Shpesh është konsideruar si njeri nga institucionet më efikase në vend. Mirëpo, argumentet thuajse gjithmonë e kanë thënë të kundërtën.
Defakto, Policia e Kosovës mund të konsiderohet si e “vdekur”. Por, De Juro jo, pasi më shumë se 9000 qytetarë të këtij vendi marrin paga të majme nga buxheti i Kosovës.

Disa nga këta janë policë dhe kryejnë me nder punën që ua ka besuar shteti, por të shumtët vetëm e luajnë rolin e policit. Këta para opinionit shtiren se po e luftojnë krimin, po hetojnë vrasjet e rënda, dhe po luftojnë korrupsionin.

Por, në realitet këto mbesin vetëm ëndrra e deklarata për opinion.
Kanë kaluar 56 ditë nga vrasja mizore e Elvis Pistës, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nga komuna e Rahovecit.
Por, edhe më tutje askush nuk po di rreth arsyes e ekzekutimit të tij.

Vrasja u cilësua ndër më të rëndat që ka ndodhur në Kosovën e pasluftës e që preku rëndë qytetarët e këtij shteti, pasi që ai u vra në krah të bashkëshortes, e cila ishte shtatzënë dhe po priste lindjen e një fëmije.
Disa ditë pas vrasjes hetuesit deklaruan se janë duke ecur në rrugë të mbarë për arrestimin e kryesve, por përfundimi pa rezultate.
Si për ironi gjatë hetimeve ata prezantonin fakte që kanë gjetur në vend të ngjarjes siç ishte rasti i një këpuce gjysmë të kalbur, por që gjatë kohës të njëjtat i demantonin ata vetë.

Mirëpo, rasti Pista është vetëm njëri nga shumë rastet që po i grumbullohen Policisë çdo ditë.
Tetë ditë më parë në qendër të Skenderajt u vra Ruzhdi Shaqiri, po nga ky qytet, e ku vrasësi ishte ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci.

Menjëherë pas vrasjes Geci pranoi aktin, duke komunikuar përmes një telefoni celular.
Mirëpo, edhe më tutje ai mbetet larg duarve të Policisë, pasi që kjo e fundit dështoi ta arrestojë atë.

Para dy javësh mbytja e një 14-vjeçareje, e quajtur me emrin Tijana, tronditi Serbinë, pasi që u gjet e vdekur në depo të mbeturinave.
Mirëpo, pas hetimeve Policia ka rënë në gjurmë të të dyshuarit, bazuar në të dhënat e antenave, gjatë asaj nate kritike.

Pastaj ai ishte vënë nën vëzhgim dhe ishte arrestuar më vonë në gjendje shumë të qetë, duke prerë mish në një prej mishtoreve të Surqnit në Serbi.

Dështimet e mëdha të Policisë së Kosovës, në masë të madhe kanë faktorizuar ndërkombëtarët që operojnë në Kosovë, por edhe kanë dëmtuar edhe më shumë imazhin edhe ashtu të brishtë të shtetit.

Këta të fundit shpeshherë kanë akuzuar në atë kohë Administratën e UNMIK-ut për pengesa në kryerje të punëve.
Mirëpo, në këtë rast përmes sulmit kanë tentuar ta mbrojnë veten.

Themelimi i Gjykatës Speciale ka ardhur direkt nga neglizhenca e Policisë së Kosovës për t’u marrë dhe për ta luftuar krimin nëse ai ka ekzistuar.
Këta gjithmonë dhe gjithëherë kanë dështuar në luftimin e rasteve të rënda të krimit, e ku si për ironi gjithmonë është përdorur ajo fraza e famshme se “hetimet vazhdojnë”.

E në kushte normale pas gjithë këtyre dështimeve e shumë skandaleve që kanë ndodhur Policia e Kosovës ish dashur të kishte kompetenca ekzekutive vetëm në shqiptimin e tiketave për kundërvajtje në komunikacion.

E së fundi Drejtorisë së Policisë i ka mbetur vetëm të krijojë një njësi për hulumtimet e përleshjeve nëpër çerdhe publike, e mbase këtu do të kishte pasur sukses në identifikimin e shkaktarëve të përleshjeve të mundshme.