Rally Albania, si menaxhohet
gara në prapavijë

Rally Albania, si menaxhohet <br />gara në prapavijë
Sivjet vazhdova eksperiencën e filluar një vit më parë me Rally Albania. Pse të mos e pranoj: është eksituese, emocionuese, ka shumë adrenalinë, shumë punë, dhe për më tepër, shumë garues, pilotë dhe copilotë, që vijnë nga shtete të ndryshme të botës për të ndjekur aventurën shqiptare.

Për ta thënë më qartë, Rally Albania është në edicionin e vet të tetë. E organizojnë Edvin Kasimati dhe Julinda Dhame. Dy organizatorët, i kanë shumë të ndara detyrat: Edvini, thuhet mes garuesve të huaj, se është bërë eksperti më i mirë i Roadbook (është një libër, që u jepet në dorë të gjithë garuesve që marrin pjesë në garën off Road) dhe Edvini për këtë libër, që të jetë sa më perfekt, e nis punën sapo mbaron gara e radhës.

Gjithë puna tjetër, nga gjetja e sponsorve, organizimi i eventeve, marrëdhëniet me pilotët, akomodimi i tyre, zgjidhja e halleve që nga dhomat nëpër hotele, apo dushet ku duhet të lahen ata që qëndrojnë në tenda, ushqimi, kujdesi shëndetësor, plotësimi i dokumentacioneve, të gjitha pra, janë përgjegjësi e Julit. Sigurisht, Edvini kohë pas kohe ndërhyn, po sipas Julindës, më shumë prish punë sesa ndreq.

Kësaj radhe, Juli dhe Edvini i kishin marrë masat mirë. Mbi 43 vetë, të gjithë të rinj, ishin aty për të asistuar. Madje, duke mësuar nga "dështimi" i një viti më parë, për nxjerrjen e kohëve të secilit garues, këtë vit edhe kjo pikë ishte zgjidhur disi më ndryshe. Mes këtyre 43 vetëve, isha edhe unë, duhet të bëja PR e garës, por që, kur je në gjithë atë rrëmujë, me 320 vetë nga 17 vende të ndryshme të botës, sigurisht, përfundon edhe duke bërë një punë që s'e kisha menduar ndonjëherë se mund ta bëja, të mbushja motorrët me karburant (!!!!)

Stafi ndihmës, është ndoshta nga më të rëndësishmit që gara të shkojë shumë mirë. Pilotët kanë pasionin, ndihmësit, duhet të jenë aty për të garantuar që gjithçka të shkojë siç duhet. Këta, nuk dalin as në gazeta, por nuk shkojnë as në trajektore siç i thonë garuesit. (Për ata që nuk e kuptojnë trajektoren, sikurse unë dikur që nuk merresha fare me këtë lloj sporti, janë të gjitha rrugët në 1500 kilometra që u përshkruan këtë javë, zbresin në lumenj, ngjiten në male, hyjnë nëpër fshatra që ne shqiptarët që qëndrojmë në Tiranë nuk besoj t'i kemi parë, dhe të gjithë duhet të kalojnë në të njëjtën rrugë, apo trajektore. Nuk mund të dalin psh në rrugë të asfaltuar, sepse gjatë kësaj trajektoreje që përshkojnë, ka ndoshta 1, 2 apo 3 check point, staf që i kontrollon dhe merr shënim kohët e tyre, dhe asnjë nga garuesit nuk e di se ku gjenden ata. Thjesht, stafi u del përpara kur ata kalojnë. E kush nuk e kalon atë, merr penallti. Deri më tani, nuk është përjashtuar ndokush nga gara me thënë të drejtën për shkeljet, por pikët i janë hequr).

Sa për stafin, duhet filluar nga Tani. Ndryshe nga gjithë të tjerët, ai thërritet i pari për garën. Kur stafi mblidhet, Tani di gjithcka, di pothuajse përmendësh emrat e gjithë garuesve, vendet nga ata vijnë dhe ekipet e tyre të asistencës; di hotelet ku do qëndrojnë. Madje nëse pyet Tanin, nëse e ka parë psh 191 (këto janë numra gare, por meqënëse stafi nuk i mban mënd emrat e tyre i thërrasin me numra garash), Tani mund ta dijë fare mirë se ku mund të jetë edhe për darkë. Tani di se cfarë incidentesh ndodhin gjatë garës, kur të tjerët nuk dijnë asgjë; Tani e di se ku mund të gjenden gjithë njerëzit që duhen për ceremoninë; Tani e ka të qartë se cili nga ekipet apo pilotët ka qenë vitet e tjera në garë; Tani e di madje përmendësh, edhe sesa ka paguar gjithsecili prej tyre. Shkurt dhe saktë, Tani më duket sikur di gjithcka. Nëse pyet Vinin apo Julian për diçka, ngaqë nuk e kanë mendjen në mes të garës, të thonë: pyet Tanin. Veçse duhet të marrim parasysh faktin që Tani, në një pjesë të konsiderueshme të kohës, gënjen...

