Rënia e flokëve, ja çfarë duhet
të dini nga ushqimet te trajtimi

Rënia e flokëve, ja çfarë duhet<br />të dini nga ushqimet te trajtimi
Flokët rriten kudo në lëkurën e trupit të njeriut me përjashtim të pëllëmbëve të duarve dhe shputave të këmbëve. Shumë prej tyre janë aq të hollë sa nuk mund të shihen me sy të lirë. Fija e flokut ndërtohet nga një proteinë e quajtur keratinë. Kjo e fundit prodhohet në rrënjën e flokut, e cila ndodhet në shtresën e jashtme të lëkurës. Në rrënjë prodhohen qelizat e reja të flokut, që duke iu bashkangjitur atyre të vjetra shtyjnë për nga jashtë lëkurës fijen e flokut. Nga ky proçes brenda 1 viti formohet një fije floku prej 15 cm. Floku që ne shohim është në të vërtetë një zinxhir qelizash të vdekura keratine. Në kokën e një njeriu gjenden mesatarisht 100,000-150,000 fije floku. Ne humbasim çdo ditë rreth 100 të tilla. Për këtë arsye nuk duhet të frikësohemi nëse gjejmë disa fije të mbetur në krëhër. Në çdo moment 90% e flokut është në rritje e sipër. Çdo rrënjë i nënshtrohet ciklit të saj jetësor, i cili ndikohet nga mosha apo sëmundje të ndryshme.
Ky cikël përbëhet nga 3 faza:
1. Anageni – një rritje e vrullshme e flokut, e cila zgjat nga 2 deri në 6 vjet.
2.Katageni – një rritje kalimtare e flokut që zgjat 2 deri 3 javë.
3.Telogeni – faza e qetësisë, gjatë së cilës floku nuk rritet më. Zgjat 2 deri në 3 muaj. Në fund të kësaj faze fija e flokut bie dhe zëvendësohet nga një e re, e cila do të ndjekë të njëjtin cikël nga e para.
Ndërkohë që njeriu plaket, floku rritet më ngadalë.
Humbja e flokut, e quajtur alopeci, paraqitet në forma të ndryshme:
1.Alopecia e plakjes përbën një gjendje normale që shoqëron plakjen. Floku dobësohet gradualisht me kalimin e moshës. Rritet numri i fijeve që futen në fazën e qetësisë (në telogen). Flokët e mbetur shkurtohen dhe rrallohen në numër.
2.Alopecia androgjenike është një gjendje gjenetike që mund të prekë të dyja sekset. Tek meshkujt kjo shfaqet që në adoleshencë apo rreth moshës 20 vjeçare. Sipas këtij modeli, rënia e flokut fillon në zonën e kurorës dhe në pjesën e përparme të skalpit (lëkura e kokës). Ndërsa tek femrat kjo formë e alopecisë vihet re në të 40-tat e tyre ose më vonë. Ato vuajnë nga një hollim i përgjithshëm i flokut për gjatë gjithë skalpit, me rënie më të theksuar në kurorë.
3.Alopecia universale (e gjeneralizuar) shkakton rënien e flokëve në të gjithë sipërfaqen e lëkurës duke përfshirë edhe vetullat, qerpikët, zonën e sqetullave apo rajonin pubik (përreth organeve genitale).
4. Alopecia areata shpesh fillon në mënyrë të papritur tek fëmijët dhe të rinjtë. Rënia e flokëve ndodh vetëm në disa zona të caktuara. Në lëkurën e kokës, këto zona duken si pulla apo njolla të bardha. Personat e prekur mund të përfundojnë me humbje totale të flokut, por 90% prej tyre floku u rikthehet përsëri brenda pak vitesh.
5.Trikotilomania shihet më shpesh në fëmijë. Ajo është pasojë e një çrregullimi psikologjik në të cilin pacienti shkul flokët e tij.
6.Efluviumi telogenik është hollim i përkohshëm i flokut si pasojë e çrregullimeve në ciklin e rritjes së tij nga shkaqe emocionale apo stresi psikologjik. Një numër i madh fijesh hyjnë sëbashku në fazën e qetësisë dhe më pas bien njëkohësisht.

