TIRANE- Duke filluar nga dita e premte e kësaj jave anëtarët e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë do të paraqiten në ambientet e Prokurorisë për të dëshmuar lidhur me supervjedhjen e Thesarit të Shtetit. Këtë të premte prokurori i çështjes Ramadan Troci, ka firmosur gjashtë fletë-thirje në adresë të anëtarëve të Këshillit si: Elisabeta Gjoni, me detyrë zv/kryetare, Ermelinda Meksi, Adrian Civici, Petraq Milo dhe Dhori Kule. Sipas burimeve të prokurorisë të parët që do të pyetën, janë zonja Ela Golemi dhe Ermelinda Meksi, kjo e fundit nga të parat që ka kërkuar dorëheqjen dhe më pas shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani.

Këto do paraqiten në Prokurori ditën e premte në orën 11:00 të paradites. Mësohet se të dyja do të pyeten nga prokurori Troci dhe oficeri i policisë gjyqësore Elidon Hysenaj, si persona që kanë dijeni për çështjen dhe mënyrën e funksionimit të Thesarit në Linzë nga ku u vodh shuma prej 713 milion dollarë. Pyetja e anëtarëve të Këshillit në fillim të muajit shtator ishte paralajmëruar disa ditë më parë nga Prokuroria, e cila për efekt se të gjithë anëtarët ishin me pushime, ka shtyrë pyetjen e tyre në ditët e para të shtatorit.

Ndërkohë katër të tjerëve, mes të cilëve zv.guvernatorja e parë, njëkohësisht nënkryetare e Këshillit Mbikëqyrës, Elisabeta Gjoni, si edhe anëtarët Dhori Kule, Petraq Milo dhe Ardian Civici pritet të japin shpjegime do t’u duhet të japin deklaratat e tyre ditën e hënë.

Rrethanat e pyetjes
Gjashtë anëtarët e Këshillit Mbikqyrës do pyeten në cilësinë e personave që kanë dijeni për skandalin e vjedhjes së Thesarit të Bankës së Shqipërisë. Mësohet se grupi hetimit ka përgatitur më tepër se 15 pyetje për secilin prej tyre me shpresen se do të zbulojë diçka rreth misterit të vjedhjes dhe më pas zhdukjes së shumës tepër të madhe të parave, që deri në këto momente është pranuar se është vjedhur vetëm nga i arrestuari Ardian Bitraj. Ndër të tjerë anëtarët e Këshillit do të pyeten dhe për rregulloret dhe udhëzimet që nxirrnin në çdo mbledhje dhe se si monitoroheshin këto rregullore në nivelet e poshtme të Bankës, për të parë nëse zbatoheshin ose jo nga punonjësit e tjerë. Një tjetër pyetje sipas hetuesve është dhe ajo se pse prej tre vitesh në Thesar nuk ishte kryer asnjë audit.

Mungesa e auditit
Teksa kanë kaluar më shumë se 1 muaj nga zbulimi i skandalit të vjedhjes së BSH, numri i të ndaluarve ka shkuar në 17 persona. Por hetuesit e njësisë hetimore Task-Forcë shprehen se gjatë kësaj faze të hetimit dhe verifikimit të dokumenteve, është konstatuar se dhe disa punonjës të Bankës së Shqipërisë, nuk kanë respektuar rregullat për një kohë të gjatë. Këtu përfshihet fakti i mungesës së auditit tre vjeçar, veprim ky që ka qenë në dorë të inspektores së përgjithshme, Elivar Golemi, e cila sipas hetuesve nuk ka marrë asnjë vendim për të ngritur grupet e punës të auditimit të Thesarit të Shtetit.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)