"Fausti në Tiranë", Kyçyku:
Poema është një revoltë e ashpë

"Fausti në Tiranë", Kyçyku:<br />Poema është një revoltë e ashpë
Ardian Kristian Kyçyku: Kjo poemë është një revoltë e ashpër, me plot figura të mbamëndshme dhe origjinale. Heraherës ndoshta jo aq  nga forma, se sa nga vrulli i brendshëm, të sjell ndër mend Majakovskin, por pa tundimet e tij koministoide…

Fausti mbrriti në Tiranë. Mbas një vizite në të gjithë planetin, 
Erdhi pikërisht në Tiranë me pelerinë të vjetër, pluhurosur,
Dalë boje si kiç vaporri porsa nxjerrë nga arkeologët.
Ka miliona vite që ecën, ashtu si dhe tufanet për njoftimin e stinëve,
Misionar i zbritur nga kontinenti i qiejve, si gjithë shpirtrat
E dijetarëve, që s’gjejnë prehje në askundërinë e botës.
Dijetarët janë me merak të përtejtejmë, Shpirtrat e tyre
Kanë përmasën e syrit, lënë mbrapa Shpejtësinë e dritës,
Na afrohen të vëzhgojnë sozitë e kafkave,
Në këtë tokë kafkiane na ndihmojnë me praninë e alfabetit
Të tyre të domosdoshëm, duke na shoqëruar seicilin 
Në Gjyqin e Madh, ku qiejt sistemojnë shpirtrat.
*
Fausti mbrriti në Tiranë, ashtu si dhe një faqe dielli Që mbrrin
Nga lartësitë, të ndrijë të porsalindurit, të shndërrojë në dete
Lumenjtë,të kthejë frymën, t’i ul tingujt në tastjerat e dheut.
I ngjan Adamit i cili zbuloi në brinjë Dashurinë për lindjen
E botës së pafundme. Si dhe Sokrati, shqyhet së qeshuri
Në sokakët e Athinës, duke luajtur poker me gjyqtarët dhe jetën,
Shndërrohet në portretin e Jesuit, duke shikuar nga Sytë e Plagëve
Gozhdëtarët. Gozhdët u nis atje, ku flenë e zgjohen, ku ecin, vjellin,
Ku falen, t’ju falë sadopak mëkatet.
Në portretin e Galileo Galileit shndërrohet,
Ndërsa mban në pëllëmbë këtë globth të vogël. I shkrepin sytë
Faustit, ku zjarri djeg vetveten në sfondin e errësirës, 
duke zgjeruar hartën e Tiranës.
*
Fausti sheh të dehur të njohur, Prostituta nudo,
Gra vejane, që thërrasin makina pa targa, për atje ku harresa
Shtron krevatet e ndryshkura e Shelgjet shpëtojnë të sapombyturit.
*
Dajti shkruan ditarin mbi një Krah harabeli: Pallate Don Kishotër
Ngjishen në shpatullat e kryeqytetit, Shën Hëna shfleton ungjillin,
Pishat, me fashat e hijeve, plagët e asfalteve lidhin e mbulojnë,
Aktorët, që nuk dinë ç’aktrojnë, Futen tek shtati i Njeriut
E rikthehen me nxitim pa emrat e tyre të herëshëm,
Të qajnë me dënesë me kafkat e etërve në duar.
- II-
Fausti eci duke zvarritur Mantelin e tij si fshesë plastike 
Të pastrueseve, që shanin me tërë zhargonet në tortuare,
Shikoi një zjarr të vogël, që nisi të digjte pelerinën e tij
Me moshën e botës. U mundua ta shuaj, të mos bëhej shkrumb,
Ku “U”-ja e egërsirave kapte, me njëra-tjetrën, arkitekturat e godinave,
Ku violina kërkonte Paganinin e ankthi thërriste tingujt e këngës: 
“Privuar nga ecja dhe gjumi, mbërthyer na mbajnë 
në karrige paraplegjikësh…”
*
Fausti u mundua ta shuaj pelerinën, që vazhdonte t’i digjej,
Gjersa një bot uji i hodhi currilin e madh, jo ta shuante, por
Ta shihte si këndez festash në tregun E Ri, 
Atje ku krekoset Avni Rustemi mbas kthimit nga Parisi
Në një atentat, mbi Tradhëtinë në shekullin që shkoi…
(Nuk dihet nese  Tradhëtia
Do të marrë ndonjëherë arratinë?!…) 

