"Fluturimi i Kosovës" në Teatrin Kombëta

"Fluturimi i Kosovës" në Teatrin Kombëta
Dy skenat e teatrit të Tiranës, ofrojnë dy shfaqje të vecanta për publikun gjatë kësaj fundjave. Në Teatrin Kombëtar është komedia politike "Fluturimi mbi teatrin e Kosovës" ndërsa të shtunën në Teatrin e Komedisë shfaqet "Burrneshat". Të dyja janë shfaqje që sjellin në skenë produksione mes kompanive të ndryshme teatrore të huaja dhe shqiptare, të cilat sjellin në skenë edhe aktorë të huaj.

Të fluturosh mbi teatër
Gati dhjetë vite pas përfundimit të luftës, Kosova, që deri atëherë po administrohej nga misioni i Kombeve të Bashkuara, bëhet gati të shpallë pavarësinë. Shteti më i ri në botë pritet të lindë pas pak. Sekretari i Ministrisë së Sportit kërkon nga trupa e Teatrit të Kosovës që të përgatisin një shfaqje teatrore solemne e cila do të jepet ditën historike të shpalljes së pavarësisë. Për festën e pavarësisë janë ndarë 2 milion euro. Trupa e teatrit ndjehen të privilegjuar dhe krenarë. Por ky ngazëllim ka edhe sfidat e veta. Pas ca kërkesave "estetike", politikisht korrekte, trupa përballet edhe me dy "probleme" të paparashikueshme. I pari, dita kur duhet të shpallet pavarësia mbahet sekret dhe i dyti, në shfaqje duhet të përfshihet edhe fjalimi ende i pashkruar i Kryeministrit, të cilin ai do ta mbajë në parlament në ditën historike. Dhe derisa ekipi i teatrit fillon provat intensive, Xhejmsi, tekniku i skenës ka një projekt paralel. Ai fillon të konstruktojë një aeroplan me të cilin dëshiron të fluturojë rreth globit me qëllim që, në këtë mënyrë origjinale, të lobojë në shumë shtete të botës për njohje të shtetit të ri. Lajmi për datën e shpalljes së pavarësisë vjen papritur. Në mbrëmje, kabineti qeveritar, mysafirë nga NATO, UN, EU dhe diplomatë të tjerë, vijnë në Teatrin e Kosovës për të parë shfaqjen - epopenë kombëtare të Kosovës....

"Fluturimi mbi teatrin e Kosovës" është një komedi politike mbi njërën nga ngjarjet më të rëndësishme globale të këtij shekulli - lindjen e shtetit të Kosovës. Kjo është një komedi për Kosovën e re që, e lodhur dhe e rrënuar nga lufta, varfëria, korrupsioni dhe tutelat e pafundme të misioneve ndërkombëtare, përpiqet ta gjejë rrugën e vet drejt të ardhmes.
Shfaqja vjen në skenë me regji të Blerta Neziraj dhe autorësi të Jeton Neziraj. Në rolet kryesore janë aktorët Bajrush Mjaku, Adrian Morina, Anisa Ismaili, Adrian Aziri dhe Ernest Malazogu .Shfaqja është një produksion i qendrës Multimedia nga Prishtina që ka në fokusin e saj teatrin dhe dramaturgjinë bashkëkohore. E themeluar në vitin 2002, ajo prodhon dhe bashkëprodhon aktivitete kulturore për të gjitha moshat, në Kosovë dhe jashtë saj. Qendra është themeluar dhe drejtohet nga një grup i artistëve të rinj të cilët synojnë që të krijojnë një format alternativ të prodhimtarisë artistike, të influencojnë politikat kulturore dhe të përdorin artin për të adresuar çështje të ndjeshme politike e sociale. Disa nga prodhimet teatrore kryesore të Qendrës janë: "Darka e fundit", "Lufta në kohën e dashurisë", "Udhëtimi në UNMIKISTAN", "Enea 06", "Yue Madeleine Yue", "Hipermarketi patriotik", "Fluturimi mbi teatrin e Kosovës" etj. Nga viti 2002, Qendra ka organizuar dhe bashkëorganizuar mbi 100 projekte artistike në Kosovë por edhe në vende të tjera të Evropës si në Maqedoni, Serbi, Zvicër, Kroaci, Francë, Gjermani, Angli, Austri etj.

"Burrneshat" e Odës dhe Blessed Unrest
Një komedi e vecantë, për virgjëreshat e betuara vjen të shtunën ën mbrëmje Teatrin Kombëtar të Komedisë. Një produksion dygjuhësh, shqip-anglisht. Pas shfaqjes shumë të suksesshme "Doruntina" në mes të Teatrit Oda dhe Blessed Unrest këto dy trupa sjellin shfaqjen e radhës në bashkëpunim "Burrneshat" e cila vjen në Tiranë pas premierës dhe shfaqjeve në Gjilan, Gjakovë dhe Prishtinë.Shfaqja flet për traditën e lashtë shqiptare të "Burrneshave" ku femra shqiptare deklarohej mashkull duke u betuar se kurrë nuk do të ketë "punë" me meshkuj dhe do të sillet e veprojë e do të kryejë të gjitha obligimet që bën një burrë.Ngjarja zhvillohet në një vend malor në një familje këpucëtari i cili për shkak të moshës e ka të vështirë të punojë. Djali i tij i cili ka shkuar në SHBA që të punojë e i cili është djalë i vetëm i kësaj shtëpie, kthehet në vizitë së bashku me gruan e tij amerikane. Ata i informojnë se janë futur në krizë financiare dhe nuk mund ta përkrahin më aq sa duhet familjen nga ana financiare. Ky fakt shtyn motrën e tij që të marrë një vendim tronditës.Ndërkohë Medlin Ollbrajt do të vijë në fshat për të marrë pjesë në përurimin e një statuje që daja i tyre e ka punuar për nder të saj. Një ushtar amerikan dhe një reporter i Nju Jork Tajmsit vije të mbulojë ngjarjen ku krijohen shumë keqkuptime dhe zbulohen shumë sekrete.Komedia është shkruar nga Matt Opatrny dhe Lirak Çelaj dhe është vënë në skenë nga regjisorët Jessica Burr dhe Florent Mehmeti. Në role vijnë aktorët Sora Baek, Ilire Çelaj, Jessi Blue, Eshref Durmishi, Damen Scranton, Armend Ismaili, Matt Opatrny, Liridona Shehu. Pas Tiranës shfaqja vazhdon turneun e saj në Shkup, Tetovë dhe tre shfaqje të tjera në Prishtinë.Shfaqja është përkrahur financiarisht nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, CEC Arts Link në Nju Jork dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës.

Shkrimi u publikua sot në suplementin Fundjava, gazeta Shqiptarja.com, 7 dhjetor 2012


(ad.ti/sqhiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Dhunuan fizikisht një person dhe i dëmtuan makinën, në pranga 28-vjeçari, në kërkim xhaxhai i tij

Vlorë/ Dhunuan fizikisht një person dhe i dëmtuan makinën, në pranga 28-vjeçari, në kërkim xhaxhai i tij