Gjergji, një djalë simpatik me syze, shumë i qetë dhe shumë punëtor, është gjithmonë përpara kompjuterit. Puna e tij ka filluar nga data 1 qershor me regjistrimin e garuesve dhe ata që fillimisht kanë konfirmuar, por në momentin e fundit tërhiqen nga gara. Për shkak të dështimit të një viti më parë, për nga rëndësia, ai është i pari: sepse duhet të nxjerrë në kohë rezultatet e garës dhe mënyrën sesi do të vendosen ata në garën pasuese. Rezultatet duhet të shpallen kudo në mënyrë që garuesit të kenë kohë të përgatiten. Gjergjin e kam parë tre ditë me radhë pa fjetur fare. Shpesh e ngacmoja se kur do i nxirrte kohët, kur unë isha e papunë. Gjergji të paktën "e nderoi" garën. Rezultatet dilnin, ndoshta jo në kohë, por publikoheshin për gjithë garuesit.

Joni Lame, vëllai i Tan Lames, në të gjitha garat është personi që e shoh më pak. Ai punon pa fjetur fare. Drejton makinat e asistencës që duhet të marrin aty ku gjenden garuesit që kanë mbetur nëpër male. Kur e takoja ndonjëherë me shaka i thosha sesa "viktima" kishte kapur rrugës. Nuk i numëron dot motorrat e personat që Joni gjen nëpër male. Ai hyn në trajektore.

Për Evin, ishte eksperienca e parë. Por mund të thuash se ishte si "banka" e garës për gjithë ekipin ndihmës: ai kishte tollonat e naftës; dietat ditore të punonjësve, në fund mblidhte lekët e gprs. Shkurt, po të kishte nevojë për lekë, dhe të kishte "ok" nga Edvini dhe Juli, Evi ishte aty për të plotësuar hallet.

Nga check point do të evidentoja Çufon dhe Elsin. Sepse për ta është eksperienca e disatë. Duhet të jenë puntualë, të masin saktë dhe korrekt kohën. Janë të parët që zgjohen. Nëse makinat dhe motorrat nisen në 5 apo 6 të mëngjesit, ata duhet të nisen për në pikat e tyre në orën 3. Por tani janë mësuar.

E për pak harrova, dy njerëz shumë të rëndësishëm pa të cilët, mund të dështonim: Ermali, një djalë i ri, thatim, po gjithmonë i qeshur, që rri në zyrë në Tiranë, dhe Zyhdiun, një burrë në moshë, babai i Edvinit që qëndron në njërën nga dhomat e veçanta të zyrës. Si Gjergji, ata njëlloj të rëndësishëm. Pse? Pyesni ju. Për netë e netë të tëra kanë bërë në kompjuter dhe kanë prerë me mijëra e mijëra faqe roadbook. Por, shumica e stafit, dhe garuesit, nuk i njohin fare.

Unë? Unë, isha gjithandej. Sa herë më telefononin nga Tirana më thoshin se "po bëja kokrrën e qefit" nga Tirana në Razmë, nga Razma në Voskopojë, nga Voskopoja në Dhërmi, e mandej në Tiranë. Epo, ka shumë nga ata të stafit ndihmës që vijnë se mendojnë se është qef. Garën e vitit pasues nuk duken më, ngaqë strapacohen nga mëngjesi në darkë, pa ngrënë apo duke qëndruar në këmbë, duke bërë të gjitha punët që të ndihmojnë garuesit, e gjithcka të perfeksionohet nga viti në vit.
Dhe në fund, Juli e Vini, nuk kanë ndonjë takim të veçantë falenderimi për stafin. Këta, kënaqen me atë ceremoninë e përvitshme të ndarjes së çmimeve. Për një darkë, aha, nuk bëhet llaf...Gara edhe këtë vit, si çdo vit, del me humbje.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Fundi i pushimeve, fluks dhe radhë automjetesh në aksin Peqin-Bradashesh-Elbasan! Policia Rrugore në terren

VIDEO/ Fundi i pushimeve, fluks dhe radhë automjetesh në aksin Peqin-Bradashesh-Elbasan! Policia Rrugore në terren