-III-
Fausti eci si pemë e shkulur e cila merr me vete degët.
Një polic gjuan në ajër nën avujt e alkolit, në rrugë hedh
Revolverin e tij si copë sanduiçi të ngrënë përgjysëm.
Revolveri gjuan (pa gishtin në këmbëz) pemët, njerzit,
Pllakat e tortuarëve, xhamat e makinave, konkavet e syve,
Barin, gjersa shndërrohet në copë real sanduiçi.
Fausti vëzhgon andej këndej, të ulet sadopak
Në stolat e drunjtë të pushimtoreve, ku specia gej thërret 
Se i ka ulur çmimet me brohorimën: 
“Unë jam gej,/Unë jam ok-ej, 
Po, po, ok-ej…”
*
Njeriu, person frymëmarrës, që se tregon emrin,
Që pretendon se i ka të gjitha emrat e njerzëve 
Të të gjitha moshave, gjinive, ngjyrave, madhësive,
Këndon duke fishkëllyer tërë erërat në udhëkryqet e Tiranës:
“Janë pranga shtëpitë tona, pranga të qëndisura, të kyçura,
Të përkryera nga artizanë të famshëm. Janë maska shtëpitë tona,
Maska të orgjive dhe krimit. Vetkyçemi aty, paguajmë për t’u fshehur,
Kërkojmë kredi, azil, zhgërryhemi për pak pranga katrore.
Prangat shiten shumë e më shumë e ne shumë e më shumë 
për to ëndërrojmë.
Janë pranga shtëpitë tona, seicila një hallkë në vazhdimin e hallkave
Nga arkitekt të mënçur, të shkathët, mashtrues të regjur. Lindim
Aty, për të dalë e për të hyrë në të gjitha arteriet e kryeqytetit”

-IV-
Fausti dëgjon njeriun dhe shikon:
Mijëra njerëz janë rrokullisur nga mallet:
S’betohen as për diellin, as për tokën. Kanë dëshirë 
Të zgjidhen për trupin e bëshëm, siç bëhet me kuajt,
Prej kalorësve të shkathët. Gishti nuk dihet se ku do të vendoset.
Rrinë në rresht, pipëtijnë në rresht, pa urdhra në rresht, pa diktat
Në rresht, ushtarë të bindur në rresht, vullnetarë në rresht,
Ndjekin gishtin përzgjedhës në rresht si fëmijë në jetimoret luksoze,
Si zogj të lodhur të hutuar nga lojërat e dritave në rresht.

Askush s’kthen përshëndetjen e Faustit që shihet larg, që është 
Më shumë se ata i varfër, i uritur, që shpëtoi paq 
Nga një shaka e botit ujëhedhës në rrugë e sipër.
Ata rrinë, marrin frymë, ëndërrojnë, harrojnë që ka Diell,
Që ka Faust, Njeri me emër tjetër dhe rrinë në rresht, të bindur 
Se ashtu duhet, në përzgjedhjen, zhurmën,
Orkestrën me të gjitha akordet të shkatërruara keqas.
Ata janë mësuar në këtë madhështi kryeneçe. Lënë 
Të kalojnë mbi shpatullat e tyre putrat e Fatit, që luan me ta 
Si ariu me fëmijtë në Teatrin e Kukullave...

