"Drejtësia", Basha: Rama me 64
 vota, luan bllofin me reformën

"Drejtësia", Basha: Rama me 64<br /> vota, luan bllofin me reformën
TIRANË - Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzon sërish kryeministrin Edi Rama se është ai pengesa për reformën në drejtësi, duke luajtur blofin me vetëm 64 vota në Kuvend. Sipas tij, votat e Partisë Socialiste në Kuvend mund të shërbejnë për të djegur reformën në drejtësi. “Jemi në një situatë absurde ku opozita ofron bashkëpunimin dhe kryeministri i vendit e refuzon atë duke luajtur blofin me 64 vota. 64 vota të cilat të gjithë e dimë që nuk mund të kalojnë reformën në drejtësi por që mund të shërbejnë për të djegur reformën në drejtësi e për t’i shërbyer kapriçove politike të një qeverie të dështuar në të gjitha planet dhe të braktisur nga opinioni publik, nga votuesit, pritshmëritë e të cilëve kanë takuar dhe takojnë zhgënjime të hidhura si në fushën ekonomike, në fushën e shërbimeve publike, të punësimit, mirëqenies e çdo fushë tjetër”, u shpreh Basha.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Basha deklaroi se Partia Demokratike ka rënë dakord me draftin e ekspertëve amerikanë për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Shefi i opozitës kërkoi reflektimin në draftin final të vërejtjeve të Gjykatës Kushtetuese. “Sot ka ardhur momenti që të ndaj me qytetarët shqiptarë që Partia Demokratike ra dakord me draftin e propozuar nga ekspertët amerikanë për Byronë Kombëtare të Hetimit, si një strukturë speciale, e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, sigurisht sipas Kushtetutës nën drejtimin e Prokurorisë, e trajnuar me qendrat më të specializuara të botës, SHBA-të me paratë e taksapaguesve amerikanë dhe më një mandat të qartë, të përcaktuar mirë dhe të domosdoshëm për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë, hetimin e korrupsionit në nivele të larta. Kemi tre muaj që kemi dhënë dakordësinë tonë”, tha ai.

Duke sqaruar qëndrimin e Partisë Demokratike në favor të konsensusit, Basha theksoi se kreu i mazhorancës kërkon të ketë nën kontroll sistemin. Lulzim Basha insiston sërish për një tryezë politike me qëllim përqasjen e qëndrimit të palëve në draftin final të reformës në drejtësi. “Prej më shumë se 4 muajsh pengesa për reformën në drejtësi e ka emrin Edi Rama.

Njeri i investuar politikisht, emocionalisht dhe personalisht kundër konsensusit, kundër konsensusit si vlerë dhe kundër konsensusit si i vetmi mekanizëm për të miratuar një reformë gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe afatgjatë. Alibitë dhe alibirat nuk vlejnë më. Korniza tashmë është e qartë, Venecia solli opinionin e saj, reporterët erdhën dhe shkuan. Ne presim edhe opinionin final por “pata“ e kapjes së drejtësisë nuk do t’ia bëjë vezën e artë Edi Ramës”, u shpreh Basha. Sipas tij, opozita është e gatshme të bashkëpunojë për këtë reforme por nuk bën asnjë kompromis me qëllimin e shumicës për të kapur drejtësinë.
 
Zgjedhjet në PS, Rama nis nga Vlora turin me bazën për kongresin e PS-së. Kryeministri nesër në zonën e tij elektorale për delegatët. Zona më e nxehtë e debatit me Kokëdhimën
Periudha deri në kongresin socialist të marsit, duket se do të jetë shumë e ngjeshur dhe e nxehtë jo vetëm për organizatat socialiste por dhe koordinatorët, drejtuesit dhe vetë liderin e partisë më të madhe në pushtet, i cili pritet të nisë një tur të fortë takimesh me bazën e PD. Kryeministri, njëherësh dhe kreu i kësaj partie, Edi Rama ka zgjedhur Vlorën, zonën e tij elektorale për të hapur fushatën për zgjedhjet e delegatëve që do të marrin pjesë në kongres.

Një fushatë e tillë do të nisë që nesër dhe do të zhvillohet në 6 rajonet, që kanë në krye 6 koordinatorë dhe që po punojnë për përgatitjen e zgjedhjeve brenda partisë dhe nga ku do të dalin delegatët e PS për në kongresin e 19 marsit, që do të vendosë për forumet drejtuese të PS, por dhe për sekretariatin, dhe nivelin tjetër drejtues të partisë më të madhe në qeverisje. Gjatë takimit me koordinatorët e PS në të gjashtë rajonet dhe në grup është konkluduar që zgjedhja e delegatëve për në kongresin e 19 marsit të jetë muaji shkurt. Më 13 shkurt do përfundojë procesi i zgjedhjes së delegatëve në rajonin Elbasan­Korçë.

Ndërsa pritet që përmbyllja e këtij procesi të bëhet në rajonin që përfshin Vlorën e Gjirokastrën, ku procesi po ecën me ritme të ngadalta. Shto këtu dhe faktin se deputetët që po merren me riorganizimin e partisë në këtë rajon, pra në “aksin politik” Vlorë-Gjirokastër kanë pakënaqësi ndaj koordinatorit Koço Kokëdhima. Sipas tyre, koordinatori Kokëdhima po shkel procedurat, pasi po zgjedh delegatëve, duke diktuar preferencat e tij. Sipas statutit të PS, janë organizatat ato që zgjedhin emrat e delegatëve të kongresit dhe jo e kundërta.

Pakënaqësi këto të shprehur mes deputetëve të këtij rajoni e Kokëdhimës me përplasjet mes tyre, mospjesëmarrja në takimet që zhvillohen me organizatat, mungesën e ftesës nga ana e Kokëdhimës për deputetët në takimet e organizuara, debate që kanë shpërthyer në mbledhjen e grupit parlamentar ditë më parë. Por situata nuk është e qetë as në qendër, teksa deputeti Ben Blushi ka kritikuar procedurën e përgatitjes së kongresit, duke lënë për të kuptuar se nuk përjashtohet mundësia e daljes me një platformë të tijën në kongres e pse jo dhe haje gare për kryetar.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)     

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aksident në  aksin rrugor Lushnje-Berat! Makinat përplasen me njëra-tjetrën, 5 të plagosur

Aksident në aksin rrugor Lushnje-Berat! Makinat përplasen me njëra-tjetrën, 5 të plagosur