipëri shpresohej, ndoshta me naivitet, se regjimi mund të kthehej drejt Perëndimit. Kadareja e ka vizatuar portretin e diktatorit më liberal se ç'qe ai në të vërtetë dhe thotë se i dha atij një "maskë korrigjuese", duke i sugjeruar kështu ta lërë mënjanë mantelin e tiranit, për të tërhequr drejt vetes favoret e Perëndimit, ashtu sikurse kishte ditur të bënte Titoja kohë më parë. Portreti i Hoxhës, monologët dhe dialogët e tij janë ndërtuar sipas procesverbaleve shqiptare të Mbledhjes së Moskës. Ismail Kadare s'bën gjë tjetër veç përkthen në letërsi ngjyrat e realitetit historik. Megjithatë, aparati i partisë, po të flasim ideologjikisht, kishte të drejtë të ngrihej kundër "Dimrit të vetmisë së madhe". Një roman i tillë thyente në shumë pikëpamje rregullat e realizmit socialist, cilido qoftë versioni që mund të kesh në dorë. Kadareja paraqet të gjitha anët e shoqërisë shqiptare, nga borgjezia e vjetër e deri te të rinjtë "parazitë", nga antikuaristi që kryen detyrën e ruajtjes së kujtesës kolektive (duke përfshirë edhe librat e ndaluar, sikurse është rasti i librave të Gjergj Fishtës), deri tek anëtarët e partisë, që kanë shpeshherë frikën e përjashtimit nga Partia, për gabimet që mund të bëjnë. Gjejmë aty shkrimtarin Skënder Bermema, që ka qenë "viktimë e kritikave në shtyp"(mos vallë, reflektimi i fatit të vetë Kadaresë?), gjejmë aty, në përgjithësi, njerëz të lodhur, në kundërshtim me Njeriun e Ri: "Mjaft më me këto sakrifica, për hir të revolucionit universal... Unë nuk besoj në këto. Më kanë ardhur në majë të hundës", thotë njëri prej tyre, Viktor Hila. Ndërsa Partia përzihet në jetën private të njerëzve, i kërkon llogari Besnik Strugës për ndarjen e tij me të fejuarën; një ministër ndërhyn në mënyrë brutale në punët e një gazete; bashkë me autorin ndien dhembshuri për një anëtare të Byrosë Politike (një grua, Liri Belishova), që, kundër mendimit të Enver Hoxhës, donte që Shqipëria të mbetej në kampin socialist. Veç kësaj, Hrushovi nuk është treguar asnjëherë në dritë të keqe. Me guxim janë ruajtur në versionin e dytë pjesët mbi terrorin e policisë sekrete në vitet e pasluftës, si dhe figura e denoncuesit, shefit të kuadrit të gazetës së Partisë...
(Autori është shkrimtar dhe kritik francez. Materiali është parathënia e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”. Titujt dhe mestitujt janë redaksionalë)
(Shkrimi u publikua në Shqiptarja.com)
(gm/shqiptarja.com)