Nga Pogradeci nisja u bë rreth orës 11 të paradites. Është etapa e katërt e garës, Pogradec – Voskopojë prej 217 kilometrash. Koha shumë e mirë në Pogradec, por mes maleve, terreni është bërë shumë i vështirë. Ka filluar shiu, çka e rëndon garimin në terren të pilotëve. Në ditën e katërt, Gjergji, i cili mat kohët e pilotëve, e ka një ide të përafërt për pretendentin e këtij viti si në garën me makina, ashtu edhe në atë motorrëve.
Duket se nuk do të ketë shumë lëvizje nga gara e vitit të kaluar. Renti Sina me makinë, paraqitet me kohën më të mirë, ndërsa për motorrët, fituesi i vitit të kaluar, Christian Pastori, vazhdon të dominojë. Gara ka edhe suprizat e veta. Ndoshta dita e sotme dhe e nesërme, do të përcaktojnë dhe fituesin e vërtetë.
Edhe pse organizimi roadbook parashikon gjithçka me detaje, në etapën e djeshme gjërat nuk kanë shkuar shumë mirë në terren. Për shkak të bllokimit të një rruge, Edvin Kasimati, drejtori i garës, në një mbledhje të shpejtë duhet të sqarojë garuesit për ndryshimet e shpejta në trajektore. Të gjithë në etapën e parë do të kalojnë nga Dardha. Gara Rally Albania, nuk ka qëndruar asnjëherë në këtë zonë. Pastaj, përfundoi pasdite në Voskopojë.
Në fshatin turistik të Dardhës, garuesit duken të mahnitur nga peisazhi dhe natyra. “Ndihem shumë mirë. Eshtë hera e dytë që vij në Shqipëri. Ky peizazh dhe kjo natyrë është fantastike. Dhe gara është shumë e bukur. Ka shumë surpriza”, thotë Betsy që ka ardhur nga Anglia për të marrë pjesë në Rally. “Nuk kemi shumë mundësi andej në Angli për të bërë gara të tilla.
Për herë të parë mora pjesë në garën e vitit të kaluar. Do të vij sërish vitin tjetër. Shqiptarët janë shumë mikëpritës, gjithmonë kemi gjetur ndihmë dhe organizimi I garës nuk ndryshon nga garat e tjera”, thotë Betsy e cila ka marrë pjesë edhe në garën më të madhe të përmasave të tilla Paris Dakar.
Dita e djeshme kishte surprizat e veta dhe stafi i garuesve shqiptarë ka filluar të ankohet. Një fadromë që bënte punime në rrugë, duket se ka ngatërruar pothuajse gjithë pilotët e makinave. Shumica e makinave kanë kërkuar të gjejnë fadromën, që nga komisarët e garës u ishte thënë se duhet të ndryshonin trajektoren për shkak të punimeve në rrugë.
Por duket se fadromisti, ishte larguar nga puna në rrugë, ndërkohë që pilotët kërkonin fadromën. Padyshim një kërkim I tillë, i “bëri lëmsh” të gjithë ndërkohë që askush nuk ndoqi udhëzimet e roadbook. Tre makina arritën të dalin në check point përfundimtar e të tjerët arritën pothuajse 40 minuta më vonë.
Drini Shkreta një nga pilotët e makinave shqiptare, ka një version të vetin për ngjarjen. “Ne ishim në rregull. Nga komisarët e garës na u tha të ndërrojmë drejtimin për fadromën që ishte në rrugë. Ne ecëm, fadromë nuk gjetëm, dhe u ngatërruam për një kohë të gjatë. Sigurisht që dolëm nga roadbook për të ndjekur udhëzimet e reja. Kërkojmë sigurisht që koha që ka humbur të mos konsiderohet si një penallti por të na jepet koha e vërtetë e garës” sqaron Drini.
Në fakt, te zyra qendrore e rallyt, situata kthehet në disi qesharake që për shkak të një fadrome pjesa më e madhe e pilotëve kanë ndryshuar drejtimin e trajektores. Në fund, ata që marrin pjesë në garë, kanë akoma shpresë se mund ta fitojnë atë, ndërkohë që sidomos për pilotët shqiptar, një trofe duhet. Deri vonë në mbrëmje kur mateshin kohët për të nxjerrë rezultatin final, debatet për këtë çështje ishin të nxehta. “Epo, i vë kapak Endri, rregullat e lojës janë të njëjta për të gjithë”.
SURPRIZAT
Në fakt duket se gara ka surprizat e veta. Andrey, piloti cek 27 vjecar që ditën e shtunë arriti të përfundojë I pari specialen e garës 420 kilometra nga Durrësi në Pogradec, në një terren shumë të vështirë, duke kaluar nga mallet e Peshkopisë, Matit e mandej për të mbërritur në terrenin e Pogradecit, theu këmbën mëngjesin e ditës së djelë, duke ngrënë mëngjes.
Ngjarja u diskutua gjatë mes pilotëve. Ishte e pabesueshme sesi një garues, I cili për këtë sukses të vetin në shqipëri për herë të parë, në një terren tërësisht të panjohur, të fitonte një garë të vështirë, të cilën e lanë në mes gati 30 pilotë, të thyente këmbën duke ngrënë mëngjes. Ishte krejt e pabesueshme edhe për stafin, duke qenë se ai kishte edhe kohën më të mirë, e mund të ishte pretendent për të fituar garën.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)