Sipas padisë së parë, Gjykatës së Tiranës i është kërkuar që të lëshojë një urdhër ekzekutimi për shoqërinë ARMO sha, konkretisht për kontratën e kredisë bankare nr. 435 rep, 215 kol, të datës 9 shkurt të vitit të kaluar, e cila është ndryshuar me një kontratë të re më datë 4 shkurt të vitit në vazhdim.
Padia e dytë ka të bëjë me kompaninë tjetër, po në pronësi të Taçit, shoqërinë Taçi Oil International Trading Supply Company, për një tjetër kredi, që duket se është marrë në të njejtën ditë nga po ky subjekt bankar, më 9 shkurt të vitit të kaluar dhe që sërish është ndryshuar po më datë 4 shkurt të vitit 2013.
Dhe, së fundit, padia e tretë ka të bëjë me lëshimin e urdhërit të ekzekutimit të një marrëveshjeje siguruese, e cila është realizuar ditën kur janë marrë këto dy kredi nga ana e Taçit, por për të siguruar ato. Të paditur në këtë rast janë të dy subjektet: shoqëria ARMO dhe shoqëria Taçi Oil International Trading Supply Company.
Ende për këto padi nuk është caktuar data e gjyqeve, ndërkohë që është hedhur shorti përkatës dhe janë caktuar emrat e gjyqtarëve të kësaj Gjykate që do t’i ndjekin.
Po kështu, në padi nuk flitet për shumën e kredive të marra nga ana e kompanive në pronësi të Rezart Taçit dhe të asaj për çfarë kanë rënë të dy palët dakord se do të përdorej si garanci nga kompanitë e tij për të siguruar kthimin bankës huadhënëse të kredive të marra.
Duket qartë se biznesmeni i naftës nuk ka qenë në gjendje të paguajë këstet e kredive, edhe pasi banka ka ofruar një ndryshim të kushteve të kontratës.
PROBLEMET
Manjati shqiptar i naftës, i cili u përpoq pa sukses të blinte 100% Albpetrolin nga shteti për 850 milionë euro, rezulton se nuk ka paguar detyrimet edhe ndaj bankës Intesa Sanpaolo për një kredi shumë herë më të vogël në vlerë, të marrë më 13 shkurt të vitit 2010 nga kompania “Taçi Oil Interational Trading&Supply Company”, sh.a. Intesa Sanpaolo Bank Albania, sh.a i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke kërkuar lëshimin e urdhërit të ekzekutimit, pasi banka kishte rënë dakord t’i japë kredimarrësit një kredi në shumën 4.4 milionë dollarë amerikanë, për ta përdorur për kapital qarkullues, por, megjithë përpjekjet e vazhdueshme të saj për të patur një marrëdhënie kontraktore korrekte, kredimarrësi nuk u është përmbajtur detyrimeve të parashikuara në kontratën e kredisë bankare.
Ai rezulton të jetë në vonesë prej disa kohësh për shlyerjen e kësaj kredie dhe nuk ka patur asnjë reagim, edhe pas kontakteve nga ana e kredidhënësit. Në këto kushte, gjykata, vlerësoi se kërkesa e bankës përbën “titull ekzekutiv” dhe, si e tillë, duhet pranuar për pjesën e pashlyer të kontratës, pikërisht në masën 4 milionë e 400 mijë dollarë.
Gjyqtari ka vendosur të ngarkojë Zyrën e Përmbarimit që të kryejë veprimet e ekzekutimit, të cilat mund të fillojnë, sipas ligjit, nga bllokimi i llogarive bankare, e deri te sekuestro të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të kompanisë ose pronarit të saj.
Ndërkohë, prej shumë kohësh tashmë, është hequr nga interneti faqja on-line e kompanisë “Vetro Energy” ( http://vetroenergy.com ) e cila tentoi të blinte 100 për qind të aksioneve të kompanisë së naftës me pronësi shtetërore, Albpetrol, për 850 milionë euro.
Deri pak kohë më parë, ajo vijonte ta pasqyronte veten si një blerës të kësaj kompanie, edhe pse me vendim qeverie u mbyll në prill procesi i shitjes, pasi biznesmeni Rezart Taçi dështoi në gjetjen në kohë të shumës së premtuar.
Edhe faqja në internet e ARMO-s ( http://armorefinery.com ), kompani tjetër në pronësi të këtij biznesmeni, është zhdukur, ashtu sikurse edhe faqe të tjera si www.rezarttaci.com apo www.taci-oil.com.
Këto pasojnë zërat për nisjen, nga ana e organit të akuzës, të hetimeve lidhur me procedurat e privatizimit të kompanisë së naftës vitin e kaluart.
Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka filluar verifikimet për privatizimin e Albpetrol-it dhe deri tani janë sekuestruar dokumentet përkatëse në Ministrinë e Ekonomisë, sipas njoftimit në media.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 23.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)