"Çdo qytetar shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet, jo si njeri pa shtet dhe pa atdhe!" Ky ishte reagimi i kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për radhën kilometrike të automjeteve në pikën kufitare të Kakavijës ndërsa kishte një thirrje për kryeministrin Edi Rama dhe Olta Xhaçkën. Meta i kërkon që të ndërpresin pushimet dhe të vihen në lëvizje për të marrë cdo masë në mënyrë që emigrantët shqiptarë të mos qëndrojnë për orë të tëra në pika kufitare për shkak se pala greke punon vetëm me 2 sportele në dalje dhe hyrje.

Ndër të tjera i kërkon autoriteteve që të marrin masa për të mos braktisur emigrantët shqiptarë me fëmijë e të moshuar duke i lënë në kushte të vështira. 

“Çdo qytetar shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet, jo si njeri pa shtet dhe pa atdhe! I bëj thirrje urgjente Qeverisë dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, të vendosin menjëherë kontaktet me palën greke, për të marrë të gjitha masat efektive për lehtësimin dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në pikat e kalimit kufitar. Rikthimi i radhëve kilometrike në Kakavijë është i papranueshëm!

U kërkoj autoriteteve përgjegjëse shtetërore të ndërpresim menjëherë pushimet, të ngrihen në këmbë dhe të marrin çdo masë të duhur dhe të mundshme për të mos përsëritur kurrë më krizat humanitare në Kakavijë, ku mijëra emigrantë e shtetas shqiptarë, fëmijë e të moshuar u lanë të braktisur dhe në kushte tejet të vështira, por minimalisht t'i informojnë në kohë qytetarët dhe me transparencë për çdo vonesë", shkroi Meta.

Një kërkesë e kishte dhe për autoritetet greke, të cilëve u thotë që të bëjnë gjithçka për të shmangur radhë kilometrike në pikat e kalimit kufitar duke theksuar se imazhet i turpërojnë të dyja vendet tona.

I inkurajoj gjithashtu autoritetet greke, që në respekt të frymës së fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të ngushta tradicionale, të bëjnë gjithçka për të shmangur situata të papranueshme dhe kriza humanitare në pikat e kalimit kufitar, imazhet e të cilave i turpërojnë të dyja vendet tona”, shkroi Meta.