Përmes një drafti të ri ligjor, qeveria kërkon që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të kalojë në varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, i cili u kundërshtua nga opozita në Komisionin parlamentar për Kulturën. 

Drejtoria e Arkivave lidhet me gjithë shtetin. Nuk mund të futen brenda epruvetës së Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Ose përsëri në varësi të Kryeministrit ose të Kuvendit. Nuk kam asnjë arsye për luftë politike”, tha Ina Zhupa.

Drafti mbështet edhe mbi rekomandimin e një raporti të SIGMA-së për vitin 2025, organ monitorues i BE-së, mbi adminstratat publike, i cili rekomandon reduktimin e numrit prej 26, të institucioneve në varësi të kryeministrit, siç është edhe Arkivi. Sipas kryetares Zhupa, Arkiva ruan dokumente 15-25 vjet nga data e krijimit, të cilat cenojnë deri edhe sigurinë kombëtare.

“Janë arkiva të Presidentit, KLSH, Avokatit të Popullit, Këshillit të Ministrave, Bankës së Shqipërisë, të të gjitha ministrive, drejtorive të varësisë, agjencive, gjykatave të juridiksionit të shkallës së parë. Natyra e Arkivit që kemi e pamundëson futjen e tij brenda një ministrie. Me VKM Arkivi është institucion i rëndësisë së veçantë”, tha Zhupa.

“Kalimi i satusit nuk e zbeh peshën e institucionit, nuk cenohet. Kalimi lidhet me zhvillimin e Arkivave në një trajtë edhe më moderne”, u shpreh zv/ministrja e Kulturës, Lira Pipa.

Ky projekligj ka marrë sugjerimet e Komisionit të Ligjeve dhe të Ekonomisë. Pasi të kalojë filtrin parlamentar edhe në komisione të tjera, do të rikthehet tek Komisioni për Kulturën dhe Diasporën për detajimet apo amendime.