Erfan Zeneli ka rënë në radarin e seleksionerit të kombëtares së Shqipërisë në futboll, Gianni de Biasi. Ky i fundit e ka zbuluar talentin kosovar në faqen e njohur të videove Youtube, ku i ka lënë përshtypje. Mesfushori i Helsinkit thotë se Shqipërinë do ta pranojë para Finlandës, e cila gjithashtu pritet ta ftojë në skuadër.

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, ka filluar ta praktikojë një mënyrë të veçantë për të zbuluar talentët shqiptarë, që luajnë nëpër ligat të ndryshme evropiane. Përveç që po i përcjell nga afër, trajneri italian ka nisur të gjejë talentë duke klikuar edhe në faqen www.youtube.com. Si rezultat i kësaj, ai ka zbuluar një futbollist, që në të ardhmen e afërt mund ta veshë fanellën e Kombëtares shqiptare.

Ai është mesfushori i talentuar kosovar Erfan Zeneli, i cili me sukses po luan te kampioni aktual i Finlandës, HJK Helsinki.

“Një bashkëpunëtor i Gianni de Biasi e ka parë një video timen në Youtube. Më pas ai më ka kontaktuar edhe më ka treguar se ju kam pëlqyer edhe më kanë kërkuar edhe disa DVD të komplet ndeshjeve që i kam luajtur me Helsinkin”, ka thënë Zeneli.(rb/shqiptarja.com)