-V-
Më tejë Fausti sheh:
Partizani i panjohur nxiton në kërkim të ecjes
Zërit, zemërimit, lavdisë së arratisur.
Pranë tij, partizani i njohur
Shet libra, copa gazetash me kronika nga Lufta e Dytë Botërore…
Hijet e tyre janë aleatët e akrepave të sahatit:
I njohur – I Panjohur,
Luajnë tavëll, buzë varrit të Sulejman Pashës:
“I panjohur, I  njohur, Sulejman, Partizan, sozi e Njohur,
Sali, Fatos, Edi, Enver,
Zog i arratisur, mbret pa kurorë…”
Bulkthat qëndisin tregime të gjata, të ngatërruara, pa titull.
*
“Ky është Fausti!” ,
Briti sozia e partizanit të Panjohur,
“Edhe mundet”,
Mërmëriti sozia e partizanit të Njohur
Dhe hodhi tutje Thesin me libra e letra, të shihte vërtetë 
Nëse ishte Ai, që duhej në këtë tokë 
(Që vështirë se do të duhej) .
U nxeh e sa nuk shkriu bronxi i Panjohur:
“Është nga vëndi Hitlerit!, 
Është nga vendi Hitlerit e s’ka pse të mos të jetë Hitleri
Me mustaqet spic, që përvëloi botën në krematoriume,
Që shpëtova paq, duke dalë nga stivat e të vdekurve…
Luftova me siluetat, armët, tanket, Alt-et, aleancat…
Si mundet të guxojë të shëtis këtu një vëndas i tij?!”
“Fausti nuk është Hitleri -
Qetoi partizani i njohur –por ç’më duhet ç’ ka ndodhur me Ty,
Kur askujt si duhet çfar ka ndodhur me Mua?!...
Unë luftova dhe plagët më dhëmbin tek brinjët,
Të vetmet dekorata, që s’mundën të m’i grabisnin. 
Kundershtova e urdhëruan: “Pranga…Në emër të popullit…”
Ndërsa populli gërrhinte,mbyllte veshët mirë e mirë,
Të mos dëgjonte, të ikte kuturu si ortek i verbër, pa ndërgjegjen e rënies
E ti athere ngrije grushtin, pa pyetur ku isha, ku më digjnin 
Më tepër se sa ty Hitleri.

Asnjëherë s’pyete ku isha, në duhej të jetoja
qoftë sa një ditë e jotja, Bronx kallp e bir kallpi!...”
I Panjohuri:
“Ish sistemi...Grinadvec e manjak i letrave…”
I Njohuri:
“Edhe për mua ishte sistemi, por nuk të vrava…
Edhe sot që ashtuquhet Sistemi im, nuk po të vras,
Me paratë e mija endesh në tokë e qiej,
Çirresh të të vijnë mbrapa në askundërinë e botës…”
I Panjohuri:
“Ekstremist,
Ke hak bronxin tim të shndërrohet në pranga, 
Të të mbajnë lidhur e të të vendosin pranë lumenjtë, 
Të t’i tregojnë e të mos të ta afrojnë pikën e ujit,
Të mësosh të flasësh,të mendosh, të mos ecësh, ku ligji s’të lë
Të më kujtosh ca profka, që dergjen arkivave e mund të hapen
Kur t’ja dojë menderja Perëndisë së Ligjit…”
I Panjohuri u mundua e stërmundua ta shkulte pushkën,
në këtë katraurë tiranase….
I Njohuri:
“Arma jote,(ha ha ha ,po më bën të vdes duke qeshur!)
Është thjesht një lodër dhe ti një aktor,
Që kapardisesh të bësh profka edhe në shekullin tjetër.

I Pa Njohuri: 
“Ti m’i shtërngon bullonat të rri si mumje 
Mbi mermerin e ardhur nga malet, ku betejat tregojnë vetveten,
Heronjtë ditaret, shkronjëtorët…” 
I Njohuri:
“Heronjë  pa dëshmues, me shkronjëtorë të vdekur,
Me ditare të fshehura në sediljet e kolltukëve
Nga analfabetët…që shesin historinë
Nëpër botë me sekserë të regjur…
Shkronjat e tua endin Babiloninë, na tregojnë përralla,mite,
Legjenda, kuaj që ngrënë pushtetet, shtratet e lumenjëve,
Që s’kanë pasur asnjë herë lumenjë dhe kanë emrat 
E lumenjëve më të mëdhenj të botës…”
I Panjohuri:
“S’do të flesh më në këmbët e mija!,
bastard mosmirënjohës!...”
I Njohuri:
“S’do të flësh më në këngët e mija…Je Bronx i panjohur
Tek toka jonë e virgjër… Pse duhet të të rri i krrusur 
O i Panjohur?!
Unë duhet të shes tërë historinë Time
Për të qëndruar Ti në kryebronxin e Tiranës,
Për të qëndruar ti në qilimin fluturues
Endur me shpatullat dhe ëndrrat e mija?!”…
*
Fausti i la në dialogun e tyre të përjetshëm,
Në këtë botë, ku duhet patjetër grindja, shitja e shkronjave
Historive, intrigave, fyerjeve po aq sa frutat e Diellit.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike