Gjykata e Fierit përballet me një stok prej 2822 dosjesh, disa prej tyre të mbartura nga viti 2021. Kjo situatë vijon të rëndojë punën e institucionit dhe të vonojë proceset gjyqësore.

Sipas kryetarit të Gjykatës së Fierit, Noel Veizi, drejtësia është para së gjithash një shërbim për qytetarin dhe për besimin publik.

Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një aktiviteti të organizuar me rastin e Ditës së Drejtësisë, të hapur për mediat.

Veizi theksoi se kjo ditë shërben jo si festë por si moment reflektimi për sistemin e drejtësisë, duke vënë në dukje rëndësinë e shkollimit të magjistratëve të rinj për ndërtimin e një pushteti gjyqësor të pavarur dhe të drejtë.

Një nga sfidat kryesore, sipas tij, mbetet pikërisht ngarkesa e lartë me dosje të pazgjidhura, e cila ndikon drejtpërdrejt në kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore dhe në uljen e besimit të publikut.

Në aktivitet u zhvillua gjithashtu një bashkëbisedim mes përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë dhe akademikëve, ku u diskutuan historiku i sistemit dhe vështirësitë aktuale.

Theks i veçantë u vendos edhe te bashkëpunimi mes Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave, i vlerësuar si i domosdoshëm për përshpejtimin e proceseve dhe rritjen e cilësisë së vendimmarrjes.