Cilat janë shkaqet e rënis së flokut?
Disa rrënjë flokësh janë të programuara për të pasur një periudhë rritjeje më të shkurtër se normalisht. Arsyet e kësaj diference nuk njihen ende megjithatë të shumtë janë faktorët që çojnë në humbjen e flokut:
1. Hormonet, si psh. përqëndrime jonormale (nivele të rritura) të androgjenëve (hormonet mashkullore që gjenden në të dy gjinitë) në gjak.
2. Genet, të trashëguara nga të dy prindërit, ndikojnë në predispozitën individuale për alopeci androgjenike.
3. Stresi, sëmundje të ndryshme dhe lindjet mund të shkaktojnë humbje të përkohshme të flokut.
4. Barnat si p.sh.: ilaçet e kemioterapisë gjatë trajtimit të kancerit, holluesit e gjakut, beta-bllokuesit e përdorur në trajtimin e presionit të lartë të gjakut (hipertensionit arterial) dhe kontraceptivët oralë mund të shkaktojnë humbje të përkohshme të flokut.
5. Djegiet, plagët dhe rrezatimi. Megjithatë pas shërimit, floku rikthehet në normë.
6. Sëmundjet autoimune janë shkaktare të alopecisë areata. Në këto tipe sëmundjesh, sistemi imunitar i individit sulmon qelizat e organizmit të vet duke përfshirë edhe rrënjët e flokëve. Ekziston mundësia e rikthimit të flokut në gjendjen e mëparshme pavarësisht dobësimit apo çngjyrimit të përkohshëm të tij.
7. Proçedurat kozmetike si p.sh.: larja e shpeshtë e flokëve, lyerja apo frizurat e ndryshme. Ato e dobësojnë flokun duke e bërë më të brishtë, megjithatë asnjëherë nuk çojnë në humbje totale të tij. Në rastet më të rënda floku bie në formë pullash.

10 USHQIME PER FLOKE TE SHENDETSHEM
1. Peshku, veçanërisht Salmoni, i pasur në omega-3, proteina, vitamin B-12 dhe hekur.
2. Perimet jeshile si spinaqi dhe brokoli, të pasura në vitaminat A dhe C (të nevojshme për prodhimin e yndyrës e cila e ushqen rrënjën), kalçium dhe hekur.
3. Bathët si bizelet dhe fasulet, burim i bollshëm proteinash (që ndihmojnë në rritjen e flokut), hekur, biotin dhe zink. Rekomandohet konsumimi i tyre të paktën 3 herë në javë.
4. Arrat dhe bajamet, të pasura në selenium (një mineral i rëndësishëm për shëndetin e lëkurës së kokës), zink dhe omega-3.
5. Mishi i pulës dhe i gjelit të detit, burim i madh proteinash dhe hekuri.
6. Veza, e pasur në proteina, biotin dhe vitamin B-12.
7. Drithërat, të pasura në zink, hekur dhe vitamina B.
8. Midhjet, të pasur në zink (një antioksidant i fuqishëm)
9. Qumështi dhe bulmetrat (kos, djath, gjizë) të pasura në kalçium (një mineral i rëndësishëm për rritjen e flokut), hirrë dhe kazein (dy burime proteinike).
10. Karrota, e pasura në vitamin A, e cila krahas përmirësimit të shikimit kontribon edhe në shëndetin e skalpit.
Të gjithë përbërësit dietetik të mësipërm sigurojnë një flok të shëndetshëm, të fortë, të dendur dhe të shndritshëm.

TRAJTIMI NGA BARNAT TE TRANSPLANTI
Mënyra më e mirë e trajtimit të rënies së flokëve është parandalimi i saj. Kjo realizohet duke ndjekur një regjim ushqimor të pasur në proteina, hekur, omega-3, minerale dhe vitamina. Rogaine dhe Propecia janë të vetmet barna të miratuara për mjekimin e alopecisë me shkaqe gjenetike. Rogaine është një solucion me veprim lokal, i cili aplikohet duke masazhuar atë zonë të skalpit ku synojmë rritjen e flokut. Efikasiteti i saj shkon nga 10 deri në 14% të rasteve. Gjithsesi, ajo minimalisht shërben për të ndaluar rënien e mëtejshme të flokut. Propecia është pilula e parë që mund të ndalojë humbjen e flokëve tek burrat me alopeci androgjenike. Të dy këto barna mund të merren vetëm nën rekomandimin e mjekut. Nëse mjekimi rezulton i efektshëm, ndërprerja e tij do ta përkeqësonte situatën. Por në rastet e humbjes së përhershme të flokut, mund të shfrytëzohet edhe alternativa e transplantit.
Kush është kandidat për transplant?
1. Burrat dhe gratë me alopeci androgjenike (shkaku është gjenetik).
2. Pacienti i cili ka humbur një pjesë të flokëve të tij si pasojë e djegieve apo plagëve të skalpit.

Kush nuk këshillohet t’i nënshtrohet transplantit?
1. Gratë me alopeci të gjeneralizuar.
2. Individët me mungesë burimesh dhuruese të lëkurës të përshtatshme për transplant.
3. Pacientë me cikatrice keloide si rezultat i djegieve, traumave apo plagëve nga rrezatimi.

(Shkrimi u botua ne te perjavashmen ALMEDICUS, te gazeta Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Spartak Ngjela: Turp historik! Nuk lejojnë votim të lirë, e nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër veçse të rrinë në pushtet për privilegje

Spartak Ngjela: Turp historik! Nuk lejojnë votim të lirë, e nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër veçse të rrinë në pushtet për privilegje